Mobi Casa

Hetimet drejt fundit

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Hetimet ndaj Natali Veliajt, e cila dyshohet për keqpërdorim të rreth 1.4 milionë eurove, në atë që njihet si “skandal i pasaportave”, janë afër përfundimit. Por, avokati i saj, Nuhi Paçarizi thotë se nuk e di nëse Prokuroria do të ngrisë aktakuzë. Ai kërkon që klientja e tij të lirohet për t’u mbrojtur në liri, derisa konfirmon gjendjen e keqe shëndetësore të saj.

Pas një jave rresht sa ka qëndruar në Qendrën Kardiologjike, Natalie Veliaj i është kthyer qelisë së saj.

E dyshuara për keqpërdorimin e rreth 1.4 milion eurove të pasaportave biometrike është kthyer nga gardianët në paraburgim, më 22 mars të këtij viti.

Këtë e konfirmoi mbrojtësi i saj, avokati Nuhi Paçarizi të martën për Express, i cili tha se gjendja shëndetësore e klientes së tij vazhdon të jetë jo e mirë.

“Nga spitali është kthyer në Qendrën korrektuese në Lipjan pas qëndrimit një javor në spitalin e zemrës, mirëpo gjendja e saj vazhdon të jetë shumë e rëndë, ajo vazhdimisht po merr hapa për të holluar gjakun”, ka thënë Paçarizi për Express.

Mbrojta e Veliajt po ashtu bëri të ditur janë në pritje të ftesës së Prokurorisë për seancën e radhës dëgjimore të Veliajt.
“Herën e fundit kur është marrë në pyetje, para një muaji na kanë thënë se brenda javës do të ftohet prapë, por kjo nuk ka ndodhë. Tash po presim, ndoshta mund të ndodh para 12 prillit këto javë që të ftohet sërish nga Prokuroria”, tha Paçarizi.

Veliaj ndodhet në paraburgim që nga 14 nëntori i vitit të kaluar, ndërsa më 12 prill të këtij viti pritet t’i skadojë afati i paraburgimit.

Nëse deri atëherë Prokuroria e EULEX’it nuk ngrit aktakuzën ndaj Veliajt, sipas Paçarizit ajo duhet të lirohet nga paraburgimi.

“Sepse u bënë pesë muaj dhe ne po shpresojmë që deri tash hetimet kanë përfunduar dhe duhet me iu ndërpre paraburgimi”, tha ai.

“Kryhen hetimet dhe sigurisht kjo lirohet me u mbrojt në liri, e a ngritet aktakuza apo jo ato i di Prokuroria, por hetimet janë në përfundim e sipër”, shoti avokati.
Paçarizi insiston se nuk ka bazë legale për të ngarkuar të mbrojturën e tij me vepër penale.

Mobi Casa

“Ne mendojmë që nuk ka vepër penale është një raport juridiko – civil mes dy kompanive, kësaj që është kontraktore dhe asaj OeSD’së austriake”, tha ai.

Ndërkohë, hetimet rreth skandalit të keqpërdorimit të tenderit për prodhimin pasaportave biometrik të shpallur nga Ministria e Brendshme e Kosovës kanë nisur në tetorin e vitit të kaluar.

Natali Veliaj dhe vëllezërit Fisnik dhe Betim Blakaj ishin arrestuar si të dyshuar për këtë rast nga Policia e EULEX’it më 12 nëntor të viti të kaluar.

Veliaj kishte pranuar para Prokurorit, se i ka marrë 1.4 milionë euro duke thënë po ashtu se ato i ka dhënë ryshfet për zyrtarë të MPB’së, me rekomandim të kompanisë austriake Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD).

Gjermania 38-vjeçare kishte mundur ta bindte MPB’në që pa kurrfarë autorizimi të shkruar të devijonte adresën ku duhej paguar paratë për pasaportat e prodhuara nga ndërmarrja austriake.

Për pasojë, pagesa ishte bërë te firma e Veliajt, “Consulting EU Sh.p.”, që OeSD’ja e kishte përfaqësuese në Kosovë.
Kjo, pastaj, nuk i kishte përcjellë për në Austri rreth 1.4 milionë euro, pasi konsideronte që shuma është shpenzuar për shërbimet në llogari të OeSD’së që ka bërë në Kosovë, si dhe për taksa.

Por, kur këto mjete nuk i kanë shkuar në konto, OeSD’ja ka thënë se paratë i do nga MPB’ja, me arsyetimin se askujt nuk i kishte dhënë autorizim që t’i bënte apo t’i pranonte pagesat.

Veliaj pati thënë se Drejtorit të Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berisha i ka dhënë 475 mijë euro si shpërblim për tenderin e pasaportave që kishte fituar kompania austriake OeSD.

Ndryshe, javë më parë Kompania gjermane G&D ka fituar tenderin për furnizim me pasaporta biometrike të Kosovës. Tenderi i ri ishte shpallur pasi MPB’ja dhe kompania austriake OeSD shkëputën kontratën pas “zhdukjes” së 1.4 milionë eurove dhe mosmarrëveshjeve se kush duhet ta paguante TVSH’në për pasaportat e sjella në Kosovë.