Uji Dea

“Buxheti historik” dhe dështimi epik në shëndetësi

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Ministria e Shëndetësisë po e konsideron historik buxhetin e ndarë për këtë sektor vitin e ardhshëm. Madje, po paralajmëron përmirësime të mëdha të gjendjes ekzistuese. Megjithatë, bazuar në punën e bërë gjatë një viti e gjysmë qeverisje, rezultatet mund të jenë dëshpëruese.

Rifat Latifi është larguar tash një muaj e gjysmë nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, por vendin e tij ende nuk e ka zënë kush. Mbase i preokupuar me probleme më “të mëdha”, kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka emëruar pasardhësin e kirurgut që pati ardhur nga SHBA’të “për të bërë punë të mira në Kosovë”. Madje, tashmë gjithçka ka kaluar në normalitet dhe sikur është harruar se dikasteri më problematik në vend ka mbetur pa menaxher.

Më 14 shtator, Kurti kishte themeluar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, në krye të të cilit ishte vënë vetë. Por, që atëherë nuk është bërë e ditur se çfarë pune ka kryer apo a ka kryer fare ndonjë punë ky komision.

Nëse e përcjell profilin e ministrisë në Facebook, aty publikohen kryesisht takime protokolare të ushtrueses së detyrës së ministrit dhe stafit tjetër. Zyrtarë qeveritarë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje po lavdërohen se buxheti i vitit të ardhshëm për shëndetësinë do të jetë rreth 300 milionë euro. Madje, po e cilësojnë edhe buxhet historik.

60 milionë euro nga kjo shumë do të mbulojë listën e barnave esenciale por, sipas ministrisë, do të prmirësohet edhe infrastruktura dhe do të shtohen pajisjet mjekësore. Po ashtu, ministria ka paralajmëruar edhe 300 pozita të reja për profesionistë shëndetësor në kujdesin parësor dhe 100 pozita të tjera në kujdesin dytësor dhe tretësor. Është planifikuar edhe financimi i 42 pozitave të reja për inspektorë shëndetësorë dhe farmaceutikë, në mënyrë që të mbikëqyret sigurimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore.


Përderisa ministria flet për “buxhet historik”, një vit e gjysmë qeverisje në këtë sektor mund të cilësohet si “dështim epik”. Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë ardhur në pushtet me premtime të mëdha për të rregulluar gjendjen në këtë sektor. Por, nëse merret parasysh ajo çfarë është arritur deri tash, atëherë rezultatet pritet të jenë fort pesimiste.

UBT

Të gjithë ata që për çfardo arsye kanë pasur rastin të kërkojnë dhe marrin shërbime në spitalet e vendit, kanë qenë dëshmitarë të gjendjes jo të mirë. Nëpër spitale ka mungesë barnash dhe pacientët detyrohen t’i blejnë ato, ndërkohë që është e vështirë të merren të gjitha shërbimet e nevojshme.

Ndër vite sistemi shëndetësor në Kosovë është shkatërruar e kriminalizuar. Për pasojë, qytetarët janë privuar nga e drejta themelore për të marrë shërbime të mira. Ndonëse janë premtuar nga secili ministër i Shëndetësisë, sigurimet shëndetësore ende nuk janë vënë në jetë për kosovarët. Atyre iu duhet të harxhojnë shuma të mëdha parash për trajtimin e problemeve që kanë, ndërkohë që ende nuk dihet nëse kjo çështje do të zgjidhet gjatë këtij mandati qeverisës.

Shëndetësia nuk ëshë prioritet i qeverisë së Albin Kurtit. Po të ishte, atëherë nuk do të bëheshin eksperimente siç ishte ai me Rifat Latifin dhe, për më tepër deri tash do të duhej të caktohej ministri i ri.

Gjendja në shëndetësi nuk ndryshon për të mirë duke kryer vizita koti nëpër klinika, por duke filluar e zbatuar reformë të thellë e serioze. Gjendja në shëndetësi nuk përmirësohet as duke publikuar postime koti në rrjetet sociale, për të krijuar përshtypjen se, megjithatë, diçka po punohet.

Nëse gjatë këtij mandati Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk i kushtojnë më shumë kujdes shëndetësisë, atëherë dështimi në këtë sektor do të jetë i pashmangshëm. Pavarësisht “buxhetit historik”, dështimi do të jetë epik.