Hidromorava

Liburn, a po punon najsen?

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Më shumë se dy vjet e gjysmë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, gjendja e infrastrukturës rrugore në Kosovë thuajse nuk ka ndryshuar fare për të mirë. Ankesat e premtimet boshe vazhdojnë, ashtu si dhe maltretimi i qindra mijëra kosovarëve – por jo edhe puna për t’i përfunduar këto projekte.

E pashë para pak ditësh një video nga qarkullimi në rrugën Klinë-Gjakovë. Rrugë në gjendje të mjerueshme, plot gropa, të cilat bëhen edhe më problematike tash në kohën e vjeshtës.

Në të njëjtën ditë lexova që Ministria e Infrastrukturës kishte marrë veprime të tjera që çojnë përpara ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, një projekt që është paraparë të kushtojë rreth 200 milionë euro. Nuk kam gjë kundër kësaj rruge, por kam problem me prioritetet e ministrisë.

Më shumë se dy vjet e gjysmë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, gjendja e infrastrukturës rrugore në Kosovë thuajse nuk ka ndryshuar fare për të mirë. Përveç rrugës Klinë-Gjakovë, vazhdojnë të mbeten të papërfunduara ato Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë dhe autostrada për Gjilan.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosja hidhte akuza të shumta për qeveritë, lidhur me projektet infrastrukturore të kohës, por tash në pushtet ka ngecur pa bërë hapa përpara në këtë fushë.

Në maj të këtij viti, ministri Liburn Aliu kishte thënë se punimet në rrugën për Mitrovicë do të vazhdonin në vjeshtë, përkatësisht në “shtator dhe fillim të tetorit”. Tash është fundi i nëntorit. Ai ua kishte lënë fajin shpronësimeve për vonesën e punimeve në rrugët që çojnë nga Prishtina në Mitrovicë, Podujevë, Gjilan e Pejë. Kishte treguar se në qeveri ishte paraparë buxhet prej 32 milionë eurosh për projektin Kijevë-Dollc. Që atëherë, asgjë nuk është punuar në këtë rrugë.

Nuk ka ankth më të madh për qytetarët që çdo ditë udhëtojnë drejt Prishtinës nga këto qytete. Ndërtimi i rrugëve ka mbetur në gjysmë ndër vite, ndërkohë që qeverisja aktuale s’po lëviz nga vendi.

RCCOLA

Megjithatë, në ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu nuk është se nuk po kryhet ndonjë punë. Ta zëmë, ditët e fundit zëvendësi i Aliut, Avni Zogiani, është larguar nga ai për t’u bërë zëvendës i Hekuran Muratit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Kurse Nexhat Krasniqi, i cili udhëhiqte Divizionin e Prokurimit në ministrinë e Aliut dhe i cili është përfshirë në “listën e zezë” amerikane, është pezulluar nga kjo detyrë dhe është emëruar përkohësisht drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri. Më 2015 ai ishte dënuar me 26 muaj burgim pasi ishte gjetur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Ndërkohë, pika më e ndritshme e qeverisë aktuale në fushën e infrastrukturës rrugore mbetet përurimi i urës në fshatin Saradran të Istogut vitin e kaluar dhe “inspektimet” e punimeve në asfaltimin e rrugës “Lugu i Drinit”. Në ceremoni, më 3 dhjetor të vitit të kaluar, morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati. Kurti i kishte uruar banorët dhe falënderuar për mikpritjen e përzemërt “në këtë rast të rëndësishëm për ta dhe për zhvillimin infrastrukturor për komunën e Istogut dhe komunën e Pejës”.

Në korrik të këtij viti, Kurti kishte mbajtur një tryezë diskutimi me pronarët e ndërtimit të rrugëve. Ai kishte thënë se institucionet janë në proces të korrigjimit të lëshimeve në projekte, rregullimin e çështjes së pronave dhe shtim të angazhimeve në projekte ekzistuese.

“Ne jemi një qeveri e cila dëshiron të marrë pak më shumë kohë në planifikim dhe përgatitje, në mënyrë që ekzekutimi të jetë i shpejtë. E jo pa përgatitje e planifikim, e me ekzekutime të tejzgjatura”, kishte deklaruar ai.

Por, kjo “pak më shumë kohë” po zgjat pafundësisht, ashtu si dhe premtimet për afate që shkilen disa herë. Kjo qasje të sjell ndërmend atë të Komunës së Prishtinës, në mandatin e parë të Shpend Ahmetit (kur Librun Aliu ishte drejtor i Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit). Atëherë fjalia më e përdorur dhe, njëkohësisht, arsyetimi më si shpeshtë për mospunë ishte “po skanohet gjendja”.

Qeveria Kurti po e “skanon gjendjen” tash 32 muaj në pushtet. Të paktën është mirë të pyeten ministrat a po punojnë diçka të hajrit. Liburn Aliu pak e hiç.