RCCOLA

Gjendje e rëndë ekonomike, Qeveria të vetëdijesohet

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjendja ekonomike në vend, vazhdon të jetë e rëndë dhe se Qeveria, nuk është e vetëdijshme për këtë. Trendet ekonomike konsiderohen të jenë në një ‘status quo’, me shenja përkeqësimi gjatë vitit të fundit. Ka zvogëlim të rritjes ekonomike, rënie të cilësisë dhe mundësi më të vogla për punësim. Kështu pohojnë njohës të çështjeve ekonomike, të cilët flasin për gjendjen ekonomike në vend dhe tendencat e kosovarëve, për të dal jashtë vendit, në kërkim të një jete më të mirë.

Muhamet Mustafa, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe njohës i çështjeve ekonomike, thotë se kjo është një situatë jashtëzakonisht e dhimbshme, pasi që njerëzit nuk po shohin perspektivë në këtë vend. Sipas tij, gjendja ekonomike vazhdon të jetë e rëndë dhe se Qeveria, nuk është e vetëdijshme për këtë.

“Jam i brengosur me faktin që Qeveria nuk është e vetëdijshme sa duhet për këtë gjendje. Nuk ka analiza pse bie rritja ekonomike, pse zvogëlohen investimet e jashtme, pse nuk hapen vende të punës. Hapi i parë për të ndryshuar një gjendje është të jesh i vetëdijshëm për atë gjendje. Hapi i dytë është që të bësh analizën se si duhet tejkalohet kjo gjendje. Këto nuk janë shumë në rend dite, të atyre që janë përgjegjës për këtë vend. Prandaj, apeli im, është që ata të vetëdijesohen dhe të kthehen në burim të problemeve. Sepse me politika të mira edhe Qeveria dhe Kuvendi dhe shoqëria ta kthejnë këtë trend në drejtimin pozitiv”, ka thënë Mustafa për Kosovapress.

Mustafa më tej thotë se ka rënie të optimizmit ekonomik, politik e social në Kosovë dhe se të rinjtë perspektiven e vetme po e shohin përmes migrimit.

“Nuk ka një perspektivë të qartë të njerëzve, se çka i pret në të ardhmen dhe se a do të hapen vende të reja të punës në të ardhmen, në kohën kur kemi një rënie të optimizmit ekonomik, politik dhe social në përgjithësi në Kosovë. Atëherë një rrjedhë logjike është që të rinjtë edhe të tjerët ta shohin perspektivën nëpërmjet migrimit. Fatkeqësisht, kjo është një situatë jashtëzakonisht e dhimbshme, me të cilën duhet të merremi, por duke u marr me problemet elementare. Problemet e mungesave të rritjes ekonomike, sundimi i ligjit, korrupsioni dhe pak vende pune. Kjo krijon një defetizëm te të rinjtë dhe populli i Kosovës, i cili duhet të ndalet. Për arsye se nëse kjo vazhdon, atëherë situata vetëm do të riciklohet, në një gjendje të keqe e me të keqe”, ka pohuar ai.

Mobi Casa

Ndërsa, Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane (OEA) thotë se Kosova ka një rritje ekonomike pozitive por të ngadaltë, e cila nuk mjafton për një zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të mirëqenies sociale dhe luftimin e varfërisë dhe papunësisë, që sipas statistikave, sillet diku rreth 45 për qind.

“Ajo çka duhet të ndodh, natyrisht është që të krijohen parakushtet e nevojshme për fuqizimin e sektorit privat. A po ndodh kjo, besoj se kish me qenë e tepërt nëse do të thonim po, për shkak se ndoshta veprimet konkrete, nuk janë ato që e mbështesin apo mundësojnë fuqizimin e sektorit privat në vend. Kemi shumë pak stimuj fiskal, për investime apo projekte të reja, të cilat në të njëjtën kohë, do të ndikonin dhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Dhe vetëm atëherë mund të flisnim për krijimin e vendeve të mjaftueshme të punës dhe t’i plotësonim nevojat e tregut të punës në Kosovë. Në të njëjtën kohë, do të mundësonim edhe zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë, përmirësimin e bilancit tregtar, që momentalisht është jashtëzakonisht jo në favor të gjendjes ekonomike në Kosovë”, ka thënë Zeka për Kosovapress.

Zeka, po ashtu, thekson se po të krahasohet me të kaluarën, gjendja është përmirësuar, por se po rritet pesimizmi tek qytetarët e vendit, të cilët nuk po shohin perspektive në këtë vend.

“Ndoshta nuk është një përkeqësim i situatës. Sepse nëse kthehemi në të kaluarën dhe bëjmë një krahasim, atëherë e shohim se gjendja në Kosovë dhe në aspektin ekonomik dhe social, ndoshta ka pasur një përmirësim të ndjeshëm. Por, ajo çka është ndoshta që i detyron këta qytetar, që të largohen është një rritje e pesimizmit dhe mos parja e një perspektive të qartë, lidhur me të ardhmen se çka i pret. Dhe natyrisht është në natyrën njerëzore, që çdokush të mundohet që të ketë një jetë me të mirë”, tha ai./Telegrafi/