Fundamenti

Padrejtësisht dhe idiotësisht

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Pas agresionit shtetëror serb në Banjskë është e padrejtë, poshtëruese dhe fyese që Kosova të kërcënohet edhe njëherë me mosliberalizim vizash, ndërkohë që Serbia të mos ndëshkohet.

Një deklarim i presidentit francez Emmanuel Macron në Tiranë shkaktoi reagime të ashpra. Gjatë konferencës për gazetarë së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ai bëri një deklaratë jo fort të qartë sa i përket mundësisë për të penguar sërish procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pak orë më pas, faji iu la përkthyeses se nuk e kishte transmetuar saktë çfarë kishte thënë francezi, megjithatë deklarata e tij është shqetësuese. Mbase jo aq për mundësinë që Franca mund të nis procesin për suspendimin ose shtyrjen e fillimit të udhëtimit pa viza për kosovarët, sa për faktin pse Macron zgjodhi pikërisht tash dhe pikërisht në Tiranë të bëjë një deklaratë të tillë konfuze, dykuptimëshe, të paqartë.

Një ish-zyrtar i lartë i shtetit shqiptar tha se deklarata e presidentit francez ka qenë qëllimisht konfuze dhe në bashkëpunim me kryeministrin Rama. Sipas ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Avenir Peka, marrë parasysh se Franca e ka shpikur diplomacinë dhe protokollin diplomatik, është e pamundur që ai të ketë gabuar. Ai konsideron se përkthimi është bërë qëllimisht gabim, sepse Macron nuk ka dashur ta hedh tezën e ashpër të bllokimit të procesit të liberalizimit të vizave. Por, si në sportin e volejbollit, ia ka gjuajtur topin Edi Ramës dhe ai e ka zhytur.

Ndonëse Rama e di gjuhën frënge, ai nuk i reagoi Macronit për t’ia sqaruar deklaratën. Përkundrazi, ai e mori si të mirëqenë atë dhe e çoi në tjetër nivel, duke thënë se ndihet keq që po diskutohet pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Tash sa vjet liberalizimi i vizave përdoret nga Bashkimi Europian si gogol, si shkop ndaj kosovarëve, për t’i ndëshkuar ata, për t’i kërcënuar ata kur shfaqen të padëgjueshëm. Më shumë se një dekadë pas popujve të tjerë rreth Kosovës iu lejua të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, kosovarët vazhdojnë të diskriminohen e të fyhen, duke mos ua dhënë atë që e meritojnë.

Uji Dea

Herë njëri zyrtar e herë tjetri i BE’së, herë njëri institucion e herë tjetri e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin liberalizmin si mjet kushtëzues e kërcënues. Pa të drejtë dhe në mënyrë poshtëruese. E përdorin, sepse munden. E përdorin, sepse nuk kanë tjetër çfarë t’i ofrojnë Kosovës, të cilën BE madje as nuk e njeh si shtet.

Veçanërisht pas agresionit shtetëror serb në Banjskë është e padrejtë, poshtëruese dhe fyese që Kosova të kërcënohet edhe njëherë me mosliberalizim vizash, ndërkohë që Serbia të mos ndëshkohet. BE vazhdon me arsyetimin banal se po i pritka hetimet, sepse nuk po e ditka çfarë ka ndodhur në Banjske. Janë publikuar aq shumë prova që përfshijnë Beogradin në sulmin terrorist, sa që arsyetimet e zyrtarëve europianë tingëllojnë idioteske.


Kërcënimi i presidentit francez për vizat u bë një ditë pasi në në Tiranë u mbajt samiti i Procesit të Berlinit. Në konferencë bashkë me kancelarin gjerman, Edi Rama as që e përmendi sulmin terrorist në Banjskë. Gjermani e përmendi dhe e dënoi.

Samiti i një procesi që synon përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE kaloi si të mos kishte ngjarë 24 shtatori dhe ndaj Serbisë nuk u paralajmërua asnjë ndëshkim. Nuk u tha gjë e re, u përmendën reformat që këto vende duhet kryer në mënyrë që të bëhen pjesë e “familjes europiane”. Pra, edhe njëherë u ushqye utopia se “së shpejti” Ballkani do të bëhet BE.

Tash gati një dekadë Procesi i Berlinit është karakterizuar nga dështime të njëpasnjëshme. Marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij s’janë zbatuar nga të gjithë. Ta zëmë, kosovarët ende nuk mund të udhëtojnë pa viza në Bosnjë dhe Hercegovinë, sepse Milorad Dodikut “i është tekë” ta bllokojë procesin. Por, përkundër kësaj, BE tregohet i paaftë ta zgjidhë problemin. Siç e ka treguar paaftësinë e vet vite me radhë në raportet Kosovë-Serbi, si lehtësues dialogu.

Liberalizimin e vizave BE e ka keqpërdorur në plot raste – që nga demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. E tash, kur ky proces është zvarritur aq shumë, sa ka humbur çdo kuptim, presidenti francez qëllimshëm kërcënon. Padrejtësisht dhe idiotësisht.