Fundamenti

Faji kolektiv dhe dëmtimi i institucioneve të Kosovës

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Shala- Në një mënyrë apo tjetrën, për shkak të dështimeve të mëdha në sferën e sundimit të ligjit, ka ndodhë kriminalizimi i gjithë llojit të politikanëve të Kosovës.

Po vie koha kur do t’i zëmë peshqit e mëdhenj të korrupsionit në Kosovë. Të korruptuarit le të djersiten, sepse do t’i kapim shumë shpejt. Drejtësia do ta thotë fjalën e vet.

Pesë ministra të Qeverisë aktuale (fjala është për vitin 2009, pra, në kohën e Qeverisë PDK-LDK), dhe tre të Qeverisë së mëparme (të koalicionit LDK-AAK), janë nën hetime të EULEX-it.

Qeveria e Kosovës ka krijuar Task Forcën Speciale për luftimin e korrupsionit, së bashku me EULEX-in. Kjo Task forcë do të dëshmohet shumë shpejt me rezultatet e matshme në përballjen me këtë të keqe të madhe të politikës kosovare.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka krijuar Këshillin Anti-korrupsion, përmes të të cilit, Presidentja do të përpiqet të mundësojë një bashkërenditje më të mirë midis të gjitha institucioneve të Kosovës që kanë për detyrë të përballen me këtë sprovë të madhe të shoqërisë kosovare.

Një deputet i përbërjes aktuale të Kuvendit të Kosovës është i përzier drejtpërdrejt në vrasjen e Xhemail Mustafës, zyrtarit të shquar të LDK-së, në nëntorin e vitit 2000.

Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës janë hajna, sepse ata kanë marrë ulëset në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të dhjetorit të vitit 2010, të cilat janë manipuluar në mënyrë sistematike dhe masovike.

Një Ministër dhe një Kryetar i Komunës, është nën hetimet e Agjencës anti-korrupsion të Kosovës.

Është miratuar Strategjia e re anti-korrupsion nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Etj, Etj.

Është kjo një përmbledhje e shpejtë, gjithsesi, pa përfshirë edhe një mori deklaratash dhe prononcimesh të tjera që janë dëgjuar në Kosovë, që prej vjeshtës së vitit 2009 e këndej, prej EULEX-it, autoriteteve qendrore të Kosovës, Agjencisë anti-korrupsion, gjyqësisë kosovare. Viti 2008, i pari i pavarësisë së Kosovës, ende u veçua si një lloj i ‘Muajit të mjaltit’ për politikën kosovare, sepse të gjithë ne akoma ishin protagonistë të një arritjeje të madhe historike të Kosovës. Nuk na bënte gjë tjetër përshtypje në atë vit. Na merrte mendja që edhe ai grumbull problemesh të cilin shteti i sapolindur i Kosovës e kishte trashëguar nga deceniet e tëra të çrregullimesh të mëdha në këtë vend, do të tëfillohet dhe do të zgjidhet vetë prej veti.

Fundamenti

Vjeshta e vitit 2009 u shpall kështu, veçmas prej zërave më autoritativ të EULEX-it, si stina e luftimit të korrupsionit.

Në vitet pasuese, mbërritën edhe zotimet dhe deklaratat tashmë të përmendura, nga të gjitha anët e mundshme, të cilat me monotoninë e tyre aspak frytdhënëse, i kundërpërgjigjeshin njëtrajtshmërisë tjetër, sa i përket kësaj dukurie, asaj që vinte prj Brukselit dhe Washingtonit, dhe që na fliste, gjithsesi me një fjalor të matur, që nuk jemi askund në aplikimin e terapisë së duhur kundër kësaj sëmundjeje të rëndë që gërryen përbrenda institucionet e shtetit të Kosovës.

Krejt çfarë është bërë deri më sot nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në adresimin e kërcënimit të korrupsionit, përmblidhet, realisht, me një zotim që përsëritur dhjetëra herë që Ligji dhe drejtësia do të veprojnë, që të korruptuarit do të ndëshkohen, që Kosova do të dëshmojë që ka kapacitete, vullnet dhe organizim të duhur për ta prishur korrupsionin dhe për ta ndrequr pamjen për Kosovën, e cila është plotë vragë edhe për shkak të kësaj dukurie aq të rrezikshme.

Në anën tjetër, deklaratat e theksuar krejt në fillim të këtij shkrimi, kanë sjellë, si ‘dëm kolateral’ për politikën e sotme kosovare, një përshtypje të përgjithësuar, por gjithsesi mbizotëruese në opinionin kosovar, që të gjithë, ama të gjithë politikanët, ministrat, deputetët, zyrtarët e Kosovës, janë të korruptuar, janë kriminelë, janë të përfshirë në të gjitha të këqijat e mundshme, duke përfshirë, madje, edhe atë krimin kapital: vrasjen.

Loja me numra ku flitet për një deputet, disa ministra, shumë zyrtarë të tjerë, që janë nën hetime, pa përmendë gati kurrë emra dhe mbiemra konkret të atyre që qenkan cak i drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, bën që tek një qytetar i zakonshëm kosovar të krijohet përshtypja që të gjithë politikanët e Kosovës janë atypari, në atë Listën e atyre që kanë rënë në kundërshti me Ligjet e Kosovës, me mandatin e tyre zyrtar, me moralin e tyre – tek e mbrama.

Çfarë është arritur në këtë mënyrë, me apo pa qëllim nuk ka fare rëndësi (në këtë rast), është kriminalizimi i gjithë llojit të politikanëve të Republikës së Kosovës (diç e tillë nuk ka ndodhë në Epokën e UNMIK-ut në Kosovë), është shpallja e një dënimi kolektiv për të gjithë politikanët në Kosovë për të këqijat që kanë autorësi të qartë individuale dhe të organizuar, është kompromitimi i institucioneve të Kosovës si të tilla, është dëmtimi i palcës kurrizore të shtetit të Kosovës, sepse, në instancë të fundit, del që ne nuk jemi në gjendje, nuk jemi të aftë të mbajmë shtet, sepse jemi të këtillë: Të mbrapsht, të këqij.

Kemi arritë ta humbim besimin bazik që ta zëmë, legjitimiteti i politikanëve, i deputetëve, i institucioneve të Kosovës, është rrjedhojë e një procesi të rëndomtë zgjedhor, ku shprehet vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës.

Kemi vënë nën pikëpyetje, në këtë mënyrë, edhe aftësinë tonë për ta bërë demokracinë në Kosovë, sepse jemi të kësisojt: Të mbrapsht, të këqij.

Nuk ka shenja, sidoqoftë, që kemi nisë të marrim vesh, si politikë kosovare, çfarë na ka ndodhë viteve të fundit. Kinse e dimë se çka duhet bërë tash e tutje, edhe kur bëhet fjalë për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, pos tjerash sepse ja, e pamë se si ndodhin zgjedhjet në Amerikë, se si duhet ta godasim korrupsionin, si duhet ta bëjmë Sundimin e Ligjit prioritet të të gjithëve, etj.etj.

Por të gjitha këto, së paku në rrethanat e tanishme, janë vetëm llafe të kota. Të cilat qëmoti janë me afat të skaduar përdorimi.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)