Hamdi Arifi ishte një gur themeltar i arsimit shqiptar…
Gjilan – Hamdi Arifi nuk jeton më. Atë e mori vdekja para kohe. Ajo pamëshirshëm e rrëmbeu dhe e “qoi” në përjetësi. Ai ishte pishtar i rrallë i shkollës shqipe. Ishte arsimtar largpamës dhe shembullor. Hamdiu, na iku, por vepra e tij mbeti e pavdekshme. Ai sot na mungon, por vepra e tij është e “gjallë” dhe jeton. Ajo kurrë nuk do të “vdes”! Mungesën e tij po e ndjen edhe kolektivi i Shkollës fillore “Agim Ramadani” në Zhegër, por edhe krejt shkollarët e tij. Pse jo? I madh e i vogël e deshën arsimtarin e tyre, Hamdi.
Në 34-vjetorin e vdekjes
Ai ishte një gur themeltar i arsimit shqip. Figurë e dritës që nuk harrohet. I madh e i vogël e deshën arsimtarin e tyre. Ai punoi dhe puna e tij ishte plot shkëndijë drite e diturisë. Secilën fjalë, që e fliste arsimtari Hamdi, zinte vend në çdo “kuvend”. Ai e përkrahte progresin, por e urrente nënshtrimin e huaj. Kurrë të zezës nuk i ka thënë e bardhë, por edhe të bardhës nuk i ka thënë e zezë. I përkrahte njerëzit punëtorë, por i urrente papunëtorët, servilët, shërbëtorët e argatët shqiptarë që i shërbenin të “të tjerëve”! Ishte një arsimdashës atdhetar.
Fund e kreje ishte kundër të keqes dhe nënshtrimit. Tek ai shiheshin xixat e shqiptarizmit. Jeta e tij ishte me “grimca” historie, sepse lexonte pa u ndalë literaturë të ndaluar. Atë kohë kishte lexuar veprat: “Ushtima e Korabit” prej Kapllan Resulit, “Tradhtia” po ashtu prej K. Resulit, “Gjarpinjtë e gjakut” prej A. Demaçit, por kishte lexuar Drajzerin, Majakovskin, Nolin e madh e autorë të tjerë shqiptarë. Autori i këtyre radhëve e pati arsimtar në arsimin fillor në vitet e 1960-ta. Ishte kjo hohë e hershme, por mjaft e bujshme e me përcjellje. Ishin nisjet e para të zgjimit të jetës arsimore shqipe.
Ai ishte arsimtar me ideale të forta e të veçanta. Por, ishte edhe njeri temperament. Ky temperament i tij shihej si forcë guximi para të tjerëve. Fliste haptas në kolektiv, por asnjëherë nuk e tërhiqte fjalën e vërtetë. Gufonte shpejt kur i shihte padrejtësi e nënshtrim të arsimtarëve ndaj pushtetit të asaj kohe. Qeshte, qeshte dhe në vete e ndryente “zgjimin” e urrejtjes ndaj nënshtruesit.
Nuk u pajtonte me njerëzit puthadorë, sahanlëpirësit të regjimit të asaj kohe. I quante disa nga shokët argatë dhe njerëz servilë të pushtetit aktual. “Puthadorë, ju edhe neve koritët… Na bëtë hor të horrave”! Hidhërohej me ata që i shihte se të huajit i bënin lajka. I gëzohej punës jo vetëm të tijën, por edhe të shkollarëve përparimtarë. Reagonte aty-për aty. U bënte nga brenda e nga jashtë zjarr për ecje përpara. Skuqej se nuk pajtohej. Bëhej i zi në vete, kur shihte se shqiptari i nënshtrohej sekretarit të shkollës M. Mihajlloviqit. Atë kohë, Hamdiu e përgjonte punën e jetën.
Kurrë nuk vinte në shkollë i papërgatitur. I donte shkollarët, por edhe atë e respektonin si arsimtar e si njeri. Atë ditë zihej dhe e ndryshonte “gjendjen”, kur shkollarët tij vinin pa i kryer detyrat e shtëpisë. Ky ishte arsimtari Hamdi Arifi, i cili shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, Zhegër, ndërsa shkollën e mesme, Normalen, e kreu në Prishtinë. Ma vonë mësojmë se ka vijuar mësimet si student i çrregullt në lëndën e pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës.
