RCCOLA

Albin Kurit: Trepça ka nevojë për një ligj të veçantë

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Sot pasdite në Kuvendin e Kosovës u miratua ndryshimi i Ligjit për Ndërmarrjet publike. Deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje i votuan këto ndryshime. Siç është bërë tashmë publike Qeveria e Kosovës i referohet rastit të Kombinatit Trepça është pse në ndryshimet ligjore nuk flitet nominalisht për Trepçën.

Kryetari Lëvizjes, Albin Kurti, paraqiti në diskutimin e sotshëm në Kuvend problemet dhe rreziqet që mund të burojnë nga veprimet që Qeveria tenton t’i bëjë në vijimësi duke iu referuar këtyre ndryshimeve ligjore.

Fjalimi i Albin Kurtit:

“Në debatet e mëhershme, ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që jemi deputetë në Kuvend, kemi shpjeguar dhe arsyetuar rolin e Trepçës në të kaluarën, vlerën aktuale të saj dhe rëndësinë jo vetëm socio-ekonomike por edhe politike për të ardhmen. Trepça e ndarë dhe Mitrovica e ndarë nuk janë dy çështje as të ndara e as të ndashme.

Te Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Ndërmarrjet Publike, së pari, e kanë fshirë dispozitën sipas të cilës Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) i njihet e drejta që për cilëndo Ndërmarrje Publike, e cila gjendet në listën e Ndërmarrjeve Publike, sipas këtij ligji mund të kërkojë që pjesa e cila do t’i takonte AKP-së si administruese e pronës shoqërore të aneksohet nga lista e Ndërmarrjeve Publike. Po ashtu, dispozita e Nenit 3.4 vinte pengesa juridike që cilado pronë të jetë transferuar në statusin e ndërmarrjes publike. Me këtë dispozitë i pamundësohej qeverisë që në çfarëdo forme të përvetësonte dhe ndërhynte në statusin e pronës shoqërore, dhe atë përshtatshmërisht ta përkthente në pronë publike e cila në çfarëdo kohe do të mund t’i nënshtrohej procedurës së privatizimit të aksioneve. Pra, kjo ishte dispozitë e cila ishte pengesë ligjore për çfarëdo transformimi të Trepçës, duke pasur parasysh se ajo ka status të veçantë të ndërmarrjes shoqërore nën administrimin e AKP-së.

Mobi Casa

Dispozitat tjera, të cilat do të futen në Nenin 11 me numrin rendor të paragrafit 3 dhe 4, përkufizojnë se me propozim të qeverisë (propozim i cili nuk është saktësuar se në çfarë procedure do të merret, siç është rasti i vendimit për shitje të aksioneve), Kuvendi mundet që me një vendim i cili, merret me shumicë të thjeshtë, të heqë nga kompetenca e administrimit cilëndo ndërmarrje shoqërorë të administruar nga AKP-ja, apo cilëndo njësi të ndërmarrjes së caktuar. Pra, Qeveria do të vlerësojë (zakonisht sipas tregut dhe kjo s’ka të bëjë me propozimin të cilin e procedon pranë Kuvendit), ta marrë rrezikun për gjithë ndërmarrjen, por mjafton që këtë ta bëjë edhe për një njësi te vetme.

Në rastin e Trepçës kjo mund të ndodhë kështu: Minierat, flotacionin, fabrikën e pajimeve dhe atë të akumulatorëve ta regjistrojë secilën si shoqëri aksionare/ndërmarrje publike të veçantë dhe të njëjtat t’i regjistrojë si shoqëri aksionare. Kjo nënkupton se, lëre që po përgatitet privatizimi i njësive të caktuara të Trepçës, por edhe copëtimi i saj me qëllim të uljes së vlerës për t’u përgatitur shitja e aksioneve.

Edhe nëse në parim nuk do të ishte qëllimi i shitjes së aksioneve të këtyre ndërmarrjeve, duke qene se do te regjistrohen si shoqëri aksionare, ato e fitojnë subjektivitetin e plotë juridik. Si entitete juridike ato pastaj nuk do të detyroheshin që të kenë raporte kontraktuale me njësi të tjera, por si ndërmarrje të veçanta mund te kontraktonin punën e tyre me cilëndo ndërmarrje tjetër. P.sh. fabrika e akumulatorëve nuk do të ishte e detyruar që për prodhimin e produkteve të saj të furnizohet me repro-material nga minierat e Trepçës (edhe kjo njëjte si ndërmarrje publike), por këtë furnizim mund ta bëjë me cilëndo ndërmarrje tjetër e cila do ta furnizonte me lenden e pare. Kështu, mund të shtyhen shumë njësi në falimentimin e tyre, dhe në procedurën e falimentimit do t’iu ulej shumë vlera krahasuar me atë në treg.

Sa jam në dijeni, Kombinati Trepça ishte entitet unik legal. Prandaj, në qarkullimin juridik kombinati ishte i centralizuar dhe nuk mund të vepronin njësitë prodhuese në mënyrë të pavarur. Duke qenë kështu, kombinati e ruante zinxhirin prodhues, duke nisur nga nxjerrja e xehes, përpunimi i saj në lëndën e parë, si dhe përpunimi dhe prodhimi i produkteve finale që nxirreshin në treg. I gjithë ky proces është bërë nën autoritetin e kombinatit Trepça, dhe jo në mënyrë të pavarur nga secila njësi. Për shembull, “Trepça Komerc”, ishte njësia e cila mbante kontabilitetin e gjithë kombinatit.

Ky ligj ka për qëllim dhënien e së drejtës që Qeveria me propozimin e saj dhe vendimin e Kuvendit ta ndryshojë statusin e ndërmarrjes shoqërore në atë publike, prandaj punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve do t’iu mohohet e drejta në 20% të aksioneve. Trepça ka nevojë për një ligj të veçantë, vetëm për të, që e konsideron ndërmarrje publike të interesit strategjik e kombëtar dhe që e lidh me Kuvendin, e jo një ligj që e lë Trepçën në duart e Qeverisë për ta copëtuar e për ta bërë atë publike pak para se të shitet e për ta shitur”.