UBT

E premtojnë postën

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Pas problemeve që kompanitë në garë për PTK’në kanë shfaqur me financat, Qeveria e Kosovës i ka pranuar kushtet e tyre që Posta me asete të futet hipotekë. Përmes kësaj, kompanitë po shpresojnë për kredi në banka ndërkombëtare. Express nga bisedimet mes palëve, mëson se procesi në fund rrezikon të mbetet me vetëm dy kompani.

Krahas mocionit të opozitës në Kuvend që privatizimi i ndërmarrjeve publike të ndalet, as bisedat mes Qeverisë dhe kompanive në garë për PTK-në nuk po shkojnë kurrqysh.

Express, nga këto bisedime, mëson se Qeveria i ka pranuar kërkesat e kompanive në garë që Posta me asetet e paluajtshme të futet hipotekë, në mënyrë që kompanitë pastaj të marrin kredi në banka ndërkombëtare. Krejt kjo pasi kompanitë kanë shfaqur probleme serioze financiare dhe kredia po shihet si mundësia e vetme që procesi të mos dështojë.

Ndërkohë, me pakon tenderuese, Posta – duke përfshirë asetet e paluajtshme – është njësi e vetme e ndarë e ndërmarrjes që i mbetet në pronësi shtetit.

Sipas burimeve të Expressit, nga takimet mes Qeverisë dhe kompanive, kjo po del të jetë forma e vetme që ndërmarrja të privatizohet pas problemeve që kanë shfaqur kompanitë në garë rreth burimeve të financimit.

“Këshilltari i transaksionit, i angazhuar ne këtë proces, ka pranuar kërkesën e kompanive që Posta të futet në hipotekë. Por edhe në këtë version, procesi rrezikon të mbetet me vetëm dy kompani, për shkak të problemeve që kompanitë i kanë me financat”, thotë për “Express” një zyrtar i afërt me këto zhvillime.

Edhe zyrtarë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik më herët nuk e kanë mohuar se Posta mund të shërbejë si hipotekë për kompanitë në garë.

Veç financimit, merret vesh se procesi është komplikuar edhe më shumë pas problemeve që kanë shfaqur disa nga kompanitë në garë rreth financave.

“Procesi rrezikon që në fund të mbetet me dy kompani”, ka thënë ky zyrtar.

Uji Dea

Tani për tani, procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike është bllokuar edhe në Kuvend. Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes do të procedojë mocionin e opozitës dhe rezolutën e pozitës për procesin e privatizimit në Kosovës.

Edhe pse ishte nënshkruese e mocionit, AAK-ja do të propozojë harmonizim mes dy rezolutave me qëllim që të dilet me një qëndrim të përbashkët.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se ajo që do të votohet, do të respektohet.

“Ne edhe në seancën e fundit kemi kërkuar që të hidhet në votim dhe të përmbushet një kriter shumë demokratik, pra votimi. Së pari të qitet në votim mocioni i opozitës dhe pastaj rezoluta e pozitës dhe për cilën vendos seanca, ne e përkrahim dhe nuk e kemi atë shqetësim fare”, theksoi ai.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri tha se askush nuk është kundër privatizimit, por në këtë proces kërkohet transparencë dhe llogaridhënie.

“Në mocionin që është paraparë, është thënë që kjo të pezullohet për një kohë, por nuk dua që ta interpretoj tani mocionin, mocioni është i shumë i qartë. U tha se do të ketë harmonizim, për ne pikat janë shumë të qarta, dhe në asnjë variant askush nuk mund të thotë se LDK-ja është kundër privatizimit”, tha ai.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se nuk është mirë t’i thuhet jo privatizimit për shkak të ekonomisë së lirë të tregut, por procesi i privatizimit, sipas tij, duhet të jetë transparent. Ai tha se për AAK-në, asnjëra rezolutë që pritet të votohet të enjten nuk është e pranueshme plotësisht, prandaj do të duhej një harmonizim i tyre.

“Do të propozojmë që të ketë marrëveshje, do të propozojmë që të ketë harmonizim në mes të rezolutave, në mënyrë që të dalim me një rezolutë të përbashkët. Nëse nuk ka rezolutë të përbashkët, vendimin do ta marrin pasi të dimë se a kemi apo nuk kemi rezolutë të përbashkët”, tha ai.

Ndryshe, në bazë të pakos tenderuese, do të shiten 75 për qind e aksioneve të PTK’së, përkatësisht të dy njësive të biznesit Telekomi (telefonia fikse) dhe Vala (telefonia mobile). Ndërsa 25 për qind të aksioneve të PTK-së në pronësi të shtetit, do të mbesin më së paku në afatin 5-vjeçar, pas përmbylljes së transaksionit dhe do të monitorohen nga përfaqësuesit e shtetit në Bordin e PTK-së dhe të gjitha detajet për to do të rregullohen me marrëveshjen e shitblerjes.