RCCOLA

Ekonomia Kurti: 100 ditët e Kurtit në pushtet pa ndonjë dobi për punëtorët e të papunët

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Sot Qeveria Kurti mbush njëqind ditë qeverisje, 47 prej të cilave i kaloi si qeveri në detyrë. Këto njëqind ditë ishin të mbushura me dramaticitet, gjuhë të urrejtjes e mos-durimit, polarizim të skajshëm të skenës politike, por me vendime të pakta. Por, duke qenë se problemi më i madh i Kosovës ishte ekonomia, cilat ishin veprimet e saj në këtë dikaster?

Qeveria Kurti ishte votuar në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt pas një procesi shumë të gjatë negociator. Ajo u quajt qeveri e ndryshimit, një ndryshimi radikal që do ta kishte parësor interesin e vendit dhe jo interesin e partive. Por, formimi i kësaj qeverie do të zgjaste plot 119 ditë – dhe jo për shkak të “harmonizimit të programeve” mes VV-së e LDK-së por për shkak të ndarjes së pozitave.

Pazari politik nuk ishte i vetmi që la shije të hidhur te votuesit e “ndryshimit” që e kishin parë tek ndodhte edhe më herët me partitë e kaluara. Në fakt, ata panë se Qeveria Kurti – ashtu si qeveritë e kaluara – nuk e kishte gati as Programin Qeveritar. Do të duhej që Qeveria të mblidhej në Prevallë në fund të shkurtit, e më pas më 6 mars të arrihej miratimi i tij.

Shkel e shko

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, mund të fliste më rrjedhshëm se sa kryeministrat e mëhershëm por një varg punësh i kreu njësoj si të tjerët, pa planifikim.

Mungesa e programit ishte vetëm një indikacion i vonshëm i asaj që kishte ndodhur gjatë fushatë zgjedhore.

Por kishte edhe indikacione të tjera.

Në fillim të fushatës (muaji gusht) Kurti i premtoi 600 milionë euro (150 milionë euro në vit) për Ushtrinë e Kosovës, por në fund të fushatës ‘i hëngri’ plot 200 milionë duke i premtuar vetëm 400. Që kandidati kryesor për kryeministër t’i harronte premtimet e tij, kjo mund të ndodhte vetëm në Kosovë.

Më pas, në ekspozenë e tij – pak para se të votohej si kryeministër – Kurti premtoi se buxheti në fund të mandatit katër vjeçar do të shkonte në 3 miliardë. Kjo përbënte ulje të ritmit të rritjes së buxhetit, i cili kishte qenë vetëm 815 milionë më 2008, shkoi në 1,5 më 2014 dhe pastaj në 2 miliardë në vitin 2017. Marrë parasysh se buxheti ishte rreth 2,4 miliardë në vitin e parë të saj, rritja nga Kurti pritej të ishte 23,33 për qind. Çdo qeveri e mëparshme kishte pasur rritje më të madhe të buxhetit – se sa vetë premtimi i bërë nga Kurti.

LDK-ja kishte premtuar buxhet 3 miliardësh qysh në vitin 2017 kur promovonte si kandidat për kryeministër, kandidatin e sotëm për kryeministër, Avdullah Hotin.

Një tjetër çështje e rëndësishme që prekte ekonominë e vendit ishte departizimi i ndërmarrjeve publike. Pushtetet e kaluara kishin emëruar si anëtarë e kryesues të bordeve njerëz të afërt, apo edhe anëtarë, të partive në pushtet. Madje, LDK-PDK dikur kishin pasur marrëveshje për ndarje 50-50 të tyre. Megjithatë, as kryeministri Kurti nuk ia doli që të mos emëronte njerëz partiakë në këto borde. Katër nga 27 personat e emëruar doli se ishin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kursimi ‘elektoral’

Fundamenti

Vetëvendosje si parti opozitare kishte kritikuar vazhdimisht shpenzimet e luksit nga qeveritë e mëparshme, e po ashtu edhe projektet e mëdha kapitale si autostradat. Kurti, të paktën për kaq pak kohë, i uli shpenzimet e tij dhe të kabinetit të tij – krahasuar me Qeverinë Haradinaj.

Qysh në dhjetë ditët e para, më 12 shkurt, Qeveria shfuqizoi vendimin e ish kryeministrit Haradinaj për rritje të pagave për vete. Nga 2950 euro sa mund ta kishte rrogën për vete, kryeministri vendosi që t’i merrte vetëm 684 (pasi së fundi dhuroi gjysmën e rrogës për menaxhimin e pandemisë.

Pandemia

Kur Qeveria Kurti veçse kishte marrë besimin për të qeverisur me vendin në fillim të shkurtit, koronavirusi tashmë kishte dalë përtej kufijve të Kinës.

Më 13 mars, Qeveria vendosi të mbyllte shumë biznese – si pjesë e masave për të luftuar koronavirusin e ri, Covid -19. Por, këto masa do të rezultonin shkatërruese për ekonominë e vendit, edhe ashtu e brishtë. Bizneset do të mbesnin pa të ardhura, ndërkohë që shumë punëtorë do të përjetonin makthin e zvogëlimit të rrogës apo edhe të humbjes së punës. Zvogëlimi i rrogës nuk mund të ishte më shumë se një akt simbolik, një luks i papërballueshëm për shoqërinë. Por, megjithëse Kurti në këmbim për atë vetë-zvogëlim page mund të merrte vota, punëtorët nuk do të merrnin asgjë.

Kundër-përgjigjja ekonomike e Qeverisë ndaj krizës nuk mund të ishte më jo-e-majtë. Pakoja Emergjente do të peshonte vetëm 170 milionë euro, dhe do të zbatohej tepër vonë, vetëm në fillim të muajit prill. Qeveria Kurti – që premtonte se do të ishte krah bizneseve të vogla e të mesme të vendit – nuk mund të ishte më larg tyre në këtë kohë krize.

Nuk pati asnjë evidentim serioz të dëmeve të shkaktuara në sektorin informal të ekonomisë. Qeveria as sot nuk ka vlerësime mbi dëmet që kanë pësuar bizneset dhe punëtorët e tyre.

E sidoqoftë, ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi nuk u duk i shqetësuar ashtu si homologët e tij nga vendet e tjera. Ai deklaroi se për shkak të detyrimit të Qeverisë ndaj punëdhënësve për t’iu dhënë kontrata pune punëtorëve për të marrë ndihmën prej 170 eurosh – ishte ulur përqindja e papunësisë për 6,6 për qind. Nga punëtorë pa kontratë, shumë njerëz u bënë punëtorë me kontratë. Por, kishte një problem.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për punëtorët nën-30 vjeçar dhe 170 për punëtorët mbi-30 vjeçar. Pra, kontratat mund të ishin diskriminuese dhe punëtorët mund të merrnin rrogë edhe më të vogël – në këmbim të një kontrate pune.

PSD e ‘shpërbleu’ ministrin Bislimi duke kërkuar që çmimi Nobel për Ekonomi të riemërohej në çmimi “BesnikBislimi” për Ekonomi.

Ani që qeveria Kurti shpërfilli – nëse jo dëmtoi – raportet e Kosovës me ShBA-të dhe çështjen e dialogut, ajo nuk u mor seriozisht as me ekonominë e vendit, dhe problemin e punësimit si problemi më i madh i vendit./GazetaExpress/