Hamdi Arifi ishte i lindur më 1941 në Zhegër të Malësisë së Karadakut. Por, ja vdekja e mori në vitin 1981. Ai shkoi herët në botën e përjetësisë. Iku herët, por la pas vepra të mira ku punoi e veproi. Ishte arsimtar i dalluar dhe i merituar i shkollës shqipe. Pse jo? Ai e filloi punën me ditar, kur shkolla shqipe sapo filloi nga pak të lulëzojë. Autori i këtyre radhëve e pati arsimtar në vitet 1960-ta. Ai vinte pedant në shkollë. Vinte kokë ulur dhe i përgaditur për mësim.
Nuk pati shkollarë që nuk e respektuan. E nderuan, sepse ishte i nderuar nga të gjithë. Ishte kjo kohë, kur sa filloi rinia shqiptare të shkollohej nëpër shkolla të larta e fakultete. Atë kohë, së bashku me arsimtarin Hamdi punoi edhe shkrimtari ynë, Ibrahim Kadriun, po nga ky lokalitet. Ai (I. Kadriu) ishte arsimtar i gjuhës shqipe. Kjo shkollë pati edhe disa nga emrat e dalluar të arsimtarëve, si Emrush Haliti, Shefqet Kaqaniku, Ibrahim Shabani etj. Kur Hamdi Arifi gjendej në shkollë, çdo gjë ishte e shkonte si takti i orës.
Ai qe adhurues i shumë sporteve e arteve. Ai e deshi tenistin, shahun, por ishte edhe lojtar i mirë në futboll. Kur e shihnin rinia shkollore se ai luante mirë, afroheshin dhe i thonin: “Afrohu mësues i dashur ta puthi ballin plot dritë!” I tillë ka qenë Hamdi Arifi, arsimtar. Kur punoi Hamdi Arifi, shkolla është dukur pak më ndryshe. Ai shkëlqente koridoreve, por shkëlqente edhe në klasë në procesin mësimor me shkollarë. Ora mësimore e matemamtikës ishte orë tamam e filluar dhe e mbaruar me kohë. Ai ishte i urtë, në momentin e “urtësisë”, por ishte temperament i shpejt dhe i arsyeshëm. Ishte modest në mesin e shokëve, por gjeni me dije dhe dituri. Qe një enciklopedist me dije. Ai haptas, thoshte: “Me punë dhe ide të pastra kombëtare, çdo kush mund të arrijë atje ku synon.” Ishte i epur për atdhedashuri. Qe njeri entuziast dhe i përpiktë në punë, por qe intelegjent, erudit e psikolog.
Hamdi Arifi ishte edhe lexues i pasionuar i revistave dhe gazetave shqipe. Ai për çdo ditë e blente gazetën “Rilindja”, por edhe revistat tjera shqipe, si: “Jehona”, “Përparimi” e “Jeta e re”. Lexonte dhe, të nesërmen, shokëve të tij ua komentonte përmbajtjen e shkrimeve. Shpeshherë i dëgjonte emisionet Radio Tiranës. Hamdi Arifi i përkrahu demonstratat e 81-shit në Kosovë. Ai e pati lexuar dhe komentuar prozën e Sabit Rrustemit me titull “Nën maskën e mysafirëve, botuar në Fjala, më 1 prill 1981, e cila revistë u konfiskua brenda një ore nga policia. Po ashtu, ai ishte në gjeneratë me dy poetë më të mirë të letërsisë për fëmijë, si: Rifat Kukajn e Vehbi Kikajn.
Ai e pati në gjeneratë në Shkollën Normale në Prishtinë, Emrush Halitin, Sabri Kadriun etj. Ma vonë, Hamdi Arifi ka studjuar pa shkëputje nga puna pedagogjinë në Prishtinë. Vdiq në vitin 1981 në Zhegër. Tash e 34 vjet më parë. Ishte një vdekje e dhimbshme dhe para kohe. Nuk pati njeri e shkollarë që nuk pati dhembje për vdekjen para kohe të arsimtarit të tyre, Hamdi Arifi nga Zhegra e Gjilanit./tefik selimi/rajonipress/


