Uji Dea

E admiruara Leonorë!

/ 15 minuta lexim
RCCOLA

E themi me plot vetëbesim se, tashmë nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar për këngëtaren emblematike Leonora Jakupi, e cila është në kulmin e karrierës, duke dëshmuar se arti i saj ka lënë gjurmë të thella nëpër vite të stuhishme artistike. Ajo sivjet shënon 20-vjetorin e daljes për herë të parë në skenë, prej nga zëri dhe bukuria e saj morën dhenë.

Intervistoi: Shaqir Foniqi

Ndonëse Leonora, si zakonisht është shumë e angazhuar, ajo nuk hezitoi t’i përgjigjet ftesës sonë për këtë intervistë, cila në këtë ndërrim motesh mund të merret edhe si një mesazh artistik dhe fisnik.

Sikurse thamë në krye të shkrimit, shumëçka për ju, vetiu vjen pyetja fillestare, kush është në të vërtetë Leonora Jakupi?
Kam lindur në spitalin e Mitrovicës dhe isha fëmija, gëzimi i parë, në familje. Kam dëgjuar se kisha lindur e shëndetshme, diku rreth pesë kg. E di që më ka sjellë dallëndyshja dhe më ka lënë në një kopsht me dredhëza, ndoshta për këtë i dua shumë dredhëzat, por edhe kohën e tyre…
Si fëmija i parë në familje, kam qenë shumë e privilegjuar dhe e përkëdhelur, veçanërisht kam qenë e lidhur shumë ngushtë me babanë. Madje, deri vonë, në moshë të pjekur, kam qenë gati e pandashme nga ai në të gjitha takimet zyrtare që babi im i ka pasur në atë kohë. E kam pasur shumë të vështirë kur ka lindur vëllai pas tre vjetësh dhe jam frikësuar se do të ndihem e anashkaluar, kështu që e kisha goxha të vështirë për ta pranuar fëmijën e dytë në familje, sepse më dukej se (punë fëmijësh) vëmendja e prindërve nga unë do të kalonte tek vëllai, aq më parë që ia ishte djalë.
Mirëpo, më vonë, e kuptova dashurinë për vëllanë me të cilin u bëra e pandashme.
Pas gjashtë vjetësh, u lind motra ime, Blerta, me të cilën kam qenë më shumë e lidhur, ndoshta pse kam qenë më e madhja, dhe kjo, natyrisht më ka detyruar që të kujdesesha për të, sepse që të dy prindërit punonin.
Prej moshës tetëvjeçare, angazhohesha t’u ndihmoja mamit dhe babit në punët e shtëpisë dhe kjo ka qenë një përvojë e mirë për mua, e cila më shërben edhe tash e tutje.

Ju konsideroheni si një femër-model që del nga një mjedis paksa patriarkal nga i cili, megjithatë kanë dalë shumë figura të shquara: artistë, këngëtarë, dëshmorë e heronj. A keni pasur vështirësi për t’i thyer paragjykimet eventuale të atij mjedisi?
Sinqerisht, jam krenare me vendlindjen, familjen time, miqtë, rrethin dhe me ambientin ku jam rritur dhe shkolluar. Në atë kohë, në Drenicë, ka funksionuar ansambli, “Zëri i Drenicës” që ishte një zë, do të thosha i lirisë. Pavarësisht se në aktivitetet shkollore kam qenë mjaft aktive, si në kor, në grupin e recituesve, të piktorëve, atëbotë, po ashtu, gjeja kohë që të isha anëtare e zellshme e këtij Ansambli, prej të cilit ka dalë edhe këngëtari ynë i njohur, Ilir Shaqiri. Nuk kam hasur në ndonjë barrierë, sepse në atë Ansambël ka pasur edhe femra të tjera para meje. Më kujtohet hera e parë kur kam shkuar në atë kolektiv artistik, nuk dëgjoja muzikë folklorike. Më kujtohet një fjalë e Iliri Shaqirit kur më pati thënë, se isha ende e vogël dhe se duhej të rritesha edhe pak për të filluar me këngën. Dhe, në fakt, këtë nuk e mora si një zhgënjim, por si një këshillë dhe një vetëbesim për një angazhim sa më të madh. Megjithatë, e pyesja veten, pse nuk mund të filloja atëherë meqë isha në korin e shkollës, prandaj në koshiencën time ruaja njëfarë mosbesimi dhe në një çast, sikur më vinte ta braktisja këngën përgjithmonë. Falë përkushtimit të mamit tim, unë jo që nuk hoqa dorë nga kënga, por asaj iu përkushtova pambarimisht. Kam pasur një fat të bardhë dhe që prej atëherë nuk jam ndalur, edhe pse kam përballuar shumë dallgë.

