Ndahet nga jeta veprimtari Shefket Musliu, bashkëveprimtar i Kadri Zekës
Gjilan/Cyrih – Ka ndërruar jetë në Cyrih atdhetari dhe veprimtari nga Gjilani, Shefket Musliu, bëhet e ditur përmes një njoftimi të publikuar nga veprimtari dhe aktivisti Selajdin Abdullahu.
Sipas njoftimit, Musliu ishte ndër veprimtarët e hershëm të organizimit të demonstratave në mërgatën shqiptare, në përkrahje të Pranverës së vitit 1981. Ai përmendet gjithashtu si bashkëpunëtor i Heroit Kadri Zeka në organizimin e manifestimeve të ndryshme në Evropë, si dhe në veprimtarinë për shpërndarjen e trakteve dhe të shtypit të fshehtë, ndër të tjera të “Lirisë” dhe “Zërit të Kosovës”.
Me vdekjen e Shefket Musliut, sipas njoftimit, familja, miqtë, bashkëveprimtarët dhe mërgata shqiptare humbin një veprimtar të përkushtuar të çështjes kombëtare.
Për kohën dhe vendin e varrimit, familja pritet të njoftojë në vijim.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Shefket Musliun!/rajonipress/

