KKVITI

Drejtësia, djep i krimit

/ 9 minuta lexim
KKVITI

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët shprehin shqetësimin e tyre të madh për faktin që një nga kriteret më të rëndësishme të përafrimit të Kosovës me BE-në, e që është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, po vazhdon të jetë detyrë e parealizuar.

“Pothuajse çdo prokuror dhe çdo gjyqtar punon për këta bosë të politikës dhe se nuk ka shans të punësohesh si profesionist pa aminin e politikës në gjykata, as në prokurori, e madje as edhe rojtar i institucioneve, nëse nuk je pjesë e klaneve parapolitike dhe mafioze të Kosovës”, thekson për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët shprehin shqetësimin e tyre të madh për faktin që një nga kriteret më të rëndësishme të përafrimit të Kosovës me BE-në, e që është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, po vazhdon të jetë detyrë e parealizuar.

Duke parë mungesën e vullnetit të institucioneve të shtetit që të merren seriozisht me fuqizimin e sundimit të ligjit, njohësit e kësaj fushe shohin rrezikun e mbetjes afatgjatë të Kosovës si vendi i krimit, prandaj ka rrezik që krimi e korrupsioni dhe trafikimi i drejtësisë, do ta lërë Kosovën për një kohë shumë të gjatë si vrimën më të zezë të Ballkanit. Kjo për faktin se për aq sa shihet në jetën e përditshme, sipas analistëve, Kosova është bërë realisht një shtet ku i ashtuquajturi i instaluari “sistem i drejtësisë”, amniston nga përballja me drejtësinë të gjithë pushtetarët e inkriminuar, krimin e organizuar, korrupsionin dhe mafinë politike e nëntokën kriminale që po bashkësundojnë Kosovën e nëpërkëmbur.

Burjani: Pushtetarët e korruptuar e kanë paralizuar shtetin

Sipas profesorit të së drejtës, Blerim Burjani, në përgjithësi Ballkani ka probleme të theksuara me rendin dhe ligjin, për arsye të një tranzicioni dhe instalimit të pushtetit mbi qytetarët, nga partitë politike të varfra, një realitet që po e mbijeton tani edhe Kosova.”Kryesisht Ballkani po vuan me probleme të funksionimit të gjyqësisë së pavarur apo paralizimit të ndjekjes penale, pra të prokurorisë. Këto probleme shfaqen si rezultat i tentativës për pasurim dhe ndarje të klasave ekonomike, të gjithë e dinë, edhe shtetet perëndimore, se nuk ka kapitalizëm pa kapital privat, e ky kapital privat vështirë bëhet në vendet që kanë kaluar komunizmin si sistem. Ideja është se diqysh këto klasa duhet të bëhen. Përndryshe s’ka ekonomi tregu, tjetër çështje është se si bëhen këto klasa, në pushtet politik kanë mbërri njerëz të varfër dhe kjo klasë po lufton vetëm për vete, për të bërë para e miliona, për të arritur në një klasë të lartë ekonomike. Pra, të varfrit janë në pushtet, njerëzit e papunë dhe jo mirë të edukuar. Prandaj, jemi kështu në këtë situatë ku jemi, sepse pikërisht kjo klasë e varfër ka paralizuar shtetin dhe organet e drejtësisë për qëllime të pasurimit dhe arritjes të një klase me standard të lartë ekonomik”, është shprehur analisti Burjani për gazetën “Kosova Sot”. Ai shton se nuk është e rastit as lidhja e njerëzve që thuhet se merren me politikë pa ditur gjë, por për pasurim dinë mjaft. “Partitë politike, përkatësisht disa njerëz, kanë arritur të jenë pronarë të kompanive të sigurimeve apo kompanive ndërtimore, ose kanë pasuri që qëndrojnë në emër të personavetë tjerë. Kuptohet se një ditë këto duhet të zbardhen, kur prokuroria dhe gjyqësia të jetë e pavarur”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.

