FIDANISHTJA

Diskursi poetik i sprovës

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Mehmetali Rexhepi – (Hysen Këqiku “Në prehër të idilës”, “Kurora” – Gjilan, 2013. Nënvizime të jetëshkrimit. Hysen Këqiku “zejen” e shkrimit poetik e filloi që nga vitet e gjashtëdhjeta të shekullit njëzet dhe, vijoi e hyri në dekadën e dytë të këtij shekulli aktual.

Jetës tij i buzëqeshi fati i vazhdimësisë.Shkroi vjersha për të rritur e fëmijë.

“Në prehër të idilës” është vëllimi i gjashtë i tij me poezi.

Këqiku, po ashtu, kultivoi shkrimin në të gjitha gjinitë letrare: në dramë, shtatë vëllime librash të llojit monografi, përmbledhje panoramash letrare, si autor dhe me bashkautor.

Njëri nga vëllimet me poezi “Melodia e pritjes”, iu përkthye në gjuhën rumune nga Baki Ymeri, në Bukuresht, më 2009.

Jashtë fushëveprimit letrar, Hysen Këqiku ishte arsimtar i devotshëm, veprimtar i përkushtuar për humanitet dhe kulturë.

Qëmtimi i angështisë

Në vëllimin poetik të tashmin “Në prehër të idilës”, lënda poetike shtrihet brenda katër ciklesh, prirë nga kryefjala angështirë për secilin cikël: Angështirë, Angështirë e molepsur, Angështirë e nakatosur dhe Angështirë e përdalë. Angështia, e shqiptuar aq dendur, ngërthen strumbullarin e të gjitha fijeve, reflekseve poetike, rreth së cilës mbështillet diskursi artistik e ideor; diskursi i depërtimit të sprovës, gamës së gjerë të motiveve, ndjeshmërisë së kapërcimit ndeshtrashave të intelektit të njeriut, përkatësisht të autorit.

Në këtë vargim intelekti i jep kahen ndjenjës.

Konstatimi, se vëllimi “Në prehër të idilës” ka një titullim prozaik, është i qëndrueshëm. Por të shohim: a përtrollitet ky konstatim nga brendia? Më tej brendia e shpërfillë konstatimin. Ngase mëtimi për gjetje, brenda përvojës asimiluese vetjake, përmbajtje figurash artistike, qëmtimesh të cilat shmangin stereotipat e klishetë, jo çdo herë pa druajtje për përsëritje të ndonjë shqiptimi ose trajte që shpie në diskursin eseistik.

Diskursin e vargimit në librin e Hysen Këqikut, e spikatin qëmtimet për një fjalor vetjak, me bashkë dyzime semantike, kur figurat shpalojnë e ndonjëherë nuk shpalojnë pamje, sepse teksti e nën teksti më tepër i mundësojnë hapësirë ose fushë-shtrirje diskursit kuptimor, trajtave të mendimit lakoreve të jetës, thellësive të mendjes, se sa shfrimit dhe vrullit të ndjenjës: “Nën hirin e zjarrit flaka kahmot është përgjumur”.

Mençuria poetike e Këqikut artikulohet mbi konceptin e depërtimit të angështisë. Vajtje-ardhjet e rrezeve, mandej dalja tej shtegut të angështisë, shqiptoi porosinë e ngadhënjimit të sprovës. Si shfaqet mëdyshja e ngadhënjimit ose e mos ngadhënjimit të një sprove? Sipas poetit e hidhura pasoi vetëm: “Atëherë kur fjala mori tatëpjetën”.

Ndeshtrasha ekzistenciale, dilemat mes tragjikes dhe të së madhërishmes, reflektojnë këndvështrime tematike dhe motive poetike të gamës së gjerë. Gjithsesi poezia gjakon të bukurën e të madhërishmen. E bukura e trëndafilit nuk merret pa tagrin e gjembave të tij.

Andaj, nuk ka bukuri pa dhimbje. Bukuria pa dhimbje, pa gjakime njerëzore, është iluzion. Logjikshëm rrjedh përkufizimi, se pos finokëria e talentit të poetit, bukurisë do t`ia hiqte velin e shëmtisë, të mos e linte pa fytyrë, pa vija tiparesh, pa shije, pa ngjyrë dhe pa magji.

Këtu vëmë re përqendrimin e poetit për t`i kapur fijet e pleksura të ndjenjës, të nervit e të mendimit poetik, përpjekjen për të sjellë ligjësi dialektike për mësymje, për shtruarje në shtjellim në mënyrën e urtisë ose si formulë jete: “Vetëm ai që të kurajën për ta kapur rrezen është hap”.

