ARKATANA

Terrorizmi: biseda përmes shpatës

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

​Nga Burim Ramadani – “Nëse terroristët fetar e shohin Zotin si audiencë për veprimet e tyre, atëherë ata nuk janë fort të interesuar për reagimet publike ndaj numrit të madh të të vrarërve”, thotë Crelinsten në librin e tij “Terrorism and Counter-Terorism in a Multi-Centric World”, 2000.

Tmerri nga sulmi terrorist në Francë nuk është më pak se sinjalizim për të ardhmen e pasigurt të botës, të paktën derisa lëvizjet terroriste të pushojnë së vepruari. Disa grupe terroriste, sikurse Al-Kaida, pretendojnë se veprimet terroriste duhet të ndodhin në vendet perëndimore, derisa të tjerat, sikurse ISIS, pretendojnë se duhet të ndërtohet Kalifati së pari në tokat e Shamit e pastaj të zgjerohet nëpër pjesë tjera të botës.

Përdorimi selektiv i mësimeve fetare

Në Mileniumin e ri, bota është duke u përballur me një problem ndërkombëtar, që ka të bëjë me terrorizmin islamik, përkatësisht Islamizmin. Konceptet duhet të jenë të ndara dhe perceptimet nuk duhet të ngërthehen në një sa i përket Islamit dhe Islamizmit. Islami është religjion i cili udhëhiqet nga libri i shenjtë Kur’ani, ndërsa Islamizmi është instrumentalizimi përmes dhunës i këtij religjionit nga grupe të caktuara fundamentaliste dhe ekstremiste për të arritur qëllime të caktuara politike.

Një prej faktorëve që ka shtyrë që njerëzit nëpër botë të shohin njëlloj lidhjeje midis Islamit dhe dhunës është fakti se shoqëritë myslimane në të shumtën e rasteve janë parë si pjesë e Botës së Tretë dhe kanë qenë në beteja të çlirimit kombëtar. Kur motivimi fetar përforcohet edhe nga ai etnik, sikurse mund të ndodh në vendet e ish-kolonizuara, sulmet bëhen më shumë vdekjeprurëse, thonë Asal dhe Rethemeyer, në “The Nature of the Beast: Organizational Structures and the Lethality of Terrorist Attacks”, botuar në ‘Journal of Politics’, 2008.

Mobilizimi i muslimanëve në pjesë të mëdha të botës për të luftuar kundër trupave sovjetike në Afganistan ka qenë një shkaktar i nxitjes së radikalizmit islamik. Vullnetarët u inkurajuan nga fitorja e tyre kundrejt asaj që ata e kanë parë si ideologji perëndimore (komunizmi) dhe kështu ata u bënë edhe më të vullnetshëm për të filluar betejat kundër të tjerave (demokracia parlamentare, kapitalizmi). Vështirësitë në shoqëritë islame u rritën kur grupet myslimane kërkuan të instalojnë Sheriatin si sistem ligjor në këto shtete. Konflikti, pastaj, u krijua midis muslimanëve që janë në favor të interpretimit strikt dhe muslimanëve të moderuar në këto shoqëri.

Kështu, dhuna fetare ka ndodhur edhe brenda komunitetit mysliman. Ndarja midis Shia-s dhe Sunni-t brenda Islamit ka sjellë në dhunë. Shembuj të tillë ka edhe shumë shekuj më parë. Një grup i tillë ka qenë i ashtuquajturi grupi “Nizari”, që ka qenë një sekt joortodoks i Shia-s, gjatë shekujve 11-të deri 13-të, thotë Rapoport në librin e tij “Sacred Terror: A Contemporary Example from Islam”, 1998. E tillë shihet në përmasa tmerruese edhe tash, këto vite, nga organizata terroriste ISIS.

Sidoqoftë, është dëshmuar ka të tillë brenda Islamit që fokusohen në “bisedën përmes shpatës” dhe përdorimit selektiv (të pjesshëm) të Kur’anit për të justifikuar këto predispozita. Janë disa militantë brenda imamëve muslimanë nëpër botë që kanë shkuar aq larg sa argumentojnë se Lufta e Shenjtë kundër jo-muslimanëve është pjesë esenciale e praktikimit të fesë Islame, thotë Bouchat “A Fundamentalist Islamic Therat to the West” botuar në ‘Studies in Conflict and Terrorism’, 1996.

