Eko Higjiena

Si lindi Partia Për Veprim Demokratik (PVD) – 36 vjet histori, qëndresë dhe përfaqësim politik e kombëtar

/ 24 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nehat Hyseni – Nga themelimi i PVD-së më 19 gusht 1990 deri te sfidat e sotme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës)

Më 19 gusht 1990, në Preshevë, u themelua Partia për Veprim Demokratik – PVD. Ky moment nuk duhet parë vetëm si një ngjarje në historinë e një subjekti politik. Ai përbën një nga piketat themelore të historisë politike moderne të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – Luginë të Preshevës.

Themelimi i PVD-së ndodhi në një periudhë jashtëzakonisht të ndërlikuar për shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Sistemi njëpartiak po hynte në fazën e shpërbërjes, pluralizmi politik po bëhej realitet, ndërsa regjimi i Sllobodan Milosheviqit po ndërtonte një model gjithnjë e më centralist me elemente të qarta të pushtetit fashist në Serbi.

Në Kosovë ishte themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës më 23 dhjetor 1989, ndërsa në hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë po lindnin forma dhe parti të reja të organizimit politik. Në këtë klimë dhe rrethanë të re historike, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballeshin me një problem të dyfishtë: duhej të hynin në epokën e pluralizmit politik, por njëkohësisht duhej të ndërtonin një mekanizëm politik të aftë për t’i artikuluar interesat e tyre si komunitet kombëtar në kuadër të Republikës së Serbisë.

PVD-ja lindi pikërisht në këtë kryqëzim historik. Ajo nuk ishte vetëm një parti e re politike. Në kuptimin historik, ajo ishte përpjekja e parë serioze për ta shndërruar organizimin politik të shqiptarëve të kësaj hapësire nga një veprimtari individuale apo lokale në një strukturë politike të organizuar dhe me shtrirje rajonale të organizimit dhe përfaqësimit të shqiptarëve në Serbi dhe veçanërisht në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë – Luginë të Preshevës.

Programi i saj përfshin mbrojtjen e të drejtave politike, kulturore, gjuhësore dhe kolektive, demokratizimin, përfaqësimin proporcional dhe zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

Prandaj, 36-vjetori i PVD-së është një rast jo vetëm për të kujtuar një datë, por edhe për të bërë një bilanc historik.

19 GUSHTI 1990 – NJË DATË QË HAPI NJË EPOKË TË RE PËR SHQIPTARËT E LUGINËS

Themelimi i PVD-së më 19 gusht 1990 duhet vendosur në kontekstin e transformimeve të mëdha politike që po përfshinin Evropën Lindore, Jugosllavinë dhe veçanërisht Kosovën e Serbinë. Rënia e Murit të Berlinit më 1989 kishte ndryshuar ekuilibrat politikë në Evropë. Sistemet komuniste po dobësoheshin, ndërsa pluralizmi politik po bëhej një kërkesë dhe realitet historik.

Në Kosovë, themelimi i LDK-së më 23 dhjetor 1989 kishte krijuar një model të ri të organizimit politik shqiptar. Në Maqedoni dhe në hapësirat e tjera shqiptare u shfaqën gjithashtu organizime të reja. PVD-ja e Preshevës ishte pjesë e kësaj vale.
Por ajo kishte një specifikë të veçantë: vepronte brenda territorit të Republikës së Serbisë, në një periudhë kur pushteti qendror po bëhej gjithnjë e më nacionalist dhe centralist. Për këtë arsye, themelimi i saj ishte një akt me rëndësi jo vetëm partiake, por edhe shoqërore e kombëtare.

PVD-ja u krijua si një instrument për ta futur faktorin shqiptar të Luginës në politikën pluraliste dhe për t’i dhënë atij një zë të organizuar në institucionet e Serbisë. Burime të ndryshme e cilësojnë PVD-në si partinë e parë politike shqiptare në këtë hapësirë që arriti të organizonte shqiptarët e Luginës në një veprim të përbashkët politik.

Kjo ishte një kthesë historike! Për ta kuptuar PVD-në, duhet kuptuar edhe marrëdhënia e saj historike me zhvillimet politike në Kosovë. LDK-ja ishte krijuar në fund të vitit 1989 dhe kishte shënuar një kthesë në organizimin politik shqiptar në Kosovë. PVD-ja u themelua rreth tetë muaj më vonë. Kjo afërsi kohore nuk ishte rastësi.