Miftari: Mafiozët kanë kapur shtetin dhe po e trajtojnë si pronën e tyre private

RCCOLA

Se Kosova po i përshtatet lehtësisht traditës së vendeve të korruptuara në Ballkan, ku lehtësisht lulëzojnë krimi e korrupsioni, e pohon edhe eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari. “Tradicionalisht dhe historikisht dihet që në përgjithësi Ballkani është trevë ku mbizotëron krimi i organizuar, që bazën kryesore dhe fuqinë e ka në politikë, por derisa shtetet e tjera janë shtete të vjetra, me traditë ndoshta edhe shekullore, Kosova është shtet i ri, i cili nuk i ka akoma as 20 vjet kur ka dalë si realitet i ri, si shoqëri e shkatërruar nga një luftë e ndyrë, e imponuar nga barbarët serbë.”Prandaj, tani për ta zë hapin me shtetet e tjera si vend i ri, si shtet që pretendon anëtarësim në BE dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, deri tek anëtarësimi në OKB, Kosova nuk e ka luksin e shteteve tjera që të tolerojë se një refleksion negativ në sundimin e ligjit, derisa akoma nuk ka as karrige në BE e është larg anëtarësimit në BE, por edhe në OKB. Pra, në vend se të jemi shembull si shtet i ri demokratik, i ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare në aspektin e ligjit dhe sigurisë, ne sot jemi shembulli më negativ se si disa mafiozë që gjatë luftës dhe sidomos menjëherë pas luftës janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, sot kanë kapur shtetin dhe po e trajtojnë shtetin si pronë e tyre private, kurse ne qytetarëve na llogaritin si skllevër të shekullit 21, ose njerëz të nivelit tepër të ulët”, theksoi Miftari për “Kosova Sot”. Sipas Miftarit, të njëjtit individë sot i kanë kapur ligjin dhe organet e sigurisë dhe i përdorin për teket e veta dhe çdo njëri që është lidhur me këta “baronë” politikë e mafiozë janë të paprekshëm nga ligji. “Pra, është kështu pasi pothuajse çdo prokuror dhe çdo gjyqtar punon për këta bosë të politikës dhe se nuk ka shans të punësohesh si profesionist i pandikuar nga politika, as në gjykata, as në prokurori, e madje as edhe rojtar i institucioneve, nëse nuk je pjesë e klaneve para politike dhe mafioze të Kosovës”, theksoi Miftari. Sipas Miftarit, kjo gjendje do të vazhdojë përjetësisht nëse populli ynë nuk vetëdijesohet, derisa nuk kthjellet e nuk e rrëzon përtokë këtë klasë mafioze politike, e cila kurrë nuk do të bjerë nga skena politike vetvetiu, nëse nuk detyrohet nga ndonjë VETTING ose nga revolta e vendosur qytetare, e cila nuk do të lëshonte pe përderisa nuk menjanohet mafia nga politika dhe nga qeverisja lokale dhe ajo qendrore.

AHMETI: BASHKËJETESA E POLITIKËS ME DREJTËSINË E INSTRUMENTALIZUAR

Sipas njohësit të fushës së drejtësisë, analistit Hidajet Ahmeti, bashkëjetesa e politikës me drejtësinë e instrumentalizuar në oazën e krimit e korrupsionit ka ngulfatur jetën ekonomike, politike e sociale, prandaj Kosova po lëvizur rrezikshëm edhe drejt izolimit ndërkombëtar.”Gjykoj se kemi ardhur në një pikë ku edhe raportet ndërkombëtare e paraqesin Kosovën në rrezik potencial për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës. Pikërisht nga ky mjerim socioekonomik, i cili ka ardhur si shkak i drejtësisë së instrumetalizuar, qytetarët e Kosovës kanë humbur shpresën dhe besimin në institucionet publike e posaçërisht në elitat politike që kanë udhëhequr që nga paslufta. Duhet të çlirohet drejtësia nga politika dhe më këtë çlirim të domosdoshëm dhe ndryshimet substanciale në sistemin e drejtësisë, të cilat duhet të jenë në harmoni me nevojat dhe kërkesat qytetare, ngadalë mund të kthehet besimi i humbur qytetar. Parakushteve për ndryshime të tilla substanciale duhet t’u prijë vullneti politik, guximi, dija, por edhe presioni ndërkombëtar, i cili është i domosdoshëm”, u shpreh analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

KELMENDI: DREJTËSIA PO E MBRON KRIMIN

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thekson për gazetën “Kosova Sot” se në sistemin e drejtësisë kredibiliteti ka rënë në pikën më të ulët, pasi që të gjitha institucionet e sundimit të ligjit nuk po reagojnë ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi dhe nuk po marrin masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar, ose thënë më qartë të ndikuar dhe të kapur nga oligarkët e politikës dhe mafio-oligarkisë së inkriminuar.”Prandaj derisa vazhdohet kështu, Kosova do të jetë jo vetëm vrimë e zezë në Ballkan, por vendi dhe djepi i krimit të organizuar në mes të Evropës.”Po e them këtë, sepse fatkeqësisht të gjitha zhvillimet sa i takon fushës së rendit e ligjit po dalin të jenë negative. Nuk ka institucion që lidhet me zbatimin e ligjit që nuk po na del i kapur nga politika dhe i infiltruar në krim e korrupsion të formave të ndryshme, nga më të lehtat e deri tek ato më serioze. Drejtësia po e mbron krimin, kurse qytetarët mbeten të zhgënjyer në përpjekjet për realizimin e të drejtave të tyre në këtë sistem. Jemi dëshmitarë të pakënaqësive të përditshme, ku njerëzit janë mërzitur nga vonesat e gjata dhe padrejtësitë e përditshme që ju bëhen atyre nga ana e gjykatave dhe prokurorive, që në fakt kurrë nuk prodhojnë drejtësi, por vetëm zvarrisin proceset deri në infinit, për shumë e shumë vite, edhe deri në 8 vite. Pritjet e qytetarëve nuk përfundojnë kurrë për shkak të mosveprimit të drejtësisë së interferuar dhe të ndikuar nga oligarkia politike dhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista e kriminale, nga rrjetet e mafisë dhe krimit të organizuar”, theksoi analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)