Ideologjia që përçojnë organizatat e ndryshme terroriste islamike janë ideologji që thërrasin për dhunë, terror, vrasje, madje edhe Jihad (‘Luftë të Shenjtë’ tek besimtarët e Islamit). Sidoqoftë, përgatitja e njerëzve për të arritur në këtë shkallë ka marrë një kohë të gjatë të shkollimit në këtë ideologji përmes Medreseve dhe formave klanore të funksionimit të këtyre vendeve arabe.

FIDANISHTJA

Së fundmi, problemi i shuarjes së terrorizmit dhe terroristëve është shumë më kompleks dhe më i vështirë. Sikurse thotë Crelinsten, në librin e tij “Terrorism and Counter-Terorism in a Multi-Centric World”, 2000: “Nëse terroristët fetar e shohin Zotin si audiencë për veprimet e tyre, atëherë ata nuk janë fort të interesuar për reagimet publike ndaj numrit të madh të të vrarërve”.

Terrorizmi me motive fetare është i vjetër

Sidoqoftë, bota nuk po përballet për herë të parë me veprime terroriste të motiveve fetare. Porse, dallimi kryesor tashmë është mjetet dhe metodat që lëvizjet terroriste përdorin, duke shfrytëzuar pikërisht mjetet që janë zhvilluar si rezultat i globalizimit dhe ndryshimit të madh në aspektet shoqërore në botë.

Autorët argumentojnë se shumica e lëvizjeve të reja fetare kanë mjaft shumë gjëra të përbashkëta. Asnjë religjion nuk është unik (i veçantë) në aspektet e predispozitave të dhunës, thonë Shterin dhe Yarlykapov, në studimin e tyre “Reconsidering Radicalisation and Terrorism”, botuar në ‘Religion, State and Society’, 2011.

Mësimet Krishtere janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për të justifikuar racizmin, sjelljet dhe dhunën kundër homosekualëve, si dhe ksenofobinë në një numër shtetesh, thonë J.M Lutz dhe B.J Lutz në librin e tyre “Global Terrorism”, 2013. Dhuna ekstremiste është parë po ashtu në Judaizmi. Dhuna nga grupe hebraike është rritur si reagim ndaj Marrëveshjes së Oslos, kur grupe të caktuar të kolonëve kundërshtuan marrëveshjen, thonë Pedahzur dhe Perliger në librin e tyre “The Cause of Vigilante Political Violence: The Case of Jewish Settlers”, 2003.

Pikëpamje ekstremiste janë parë edhe brenda Hinduizmit. Organizata e Patriotizmit Nacional (Rashtriya Swayamsevak Sangh-RSS) në vitet 1920-ta kishte filluar trajnimet paramilitare. Madje, kishte bërë atentatin ndaj Mohandas Gandhi-it për shkak se ai ishte i vullnetshëm të bëjë kompromis me jo-Hinduikët për shtetin e ri të Indisë, thotë Juergensmeyer në librin e tij “Terror in the Mind of God: The Global Rise of Religious Violence”, 2000.

Sidoqoftë, terrorizmi dhe dhuna bazuar në besimet fetare kanë qenë prezente në botë gjatë rrethanave të ndryshme. Veprime të tilla duket se do të vazhdojnë. Porse, ndryshimi në botë dhe globalizimi do të sfidojnë edhe më tutje religjionet nëpër botë dhe dhuna është një prej formave të reagimeve ndaj këtyre ndryshimeve. Dhuna rezulton nga pikëpamjet e disa grupeve fetare se shtyllat sociale dhe morale të shoqërisë kanë kolapsuar dhe ato duhet të ri-vendosen, thotë Juergensmeyer në artikullin e tij “The Worlwide Rise of Religious Nationalism” në Journal of International Affairs.

Globalizimi dhe ndryshimi i kushteve botërore kanë gjeneruar stres brenda shoqërive përkatëse, që ka shtyrë njerëzit që të mbështeten më shumë në mësimet fetare për të mundësuar mbështetje mentale dhe psikologjike për ndryshimet e mëdha në botë, thotë Fox në “The Effects of Religion on Domestic Conflicts”, botuar në ‘Terrorism and Political Violence’, 1998.

Autori është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ligjërues i Sigurisë Kombëtare.