Të dyja partitë u krijuan në një periudhë kur sistemi politik jugosllav po ndryshonte dhe kur shqiptarët po kërkonin forma të reja të përfaqësimit. Megjithatë, rrethanat e veprimit ishin të ndryshme: LDK-ja vepronte në Kosovë, ndërsa PVD-ja në kuadër të sistemit politik të Serbisë. PVD-së i duhej të ndërtonte një strategji të dyfishtë: të mbronte identitetin dhe interesat kombëtare shqiptare, por njëkohësisht të vepronte përmes institucioneve dhe mekanizmave politikë të sistemit serb.

Kjo e bëri rrugëtimin e saj veçanërisht kompleks. Në vend që ta shihte pjesëmarrjen institucionale si kundërshtim ndaj kauzës kombëtare, PVD-ja u përpoq ta përdorte atë si instrument për artikulimin e kërkesave shqiptare. Kjo filozofi politike do të bëhej një nga tiparet kryesore të saj.

PVD-JA SI PARTI E PARË RAJONALE E SHQIPTARËVE TË LUGINËS

Një nga dallimet më të rëndësishme të PVD-së ishte se ajo nuk u konceptua vetëm si parti politike e Preshevës. Që në fillimet e saj, ajo synoi shtrirjen në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo kishte rëndësi të jashtëzakonshme politike. Nëse shqiptarët e këtyre tri komunave do të vepronin të ndarë, pesha e tyre politike do të ishte më e vogël. Organizimi rajonal krijonte mundësinë për një artikulim të përbashkët të interesave politike, arsimore, kulturore e kombëtare.

Kjo logjikë vazhdon të pasqyrohet edhe në dokumentet aktuale të partisë, ku Presheva, Bujanoci dhe Medvegja trajtohen si hapësirë e përbashkët e veprimit politik të shqiptarve. Prandaj PVD-ja mund të konsiderohet si një nga institucionet politike që kontribuoi në krijimin e konceptit politik të Luginës së Preshevës si hapësirë e përbashkët e interesave shqiptare.

ZGJEDHJET E PARA PARLAMENTARE TË SERBISË – DHJETOR 1990

Një nga sprovat e para të mëdha të PVD-së ishin zgjedhjet parlamentare në Serbi në dhjetor 1990. Zgjedhjet u mbajtën më 9 dhe 23 dhjetor 1990. Arkivi zyrtar i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë i dokumenton këto si zgjedhjet e para parlamentare të Republikës së Serbisë në periudhën pluraliste. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte një dilemë e madhe politike për shqiptarët. Pyetja ishte themelore: A duhej shqiptarët ta pranonin sistemin politik serb dhe të hynin në institucionet e tij, apo duhej ta refuzonin atë nëpërmjet bojkotit?

PVD-ja zgjodhi rrugën e përfaqësimit politik. Kjo zgjedhje duhet analizuar në kontekstin e kohës. Nuk ishte thjesht një vendim elektoral. Ishte një debat mbi mënyrën se si shqiptarët mund ta mbronin veten politikisht.

Pjesëmarrja në institucione kishte një avantazh të rëndësishëm: mundësonte që problemet e shqiptarëve të artikuloheshin drejtpërdrejt para institucioneve shtetërore. Por kishte edhe kufizime. Në një sistem ku shumica parlamentare përcaktonte politikën qendrore, një grup i vogël deputetësh nuk mund të ndryshonte vetë strukturën e pushtetit.

Kështu lindi një model që do të përsëritej gjatë dekadave: përfaqësim parlamentar + presion politik + diplomaci + mobilizim lokal. Ky model do ta karakterizonte PVD-në për një pjesë të madhe të historisë së saj.

BOJKOTIMI I REGJISTRIMIT TË POPULLSISË – 31 JANAR 1991

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte bojkotimi nga shqiptarët i regjistrimit të popullsisë në vitin 1991. Kjo çështje nuk mund të ndahet nga klima politike e kohës. Regjistrimi i popullsisë nuk ishte vetëm një proces statistikor. Për shqiptarët e Luginës ai lidhej drejtpërdrejt me pyetjen se sa ishin, ku jetonin dhe sa peshë politike e administrative do të kishin. Bojkoti ishte një formë e protestës politike.

Në këtë kuptim, ai tregonte se shqiptarët nuk po e shihnin më administratën shtetërore si një instrument neutral, por si një pjesë të një sistemi politik ndaj të cilit kishin mosbesim. PVD-ja u gjend kështu përballë një prej dilemave më të vështira të politikës së minoriteteve: si të marrësh pjesë në institucionet e një shteti, ndërkohë që njëkohësisht kundërshton politikat e atij shteti? Kjo dilemë do të shoqëronte politikën shqiptare në Luginë për dekada.

