UBT

AXOS nuk mund të padisë Qeverinë për PTK-në

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të analizojnë problemet që kanë ndodhur gjatë procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), të gjejnë shkaqet e dështimit, në mënyrë që të gabimet që kanë ndodhur mos të përsëriten. Kështu thonë anëtar të komisionit për Buxhet dhe Financa dhe ekspertë për çështje ekonomike, pas dështimit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Muhamet Mustafa, anëtar i Komisionit për Ekonomi dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit Hetimor për PTK-në, për Radion Evropa e Lirë tha se autoritetet kompetente duhet të jenë më të përgatitura për procesin e ri të privatizimit. “Menjëherë, duhet të sillet një vendim në Kuvend lidhur më privatizimin e PTK-së, bashkë me strategjinë e privatizimit edhe lidhur me përqindjen e aksioneve që duhet të privatizohen. Pastaj duhet të fillohet një proces i cili do të fitojë një kredibilitet dhe të tërheq investitorë më të mirë”, tha Mustafa.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku, profesor në kolegjin “Riinvest”, konsideron që privatizimi i Post- Telekomit të Kosovës duhet të realizohet më një ligj të veçantë më Kuvendin e Kosovës.

Ai ndërkaq, vlerëson se ekzekutivi i vendit në zhvillimet e ardhshme për procesin e ri të privatizimit duhet t’i ruajë, siç thotë ai, “aksionet e arta”. “Është e papranueshme që në fazën e parë të shkohet me 75 për qind të shitjes së aksioneve. Do të ishte e mirë që kjo të ishte nën 50 për qind, në mënyrë që t’i jepet mundësi në një periudhë kur edhe përformaca e ekonomisë botërore do të jetë më e mirë”, tha Sadiku.

Edhe Muhamet Mustafa, deputet në Kuvendin e Kosovës thotë se autoritetet kompetente duhet të shesin vetëm 60 për qind të aksioneve të kësaj kompanie, duke shtuar se edhe pas dështimit, vlera e PTK-së nuk është zhvlerësuar. “Sa i përket vlerës së PTK-së, ato janë spekulime. Trendi i rritjes se çmimeve të impulseve ka rënë. Mirëpo PTK-ja e Kosovës ka një milion konsumator, ka një rëndësi strategjike dhe nëse zhvillohet një proces i mirë unë nuk besoj se do të ulet vlera më tepër se sa ka qenë në rastin e parë”, thekson Mustafa.

Privatizimi i kompanisë thuajse më profitabile në vend ka dështuar për shkak të mungesës se kuorumit në Kuvendin e Kosovës, për formimin e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me privatizimin e PTK-së.

Fundamenti

Data 30 dhjetor e vitit të kaluar, ka qenë afati i fundit për nënshkrimin e kontratës me kompaninë fituese konsorciumin AXOS-capital, kompani kjo që kishte ofruar një vlerë prej 277 milionë euro.

Vetëm një ditë më vonë Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, e shpalli të dështuar këtë proces.

Pas dështimit të procesit të privatizimit ka reaguar kompania Axos Capital. Zyrtarë të kësaj kompanie kanë deklaruar se të gjitha vonesat në procesin e privatizimit të PTK-së ishin shkaktuar nga Qeveria e Kosovës. “Vendimi përfundimtar nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë të papritur dhe pa arsye të ndërpresë procesin e privatizimit është krejtësisht i papranueshëm dhe në kundërshtim me çdo standard ligjor ndërkombëtar. Kjo do të ketë pasoja ligjore, tregtare, ekonomike dhe financiare për Qeverinë e Kosovës dhe Kosovën në përgjithësi”, thuhet në deklaratën e ACP Axos Capital.

Por, Muhamet Mustafa, reagimet e kësaj kompanie i quan të pabaza.

Në dokumentet e transaksionit, sipas tij, eksiton një bazë që autoriteti kontraktues, në këtë rast qeveria ka të drejtë të ndërpres procesin e privatizimit në cilëndo fazë. “Ky investitor që tashmë po kërcënohet, është treguar mjaft serioz, për shkak se në të dy rastet ka mundur të nënshkruajë kontratën, por siç duket nuk ka qenë i gatshëm në aspektin financiar”, vlerëson Mustafa.

Që nga fillimi i procesit të Privatizimit të PTK-së, më 2009, e deri më tani, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar rreth 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë. /Rel/Telegrafi/