Keni vazhduar bindshëm, vrullshëm, sigurt…dhe, përjashto ndonjë zë disonant, askush nuk mund të thotë më se Leonora nuk është këngëtare, artiste, e bukur dhe miqësore.
Në kohën, kur kam qenë e re, nuk e kam ditur se sa i vështirë do të ishte rrugëtimi im për t’u bërë këngëtare. E kam adhuruar muzikën dhe këngëtarët tanë të mëdhenj. Kur kam ardhur në Prishtinë, jeta ime ka marrë tjetër pamje dhe tjetër kuptim. Që të jem e sinqertë, kisha edhe pak zhgënjim. Nuk i kam gjetur tek shumë njerëz të gjitha tiparet që, sipas meje, e karakterizojnë mjedisin prej nga vija. Megjithatë, sikur kalova sfidat dhe fillova realizimin e ëndrrave të mia. Kësisoj, sakaq, krijova dy këngët e mia të para, të cilat, me gjithë faktin se kishte pak medie të shkruara dhe ndonjë produksion të rrallë privat, ato nuk u zhytën në pellgun e heshtjes.

Ambienti ku keni lindur dhe jeni rritur, deri diku ju ka brumosur me trimëri, legjenda, balada, tregime… Kënga ‘A vritet pafajësia’, është një lament, testament. Por, ju në shpirt nuk dukeni kështu. Nëse mund të them, ua falni njerëzve mëkatet, se nuk doni të keqen ta mbani në zemër.
Nuk di të mbaj mëri, sepse përherë kam pasur raporte të mira me miqtë e vërtetë dhe këto raporte i ruaj tash e sa vjet. Ka çaste kur zhgënjehem, por nuk zhgënjehem lehtë. Nuk i honeps raportet e njerëzve të cilët sot flasin mirë dhe sapo ta kthejnë shpinën, nuk lënë gjë pa thënë. Madje, kur është fjala për këtë temë, sikur më bëhet të klith: “A do ta përjetoj vallë në këtë jetë që t’i takoj dy veta duke mos u marrë më intriga për njeriun e tretë”.Vazhdimisht jeni aktive në skenë dhe nëpër festivale, por edhe në realizimin e këngëve premierë. Në këtë treg të mbipopulluar, në momente meditimi, çfarë mendon se të mban në skenë dhe je ndër më të mirat?
Së pari, faleminderit që më konsideroni ndër më të mirat. Megjithatë, në fakt, ka raste kur edhe zhgënjehem, për një arsye ose një tjetër. Fatmirësisht, motivimi më i madh për një këngëtare janë publiku dhe adhuruesit, të cilët e mbajnë gjallë shpirtin e çdo krijuesi. Unë, nuk mundem pa ata, sikurse ata nuk munden pa mua, athua…?

Jeni ithtare e inkorporimit të folklorit në këngët tuaja që tingëllon si një qershi mbi tortën e bukur e të stolisur që quhet këngë. Është kështu?
Ndonëse muzika ka avancuar dhe ka shënuar trend ngritjeje, kurse shijet kanë pësuar transformime të mëdha (për shije as që mund të diskutohet), prapëseprapë, mendoj se, duhet të ruhet baza e folklorit tonë, sepse ai u ka qëndruar viteve dhe stuhive të mëdha. Unë jam për të marrë nga folklori, por vetëm atëherë kur është në të mirë të këngës. Dua të them, jo me çdo kusht, jo vetëm sa për sy e faqe.

Ku i realizoni spotet tuaja?
Në fillim në Tiranë, pastaj në Shkup, edhe në Stamboll. Ajo që dua të them është se vazhdimisht jam munduar ta krijoj stilin tim, dukjen time dhe autoritetin tim. Unë konsideroj se jam adhuruese e të gjitha moshave, prandaj kujdesem që t’i kënaq të gjitha shtresat e dëgjuesve. Nuk jam vulgare në veshje, as në dukje. Kam dëshirë të mbetem ashtu sikurse jam, pra sikurse më njeh opinioni që nga kënga e parë e deri më tashti. Skena e kërkon elegancën, sepse të dukesh bukur në skenë është edhe respekt ndaj vetvetes dhe ndaj atyre që kanë ardhur për të dëgjuar, por jam kundër ekzagjerimeve të panevojshme dhe të theksuara ndjeshëm.

