Uji Dea

Dëmet miliardëshe u injoruan nga oligarkët e politikës

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Institucionet kosovare, 18 vjet pas luftës, po vazhdojnë të “të frikësohen”, të heshtin e të dështojnë dhe nuk kanë akoma një nismë apo projekt, që ta padisin Serbinë për gjenocid dhe të kërkojnë kompensimin e dëmeve të luftës të kryera nga shteti serb.

PËRSE ENDE NUK BËHET NJË PADI NDAJ SERBISË PËR KRIMET E LUFTËS?!

Qeveria e re duhet ta shndërrojë në prioritet kompensimin e qytetarëve

“Banditët e bandave politike në Kosovë as që e vrasin mendjen për këtë punë që nga paslufta. Këta prioritet dhe synim kryesor kishin t´i zënë pozitat për pushtet dhe pastaj të vrapojnë pas hajnisë, që u bënë nga leckamanë në të kamur dhe siguruan pasuri milionëshe, duke vjedhur buxhetin e shtetit dhe djersën e taksapaguesve”, tha Reshat Badallaj

Institucionet kosovare, 18 vjet pas luftës, po vazhdojnë të “të frikësohen”, të heshtin e të dështojnë dhe nuk kanë akoma një nismë apo projekt, që ta padisin Serbinë për gjenocid dhe të kërkojnë kompensimin e dëmeve të luftës të kryera nga shteti serb.

Edhe nëse Kosova nuk e ka të drejtën, meqë nuk është anëtare e OKB-së, atëherë kjo gjë ka mundur të bëhet në bashkëpunim e bashkëveprim me Shqipërinë, por as një alternativë e tillë nuk është provuar dhe as që ka paralajmërim se do të shtrohet si çështje bashkëpunimi. Analistët politikë dhe ekspertët e fushës së ligjit po e gjykojnë këtë mosveprim si dështim të madh, ngase, nëse Kosova do të padiste Serbinë për dëme të luftës dhe gjenocid, ajo do të ishte në pozitë edhe shumë me të favorshme edhe në bisedimet me Serbinë në Bruksel. Zyrtarët e shtetit të Kosovës sot e kësaj dite kurrë nuk kanë folur se për çfarë arsye nuk kanë vepruar dhe kush i ka penguar këto institucione nga 2008-a, që të bëjnë padi kundër Serbisë dhe fundja të insistojnë, që këto tema të hapen detyrimisht edhe në bisedimet me Beogradin në Bruksel!? Akoma më e madhe bëhet barra e përgjegjësisë tani kur kanë kaluar afro 10 vite të pavarësisë dhe në mungesë të burrë shtetasve të denjë e me dinjitet, ende nuk i kërkohet Serbisë llogari për të kompensuar të gjitha dëmet e luftës në bazë të ligjeve ndërkombëtare.

Heshtja e turpshme politike

Prof. Muhamet Kelmendi ka pohuar se është shumë vështirë të nxjerrë një fakt se çka e ka penguar Qeverinë e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë për të paditur shtetin serb për gjenocid ndaj shqiptarëve. Ai thotë se derisa politika po hesht, është obligim profesional dhe moral e patriotik, që të përsëriten dhe përmenden elementet kryesore, që përbëjnë dëshmi të fuqishme për krimin serbomadh në Kosovë, e të cilin po e hesht politika kosovare. Kelmendi thotë se këtë faturë të madhe e përbëjnë vrasjet e 15 mijë shqiptarëve brenda një periudhe disamuajshe, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, pleq dhe nëna shtatzëna, përdhunimet e 20 mijë femrave shqiptare nga forcat militare dhe paramilitare serbe, shkatërrimi i 150 mijë objekteve në Kosovë, si shtëpi, shkolla, xhami e kisha, ambulanta e çerdhe të fëmijëve dhe dëbimi me dhunë e terror i një milion shqiptarëve jashtë vendit. Ai përmend edhe disa nga faktorët e mundshëm që, sipas tij, po mbajnë peng politikën kosovare për të grithur padinë. “1. Mungesë e vullnetit të organeve të shtetit të Kosovës për t’u marrë me një gjendje të tillë, 2. Presioni i faktorit ndërkombëtar për të mos ngritur padi për gjenocid, me qëllim të krijimit të barazisë fiktive midis Kosovës dhe Serbisë për bisedime 3. Nënshtrimi total i Qeverisë së Kosovës ndaj shteti serb, Brukselit dhe SHBA-së, pa kritere dhe në kundërshtim me interesin vital të Kosovës dhe 4. Nënshtrimi ndaj Serbisë”, rendit argumentet Kelmendi. Sipas tij, arsyetimi se Kosova nuk është anëtare e OKB -së për të zhvilluar një aktivitet të tillë nuk qëndron, kur dihet se kjo çështje ka mundur nëpërmjet Tiranës të ngritët dhe natyrisht ka mundësi edhe tash të bëhet. Kelmendi thekson se përgjegjësia bie kryesisht mbi ish-kryeministrin dhe tani president i vendit Hashim Thaçi, i cili në krye të shtetit ka qenë në momentet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë, përgjegjësi që duhet ta ndajë edhe me Isa Mustafën, kryeministër në mandatin e kaluar qeverisës.

