UBT

Deda: Asociacioni i Komunave Serbe, vulos çarjen e brendshme

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Janë katër kompetenca të drejtëpërdrejta dhe një sërë tjera indirekte që Marrëveshja e Brukselit i ofron Asociacionit të komunave serbe, e cila do të ketë rol mbikëqyrës ndaj 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë, e ato janë: mbikyqyrje në zhvillimin ekonomik, urbanizëm, shëndetësi dhe arsim, thotë për ‘Zëri’, Ilir Deda, deputet i ‘Vetëvendosjes’.

Deda hedh poshtë deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa, i cili para pak ditësh tha se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Realisht, Deda thotë se Asociacioni me qendër në Mitrovicën e Veriut, do të ndajë në dysh Kosovën, përmes së cilit krijohet një territor prej 10 komunave me shumicë serbe me rregullim qeverisës të veçmantë prej 28 komunave tjera të Kosovës.

Pikësëpari veriu do ta ketë komandantin e vet për katër komunat atje, i cili do të propozohet nga ky Asociacion, dhe jo nga komunat siç parashihej me Kushtetute thotë Deda, duke shtuar se kështu në mënyrë indirekte këtij asociacioni i jepet rol në fushën e sigurisë.

Pastaj është fondi për veri, i cili do të menaxhohet edhe nga përfaqësues të Asociacionit të komunave serbe, fond ky i posaqëm për një territor të caktuar etnik, sqaron më tej Deda.

“Kishte me qenë shumë më mire që ky fond ta përfshinte Mitrovicën e Jugut, por kjo nuk ka ndodhur për arsye të shkurtëpamësisë së udhëheqësve të Kosovës”, u shpreh Deda, duke shtuar se përpos fondit për veri, Asociacioni direkt do t’i kontrollojë edhe financimet prej Serbisë, që janë të destinuara për strukurat e Serbisë në Kosovë, dhe do të tentohet që të ndërtohen “kapacitete administrative” të Asociacionit që do të thotë shërbim civil i këtij trupi.

Uji Dea

Më pastaj, në shkallën e dytë, në nivelin e gjykatës së apelit, bëhet dhoma e veçantë, me seli në veri të Mitrovicës, e cila merret dhe do të shërbej ekskluzivisht për 10 komunat me shumicë serbe, që do të thotë do të qahet në dysh shkalla e dytë e gjyqësisë.

“Pra, 28 komuna e kanë gjykatën e apelit në Prishtinë, e 10 me shumicë serbe e kanë në veri të Mitrovicës”, tha Deda.

Sipas Dedës, Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë fushëveprim edhe në fushën e energjisë dhe telekomunikacionit, sipas marrëveshjeve për energji e telekomunikacion.

Duke folur për privatizimin e ndërmarrjeve publike, ai po ashtu ndryshe do të aplikohet për 28 komunat në Kosovë dhe ndryshe në 10 komunat e asociacionit me shumicë serbe.

“Për më tepër, të 10 komunat e Asociacionit do ti ushtrojnë të gjitha kompetencat në mënyrë kolektive nëpërmjet AKS-së, që ceket shprehimisht në Marrëveshjen e Brukselit, gjë që 28 komuant e tjera nuk mund ta bëjnë, sepse këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës – sepse Asociacioni i Komunave të Kosovës është OJQ, e ky i komunave serbe nuk do të jetë i tillë”.

“Ky lloj i rregullimit të brendshëm institucional deri më tani nuk është lejuar me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, e ndajnë vendin në dysh, duke e vendos parimin etnik para parimit të barazisë qytetare, e merr për bazë segregacionin etnik dhe institucional në funksionimin e brendshëm të Kosovës, dhe e shndërron jetën në Kosovë të atillë, ku qytetarët serb funksionojnë vetëm brenda komunave dhe institucioneve të AKS-së, pa asnjë nevojë që të komunikojnë me qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës. Ky rregullim i brendshëm gjason shumë me funksionimin e Bosnjes”, tha ndër tjerash Deda./Zëri/