RCCOLA

Ambient i pasigurt dhe jo atraktiv për investime

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Një sistem i dobët gjyqësor, dështimi i privatizimit për ndërmarrjet shoqërore, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, niveli i lartë i varfërisë në vend, papunësia e lartë, janë disa nga dështimet që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 2008 e deri më tani. Kështu thonë analistë dhe njohës të çështjeve ekonomike, të cilët kanë deklaruar se jo gjithçka mund të shihet vetëm zi në Kosovë.

Analistiët, Behlul Beqaj, Ibrahim Rexhepi e Ardian Arifaj kanë thënë se në këto gjashtë vite është punuar në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të Kosovës, por Qeveria dhe institucionet e tjera duhet edhe shumë punë për të bërë.

Ibrahim Rexhepi, thotë se mund të jetë i padrejtë nëse thotë se në këto gjashtë vite ka pasur vetëm ngecje dhe degradim të vendit

Sipas tij, ka pasur një zhvillim, ku GDP është rritur lehtë. Rexhepi thotë se pas shpalljes së Pavarësisë ka pasur shpresa joreale nga banorët e Kosovës dhe vet liderët politikë, me premtimet që kanë dal se ato janë të kota.

Ai thotë se institucionet e Kosovës dhe vet qytetarët e saj, e kanë humbur betejën për zhvillim më të madh ekonomik të Kosovës, por siç ka thënë ai lufta ende vazhdon.

“Edhe pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria ka qenë bukur e preokupuar me problemet politike, me problemet e veriut, me dialogun, kështu është neglizhuar çështja e zhvillimit ekonomik, nuk është arritur të ndërtohet një ambient i sigurt, një ambient i qëndrueshëm atraktiv për investime, qoftë të brendshme apo të jashtme….dhe tjera privatizimi i ndërmarrjeve shoqëroro është një proces i dështuar, ku njerëzit më shumë kanë humbur vende pune, nuk janë hapur vende pune dhe është bërë deindustrializimi i Kosovës, ndërkaq edhe të ndërmarrjet publike, qeveria nuk ka ndonjë orientim të qartë, nevojat janë në fakt, por si do ta bëjë privatizimin, në çfarë mënyra, cilat janë përfitimet më të mëdha jo vetëm për buxhetin aty po vërehet se ka ngecje”, thotë Rexhepi për Kosovapress.

Analisti Behlul Beqaj thotë se karshi shpresave të qytetarëve, gjithsesi se ata nuk mund të jenë të kënaqur me të arriturat në rrafshin ekonomik para se gjithash social, në aspektin shëndetësor, në aspektin e sigurisë dhe veçmas sundimit të ligjit.

Mobi Casa

“Zakonisht me një të kaluar të brishtë dhe me një kohë relativisht të shkurtër, ne duhet objektivisht ta vlerësojmë kontributin që është krijuar brenda këtyre viteve, karshi shteteve që kanë një traditë qindra vjeçare, dhe nëse ne analizojmë të gjitha këto mangësi, të cilat kanë ardhur në shprehje brenda kësaj periudhe mund të themi, se ne, karshi shteteve që kanë përvojë qindra vjeçare, nuk jemi larg objektivave të cilat shtetin e konsolidojnë dhe atë e bëjnë në përputhje me pritjet e qytetarëve”, tha Beqaj.

“Natyrisht ne duhet të jemi realë dhe nuk mundemi gjithmonë t`ia nënshtrojmë shpresën vetëm të ardhmes, por duhet të vlerësojë varësisht prej rezultateve, që janë krijuar gjatë këtyre viteve, gjendjes aktuale, dhe nëse këto janë kritere për vlerësimin e objektivave, mendoj se ne jemi në një fazë të tranzicionit, ku peshë të veçantë, prej elementeve që i përmenda pak më parë. Mendoj se do të ketë një rëndësi të veçantë dhe ndoshta do të paraqitet si formë e destabilizimit dhe pengesë për zhvillimin e mëtutjeshëm çështja e Veriut e cila po na merr një interesim të jashtëzakonshëm dhe fokusi i qytetarëve po më duket se do të jetë aty, në vend se do të ketë prioritete punësimi dhe problemet sociale, shëndetësore, arsimore dhe të drejtës, do të fokusohet aty ku nuk duhet, pra në veri, pra besoj se çështja e veriut është një pikë neuralgjike në këtë 6 vjeçar të kaluar”, thotë ai.

Analisti tjetër Ardian Arfiaj ka thënë se nuk mund të mohohet ajo çka është bërë këto gjashtë vite, por që sipas tij mbeten shumë sfida në të ardhmen e që janë mirëqenia për qytetarët e Kosovës.

“Sigurisht që nuk mund të mohohet, se ka të arritura në këto gjashtë vite që shteti i Kosovës ka arritur të ecë përpara qoftë në konsolidimin e brendshëm si shtet, qoftë edhe në konsolidimin e jashtëm si një shtet i njohur ndërkombëtarisht tashmë ka kaluar numrin prej 100 njohjeve edhe pse nuk erdhi ai numër aq shpejt. Por në anën tjetër nuk mund të mohojmë se mbetet sfidë, motivi kryesor që ka qenë pas kërkesës për shtetin e Kosovës, sigurimi i një ambienti në të cilin qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi për zhvillim, për arsim, për aftësim profesional, pastaj të kenë një jetë në prosperitet dhe në dinjitet, kjo mbete sfidë sot dhe duket që do të mbetet sfidë edhe për një kohë për qytetarin e Kosovës dhe kjo është arsyeja kryesore pse qytetarët e Kosovës e kanë përkrahu projektin e shtetit të Kosovës”, thotë Arifaj për Kosovapress.

Sipas analizave këtë qeveri dhe secilin do që do të vije e presin sfida të mëdha.

Problemi esencial i këtij vendi do të jetë si ta bëjmë Kosovën, vend ku njerëzit duhet të besojnë në qëndrueshmërinë e saj, në stabilitetin, dhe në atraktivitetin për të investuar.

Kjo mundëson që të ketë më pak probleme, me papunësinë dhe me varfërinë. /Kosovapress/Telegrafi/