Sublimë e sublimes së idesë

Mobi Casa

Këqiku tashmë diskursin e tij artistik e përqendroi në eksplorim, në kërkim qëmtimesh, të cilat kalojnë ose nuk kapërcejnë filtrimin në laboratorin e përvojës. Janë flakur shprehjet e shkrehjet patetike të vargut. Vargu është racional, i saktë, nuk shpjegon por reflekton:

“Pohimi del fitues se shumë u tërhoq
andej e këndej lumit të dhimbjes”

Poezia ka veshje të atillë metaforike që t`i lërë hyrje-dalje kumtimit figurativ, t`i hapë derë dhe t`i ngre çati angështisë, përfytyrimeve figurative. Pra, më pak hapësirë pamjeve, dritare të vogla për tablotë, për ndjeshmërinë, më shumë dritë kumtit ideor, peshës së matur në sprova.

Togfjalëshat e pleksur metaforik dhe ironik, si “tufani i hyjnizuar” e të tjerë, në gamën e shpalimit të fjalorit të vëllimit “Në prehër të idilës”, e zgjerojnë shumësinë antonimike të kontrasteve, sjellin shtresime të tërthorta kumtimore të fjalëve.

Diskursin kritik, për poezinë e librit që e kemi në dorë, e përvijoi pohimi se poezia nuk fërgohet vetëm mbi zjarrminë e ndjenjave, sado fisnike qofshin ato, por ajo pikturon sublimen e sublimes së idesë.

Impulset, ritmet, dromcat, variantet e ndjeshmërisë së shpirtit, kësaj poezie ia formësojnë shtresimin nën të cilin është bërthama. Për ta zhveshur bërthamën lypet shkathtësia e intuitës poetike. Në bërthamën figurative rrumbullakohet maksima, urtia njerëzore, përkatësisht urtia poetike, trajtat filozofike të kësaj urtie, shkapërderdhja e tyre në tërësinë e tekstit, si reflekse meditative të gjendjeve, kontrasteve, antinomive… Poeti vjel copëzat e shpërthimit të së ndodhurës, çarjet e saj, për t`i sintetizuar në një mbështjellës poetik, aq sa arrin tej shikimi i tij. Fisnikëria e denjësia e njeriut etik dhe etnik është provuar vetëm pas sprovës:

“Nuk mund të jetë e denjë
fjala që nuk fërgohet me shpirt”
Dendësia kumtimore e tre vargësit

Libri me poezi “Në prehër të idilës” i Hysen Këqikut, sjell risi në përvojën e tij të vargimit, risia spikatet qoftë për formën e renditjes së vargjeve, për lirinë e shprehjes, qoftë për këmbënguljen hulumtuese, për gjetje të shkurta ngërthimi, për stilin e thënies, qëmtimin dhe qërimin e fjalëve nga mbingarkesat e shterpësisë emocionale, për përsiatje dilemash, për pozën dhe çiltërinë e kumtit:

“Si të shuhet etja
me lusprat e njelmëta të harrimit”

Dy vargësi i cituar në fillim të librit, arrin efektin e ligjërimit përmes pyetjes retorike. Një retorikë e tillë poezisë i solli dendësi kumtimi, përbërës të tharmit poetik post modern, fjalor fjalëzash, fije kapjesh të holla, depërtime në shqisën e intuitës, prekje të nervit për pulsimin dhe jo pulsimin e një ndjeshmërie, por pa efektin e tingëllimës së rimës, as të ritmit të brendshëm, as të muzikalitetit të saj të jashtëm.

Njëra nga veçoritë e kësaj poezie është forma ose rendi i ndërthurjes së vargut. Tërësinë e barrës së kumtit poetik e bartë kryesisht tre vargësi ose tercina shtatë a tetë rrokjesh. Nuk është e lehtë të provosh shtrirjen dhe tkurrjen e figurës e të mendimit mbi tre ose dy vargësin tetërrokësh.

Diskurs përmbyllës

Prekja, shtrirja dhe përmbyllja e bredhjes poetike, brenda tre dhe dy vargësit është një aventurë, që të shpie te sintaksa e togfjalëshit. Përderisa dy vargësi merr rol përmbyllës, për motivet ose gjendjet jetësore të temave e të motiveve, në njërin ose tjetrin variant të shfaqjes…; përmbyllja sjell përkufizimin e një diskursi të mençurisë: ku zotëron mendimi ndjenja është inferiore.

Këtë poezi aty-këtu e lëndon ndonjë sforcim prozaik, disa bashkime të dhunshme kompozitash.

Kjo poezi kërkon një lexim dhe lexues të thelluar. Leximi sipërfaqësor nuk i bën nder as poezisë, as autorit, as lexuesit.

Uroj që të shtohet pasioni i leximit te ne! E përgëzoj autorin për këtë dhuratë të shpirtit!/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.