Në klipet e tua, veshjet ia lë në dorë gjithnjë stilistit apo ndërhyn edhe ti vetë në to?
Unë kam tash sa vite që kam stilistin tim që merret me veshjet dhe pamjen time nëpër klipe, por sigurisht që ndërhyj edhe unë aty ku e shoh të arsyeshme. I kam thënë të qëndrojë në kornizat e mia, por nëse ndodh t’ i shpëtojë diçka, atëherë jam unë aty për çdo gjë.
E thashë, nuk dua t’i lë asgjë rastësisë.

Sa është në gjendje të tregojë veshja për karakterin, temperamentin e dikujt?
Gjithmonë e kam besuar këtë. Mendoj se tregon shumë, megjithëse nuk vlen të paragjykohet, pasi varet edhe nga mundësitë financiare. Mund të jetë dikush që nuk merr vesh fare nga moda, kombinimet, por ka paratë dhe futet në një super dyqan ku gjen gjithçka e u thotë atyre të butikut: “Më vishni”. Megjithatë, duhet thënë se në njëfarë mënyre, veshja tregon shumë për dikë, por ky nuk është detaji i vetëm që shoh te dikush

Cilat janë disa nga besimet që ta ngrenë vlerën në skenë?
Unë mendoj se secili këngëtar i ka sekretet dhe trillet e veta (siç i ka vetë jeta) në skenë. Ndoshta fakti që unë vazhdoj të jem akoma, tregon që diçka ka pasur këtu. Mendoj se ai që ka pasur vërtet rol të rëndësishëm në gjithë këtë, ka qenë pasioni im i madh. Unë jam përpjekur gjithmonë të jem e kujdesshme në gjithçka që kam bërë. Kam qenë në koncerte të vazhdueshme, por asnjëherë nuk kam dalë vend e pa vend. Jam munduar të mbetem vetja ime dhe kjo e ka arritur efektin e vet, perfekt.

A u besoni gjithmonë intuitës, zërit dhe ndërgjegjes suaj?
Absolutisht po, gjithmonë. Janë ato që më udhëheqin në jetë dhe fatmirësisht, deri më tani, nuk më kanë zhgënjyer asnjëherë.

A është Leonora e veshur me petkun politik?
Gjithmonë kam menduar se artistit nuk i rri mirë politika. Por, sikur kam filluar ta ndryshoj mendimin, dhe mos u çudisni nëse një ditë më shihni në politikë për të kontribuuar në konsolidimin dhe avancimin e rrjedhave tona kulturore. Tekefundit, edhe politika është një lloj estrade, për të mos thënë më shumë se estradë, një fashion “shou”.

Mobi Casa

Mirëpo, politika nuk është edhe barrë aq e lehtë për t’u përballuar?
E di, jam e vetëdijshme për këtë. Por unë kam kaluar shumë sfida dhe nuk i frikësohem përgjegjësisë, e as punës. Madje, sikur kam dëshirë të ballafaqohem me sfida, sikur kam një shpirt luftarak, sikur kam një energji të tepërt, ose të shprehem pak më ndryshme, mua sikur nuk më pëlqejnë gjërat e lehta…

Do të kishe dashur ta përdorje ndryshe emrin tënd si artiste apo je e kënaqur kështu?
Jam e kënaqur edhe kështu, dhe nëse ka diçka që më ka mbetur peng, ajo është piktura. Edhe pse shumë miq konsiderojnë se kam talent edhe për aktrim, unë prapë mbetem tek konstatimi im se pas këngës, piktura do të ishte vokacioni im, pa mbarim.

