Qeveria dorëzohet për paratë e komunave, miraton projektligj për t’ua kthyer ato

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Qeveria e Kosovës ka plotësuar dhe ndryshuar agjendën legjislative, duke shtuar tri projektligje të sponosrizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Një prej projektligje që është shtuar është edhe ai për për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, që i hap rrugë zhbllokimit të mjeteve vetanake të komunave, që kapin vlerën e 37.5 milionë eurove, raporton Express.

“Ju ftoj që të plotësojmë dhe ndryshojmë agjendën tonë legjislative me shtimin e tri projektligjeve të sponsorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve: I pari është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar. E dyta është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe e treta është Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale”, tha kryeministri Kurti.

Ky propozim u miratua pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

“Kundër nuk ka, abstenim s’ka, miratohet”, deklaroi Kurti.

Ndryshe, Ascociacioni i Komunave i është drejtuar me kërkesë urgjente Qeverisë dhe Kuvendit më 16 mars për zhbllokimin e mjeteve vetanake të pazhpenzuara të komunave nga vitet paraprake.

Uji Dea

Gazeta Express e ka siguruar këtë kërkesë, përmes së cilës është kërkuar që urgjentisht të ndryshohet Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023.

Në kërkesë thuhet se komunat s’po arrijnë që t’i shpenzojnë rreth 37.5 milionë euro si pasojë e mos plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji.

Nëse kjo kërkesë s’zbatohet, komunat kanë paralajmëruar se me qindra projekte nëpër Komuna e të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe nuk do të zbatohen edhe do të mbesin peng.

“Si pasojë e mos plotësimit dhe ndryshimit të nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, Komunat e Kosovës, nuk po arrijnë që t’i shpenzojë rreth 37.5 milion euro, të cilat duhet të jenë në funksion të realizimit te projekteve zhvillimore në interes të qytetarëve të Komunave.

Edhe njëherë, jemi të obliguar t’ju njoftojmë se nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të sipër theksuar, atëherë me qindra projekte nëpër Komuna e të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe nuk do të zbatohen edhe do të mbesin peng”, thuhet në kërkesë.