Uji Dea

Mundësia ligjore ekziston

Analisti Ymret Reshiti thotë se jashtë të vërtetës së kësaj enigme mund të konstatojmë se mungon vullneti politik i të gjitha qeverive kosovare, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. “Dihet se prezenca e UNMIKut dhe mosdefinimi i statusit të Kosovës, para vitit 2008 e kanë bërë të pamundur që institucionet kosovare ta ngrenë këtë padi. Por, tani kush po i pengon institucionet tona shtrohet pyetja? Te klasa jonë politike dhe zyrtarët e lartë të shtetit është krijuar sindroma “që mos ta hidhërojmë Serbinë” me veprime te tilla?! Një qëndrim politik i tillë nga zyrtarët e shtetit po e ngufat zbardhjen e së vërtetës dhe realizimin e së drejtës së kompensimit për qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai. “Kjo sjellje e zyrtareve të shtetit ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme, jo vetëm që tregon qyqarllëk ndaj Serbisë, por është injorimi më i madh që shteti u bën qytetarëve të tij si viktima të luftës kundër Serbisë. Dorëzimi i klasës sonë politike (veçuar LVV-në) ndaj Serbisë është tregues i qartë se këta politikanë po e sakrifikojnë të drejtën e qytetarëve kosovarë vetëm “për të mos ia prishur disponimin” Serbisë hegjemoniste për krimet që i bëri në Kosovë”, ka potencuar ai. “E them me kompetencë se të gjitha mundësitë ligjore ekzistojnë për të ngritur padinë kundër Serbisë”, tha Reshiti për “Kosova Sot”.

Lakmia për pushtet na dëmtoi

Analisti Reshat Badallaj ka një ton tepër kritik sa i takon heshtjes së kësaj teme nga politika kosovare. Gjykimin e tij e fillon me një thënie të ambasadorit amerikan në Shqipëri “…Kam dëgjuar dhe lexuar se shqiptarët kanë besë dhe janë të besës, por politikanët janë më të pabesët…”. Kjo vlen edhe për politikanët tanë në Kosovë, që unë ngeli dhe mbetem partizan i asaj që i quaj pa frikë fare banditë, ndërkaq partitë e tyre i quaj banda”, ka theksuar ai. “Banditët e bandave politike në Kosovë as që e vrasin mendjen për këtë punë që nga paslufta. Këta prioritet dhe synim kryesor kishin t´i zënë pozitat për pushtet dhe pastaj të vrapojnë pas hajnisë, që u bënë nga leckamanë në të kamur dhe siguruan pasuri milionëshe, duke vjedhur buxhetin e shtetit dhe djersën e taksapaguesve. Kjo në fund të fundit u publikua nga vetë kjo bandë banditësh oligarkësh e kusarësh”, tha Reshat Badallaj.

Edhe analisti dhe publicisti, Naim Kelmendi, thotë se Serbia në luftën e fundit në Kosovë ka ushtruar gjenocid ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare dhe ka bërë gjithashtu shkatërrime të shumanshme, duke u nisur nga pastrimi etnik, masakrat dhe vrasjet e dhunimet e deri te shkatërrimet infrastrukturore, djegie të shtëpive, institucioneve të trashëgimisë kulturore e fetare, e që janë pronë e popullit të Kosovës. “Edhe pse Kosova është de fakto e de jure shtet i pavarur e sovran, duke shpallur pavarësinë që në vitin 2008, gjëja më normale, që do të duhej bërë shteti i Kosovës, ka qenë dashur t’ia ngriste padinë ndërkombëtare Serbisë për të kërkuar kompensimin e dëmeve të luftës, por këtë nuk e kanë bërë”, theksoi për “Kosova Sot” Naim Kelmendi.

Liderët u shantazhuan, bënë kompromise

Njohësi i zhvillimit të politikave më të reja në vend, edhe atyre ekonomike, Mustafë Kadrijaj, tha se Kosova nuk po arrin ta bëjë një veprim të tillë kundër Serbisë, sepse në “krye të vendit” ka pasur dhe ka njerëz të shantazhuar nga e kaluara e largët dhe e afërt. “Një të drejtë të garantuar me kartën e Kombeve të Bashkuara nuk po mundemi me e kthye në favor të Kosovës vetëm pse kemi një lidership të dështuar nga ana profesionale, të shantazhuar si rezultat i korrupsionit dhe aferave të përfolura që nga pas lufta pa dallim partie, sepse të gjitha partitë janë prekur nga korrupsioni, kush më shumë e kush më pak, saqë edhe ‘Vetëvendosje’ me qeverisjen në Prishtinë nuk u kursye nga kjo e keqe”, u shpreh ai. “Përfaqësimi i Kosovës është i hendikepuar për shkak të arsyeve të lartcekura, që shumë çështje, si kompensimi material i dëmeve të luftës, kthimi i të pagjeturve, kthimi i pensioneve si një e drejtë e garantuar me gjykatë e Strazburgut, dhe atë me interes, sepse ka 17-vjet, që i mban të bllokuara”, u shpreh Kadrijaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, për fatin jo të mirë edhe me këtë përfaqësim Kosova është edhe më e pafavorshme, ku dihet që Ministrinë e Punëve të Jashtme e drejton një njeri si Behgjet Pacolli.

(Kosova Sot)