Sa mendoni se është i brishtë kufiri mes simpatisë dhe antipatisë në publik?
Janë dy gjëra që varen në fije të perit. Ndonjëherë, mjafton diçka fare e vogël apo e parëndësishme në dukje që të hedhë poshtë punën e një jete të tërë duke përmbysur kështu edhe imazhin e ndërtuar. Unë, jo më kot, thashë që jam përpjekur të jem gjithnjë e kujdesshme në gjithçka që kam bërë, deri edhe në të folurën, të ecurën apo qëndrimin në tavolinë, gjëra që sigurisht të privojnë deri diku lirinë, por të ruajnë nga devijime të panevojshme. Unë, në jetën time, nuk jam prirë ndonjëherë nga skandalet dhe gjithë sa kam arritur në jetë, e kam falë mundit dhe punës së bërë.Në shikim të parë dukeni e qetë, madje do të thoshim se keni nerva prej qumështi. A ndodh që të reagoni në çast dhe të dilni nga vetja juaj?
Në fakt, vështirë e kam të nervozohem keq. Madje, vetëm tani po e mendoj nëse arrij ndonjëherë të nervozohem aq sa të mos dua të më dalë dikush përpara. Nuk shkoj kurrë deri aty. Edhe kur ndodh të mërzitem për diçka pasi gjëra që na bëjnë të mërzitemi, sigurisht që ka, më pëlqen të komunikoj me dikë dhe në raste të tilla gjithmonë më gjendet mami, e kam gjithmonë aty.

Zakonisht, pret për momentin e përshtatshëm apo e krijon vetë atë?
Ndonjëherë edhe e pres e herë të tjera përpiqem ta krijoj. Edhe pritja ndonjëherë është kënaqësi.

Çfarë kërkon nga e kaluara, për çfarë i je mirënjohëse së tashmes dhe çfarë pret nga e ardhmja?
E kaluara për mua ka shumë rëndësi se aty i kam bazat e pastaj kujtimi për babanë, sidomos kujtimi për babanë … Nga e tashmja më bën të lumtur fakti që kam një familje me të cilën mburrem, për punët e mia që kanë ecur gjithnjë në rrugë të drejtë. Në të ardhmen, sigurisht që kam shumë dëshira e plane që po punoj për t’i realizuar, por natyrisht që surprizat janë të mirëseardhura.

Dhe këto surpriza përfshijnë edhe ndonjë partner?
Ndoshta edhe mashkull, ku i dihet?

Duket se zemra juaj ende po e pret çelësin magjik dhe ai çelës nuk është gjendur akoma. A jua ka dridhur dikush ende telat e zemrës?
Hahaha, zemrën e kam të kurdisur, nuk ka çelës që e çel aq lehtë. Nuk jam femër që dorëzohem shpejt…

Si duhet të duket “pronari i çelësit”?
Duhet të jetë i mençur, duhet të dijë të flasë edhe të heshtë. Por, edhe aty ku harxhohet biseda, humbet emocioni…

Është kaq e vështirë të kesh dikë në krah sot?
Derisa jam vetëm, do të thotë që edhe e lehtë nuk është. Vendimi për një lidhje serioze ose për martesë është më i rëndësishmi në jetë, por unë kam pasur gjëra të tjera prioritet dhe ndoshta e kam anashkaluar. Sidoqoftë, është e vështirë, për më tepër për dikë në profesionin tim.

Çfarë do të doje të mishëronte partneri yt?
Do të doja një mashkull që di ta ndajë jetën private nga ajo personale, që është plot mirëkuptim, që ka një karakter stabil. Nuk më intereson nëse i ka sytë të kaltër apo të zinj. Më mjafton të ketë një karakter të formuar që përshtatet me karakterin tim.

T’i kthehemi edhe një herë dashurisë, së munguar. A thua vallë, djelmoshat nuk kanë sy dhe vesh…?
Hahaha, ndoshta është ashtu, ndoshta nuk është, ku e di…. është mirë t’i pyesni ata. Por një gjë e di: më duket se ata te unë shohin dy Leonora; Leonorën “mendjemadhe të skenës”, por nuk e shohin, Leonorën e vërtetë jashtë skenës, d.m.th., të thjeshtë, të urtë dhe të butë.

A ekziston ndonjë njeri specifik, të cilin e kërkon zemra e Leonorës?
Jam në kërkim të asaj që unë e dua dhe asaj që më mbush shpirtërisht… Dhe s`mjafton vetëm një zemër apo një dëshirë për t`u ndjerë e plotësuar. Në dashuri, mjaftojnë përkushtimi, nevoja për të biseduar, për qarë hallet e përditshme apo për ato gjëra që kanë lidhje me jetën profesionale, mirëkuptimi dhe respektimi i lirisë së secilit, dëshira për suksesin dhe karrierën. Mjaftojnë këto që një njeri zemra të ta kërkojë.

Mendoj se ka një moment në jetën e çdokujt që ai mezi e ka pritur … Ti, çfarë je duke pritur tani?
Tani për tani, jam mirë këtu ku jam, me projektet që kam në mendje dhe zemër… /Telegrafi/

Foto: Arton Humolli