Çfarë po ndodhë me paratë e Trusti-t?

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Mbi 1 miliard euro, mjete të kursimeve pensionale në Kosovë vazhdojnë të administrohen nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK).Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, 90 për qind e këtyre mjeteve janë të investuara në tregun e jashtëm.
Ndërsa, pjesa tjetër e mbetur e aseteve përbëhet nga investimet në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës me 6.8 për qind por edhe një pjesë e mbetur në Fondin Pensional Slloven.

Por për njohësin e çështjeve bankare, njëherit investitor dhe punonjës në B-Capital me seli në Londër, Emanuel Bajra, problemi me të cilin FKPK-ja ballafaqohet tashmë në më shumë se një dekadë të ekzistencës së saj, është pikërisht lidhshmëria jo strategjike e saj me performancën e bursave dhe stoqeve ndërkombëtare duke e ekspozuar veten në termet dhe kushtet jo-stabile të këtyre bursave.

Sipas tij, FKPK-ja merr pjesë me një përqindje të konsiderueshme në disa kompani, ku nuk duhet të dihet se në nën-klasen e aseteve në këto fonde fshihen kompanitë që po pësojnë humbje të mëdha në bursa.

Ai merr shembull kompanitë teknologjike, firmat me ekspozim të lartë ndaj flukseve të kapitalit siç janë ato të borxheve të tregjeve emergjente, bonove të thesarit amerikan etj.

“Duhet të kemi parasysh se një përqindje e madhe e vlerës investuese të fondeve nën menaxhim nga FKP K-ja, janë koncentruar në aksione të bursës amerikane dhe kjo në vetvete paraqet një rrezikshmëri të lartë, pasi që aksionet amerikane janë të fryra dhe nuk paraqesin pasqyrë reale të performancë së kompanive pjesëmarrëse si pasojë e jo-stabilitetit që dollari amerikan paraqet në tregun e FOREX”, thotë Bajra.

Bajra sugjeron që Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës duhet të ketë kujdes me strategjinë e investimeve në kushtet e sotme të tregjeve jo stabile në bursat ndërkombëtare.

“Fondi Pensional i Kosovës ndjek një strategji të investimeve të hapura ku pjesëmarrja direkte e investimeve në alokimin e fondeve bëhet nëpërmjet Fondeve Menaxhuese në Londër. Ekspozimi i investimeve të ndërmarra nga FKPK-ja bëhet ndaj klasave të aseteve me rrezikshmëri të lartë, ku kapaciteti i kthimit është shumë më i madh përderisa edhe rrezikshmëria e humbjeve dhe rënies së vlerës së portofolit investues është i madh”, vlerëson Bajra.

Ai shtoi se në fillim-vitin 2016, si pasojë e rënies së çmimit të naftës, krizës së bursave kineze, si dhe rrezikut të deflacionit në eurozonë, bursat në Londër FTSE dhe ajo e New Yorkut NASDAQ dhe S&P 500, pësuan rënie gati deri në 20% – kjo zyrtarisht u spekulua që futi tregjet ndërkombëtare në territor të “Bear Market” ose ulje drastike e vlerës së aseteve të të gjitha klasave që marrin pjesë në bursat ndërkombëtare.

Mobi Casa

“Si rrjedhojë, Fondi Pensional i Kosovës do të ketë mundësi që ka pësuar humbje gati 12 për qind të vlerës së përgjithshme të investimeve. Kjo nuk do të jetë e mundur të verifikohet pasi që FKPK-ja akoma nuk publikon figurat javore për përformancën e saj”, thotë më tej Bajra.

Nga ana tjetër, Vërshim Hatipi, zëvendëdrejtor i financave dhe IT-së në FKPK-së, thotë se mjetet e trustit janë të investuara në kompani me renome botërore.
“Paratë janë në tregjet financiare gjithsesi, nëpër kompanitë me renome botërore. Mjetet e Trustit janë të investuara në rreth 1700 kompani botërore”, ka bërë të ditur Hatipi.

Sa i përket normës së kthimit, Hatipi tregon se ato caktohen varësisht prej reitingut të kompanive.
“Norma e kthimit nuk është diçka e definuar specifikisht në çdo rast. Janë obligacionet e Kosovës kur ne i përcaktojmë normat dhe ato varen edhe prej maturitetit të tyre. Pra, nëse dikujt i jep borxh për gjashtë muaj, norma e interesit do të jetë më e ultë se sa dikujt që ia jep paratë borxh për dy vjet. Pra, këto i përcaktojnë edhe normat e kamatës, varet edhe prej rejtingut të kompanisë që e financojmë përmes parave të cilat i investojmë. Në vitin 2015 kemi pasur një kthim 2.3 për qind në kohën kur tregjet financiare të aksioneve kanë rënë 10 për qind”, ka shtuar më tej Hatipi.

Ai po ashtu ka treguar se janë rreth 100 milionë euro që Trusti i ka të investuara në borxhin publik të shtetit të Kosovës.

Ndërsa sa i përket investimeve në kompani të huaja me rrezik të lartë, ai tha se mundësitë për t’i investuar mjetet në Kosovë janë të limituara.

Ai tha se vitin 2015, Trusti e ka mbyllur me një fitim prej 30 milionë eurove ose në kthim neto që është diku afër 3 për qind. Ndërsa, këtë vit e kanë filluar me 1 miliard e 200 milionë euro.

Por Emanuel Bajra, ka dhënë disa sugjerime se si do të ishte më mirë të menaxhohen mjetet eFKPK-ja.
Ai tha se do të duhej të ndryshojë strategjinë e investimeve duke u shndërruar në Fond Sovran të Investimeve.

Po ashtu, sipas tij, FKPK-ja duhet të themelojë zyrën e saj të shitje-blerjeve të aksioneve me objektiv uljen e rrezikshmërisë së humbjeve vjetore dhe rritjen e ekspozimit ndaj klasës së aseteve të sigurta me kthim më të vogël afatshkurtër por më të sigurt afatgjatë. /Telegrafi/