Viti 1992 ishte një pikë tjetër kthese. Në atë periudhë u zhvilluan zgjedhje lokale dhe shqiptarët e Luginës ndërmorën gjithashtu një proces politik që do të mbetej ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së tyre moderne: referendumin për autonomi politike-territoriale. PVD-ja u përfshi në këtë proces të artikulimit politik të kërkesës shqiptare. Referendumi nuk duhet parë vetëm si një episod elektoral.

Ai ishte shprehje e një pakënaqësie më të thellë me statusin politik, administrativ dhe institucional të shqiptarëve. Kërkesa kryesore ishte që shqiptarëve t’u garantohej një status politik dhe institucional që do të mundësonte mbrojtjen e identitetit, të drejtave dhe interesave të tyre.

Në këtë periudhë u kristalizua një nga konceptet më të rëndësishme të politikës shqiptare në Luginë: e drejta për të vendosur mbi të ardhmen politike dhe institucionale të komunitetit nëpërmjet mjeteve demokratike. PVD-ja, në këtë fazë, po përpiqej të kombinonte tri dimensione:

  1. pjesëmarrjen institucionale;
  2. mobilizimin politik të komunitetit;
  3. artikulimin e kërkesave kombëtare. Kjo treshe do të mbetej karakteristike për veprimtarinë e saj.

FRAKSIONET DHE PËRÇARJET NË PVD

Asnjë histori serioze e një partie 36-vjeçare nuk mund të shkruhet vetëm me sukseset e saj. Historia e PVD-së është edhe histori e konflikteve të brendshme, mosmarrëveshjeve, fraksioneve, largimeve dhe krijimit të subjekteve të reja politike. Në vitin 1995 u shfaqën ndarje dhe lëvizje fraksioniste që ndikuan në strukturën e PVD-së.

Kjo duhet parë në kontekstin e një fenomeni më të gjerë. Kur një parti bëhet institucioni kryesor politik i një komuniteti, brenda saj shfaqen natyrshëm debate mbi: strategjinë politike, raportet me pushtetin qendror, raportet me Kosovën, marrëdhëniet ndërpartiake, mënyrën e organizimit të pushtetit lokal, personalizimin e udhëheqjes dhe gjeneratat e reja politike. Përçarja nuk ishte vetëm dobësi. Në një sistem pluralist, lindja e alternativave politike është edhe shenjë e pluralizmit.

Por problemi shfaqet atëherë kur pluralizmi shndërrohet në fragmentim dhe kur fragmentimi e dobëson fuqinë negociuese të komunitetit. Ky është një mësim i rëndësishëm i historisë politike të shqiptarëve në Luginë. Gjatë viteve të para të pluralizmit, PVD-ja ishte një nga strukturat kryesore politike shqiptare në Luginë.

Me kalimin e viteve, skena politike u fragmentua. U krijuan parti dhe lëvizje të reja shqiptare. Në dekadat pasuese u shfaqën subjekte të ndryshme politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke e bërë skenën politike më konkurruese. Kjo solli dy pasoja të kundërta: nga njëra anë, shqiptarët fituan pluralizëm më të madh politik. Kurse, nga ana tjetër, fuqia e veprimit të përbashkët u dobësua. Kjo është një nga paradokset kryesore të politikës shqiptare në Luginë: sa më shumë parti, aq më shumë pluralizëm; por jo domosdoshmërisht aq më shumë fuqi politike.

Në këtë pikë, historia e PVD-së bëhet histori e transformimit nga një parti dominuese në aktor brenda një sistemi konkurrues prej më shumë partishë.

RIZA HALIMI DHE PERSONALIZIM I NJË EPOKE!

Historia e PVD-së nuk mund të shkëputet nga figura e Riza Halimit. Ai ishte një nga themeluesit kryesorë dhe kryetar i PVD-së për një periudhë shumë të gjatë. Riza Halimi ishte profesor i fizikës dhe Drejtor shumëvjeçar i Gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë dhe kishte qenë i përfshirë në zhvillimet politike të fundit të viteve 1980. Roli i tij është i rëndësishëm për të kuptuar vazhdimësinë e PVD-së.

Një udhëheqës që qëndron për dekada në krye të një partie krijon stabilitet, por njëkohësisht krijon edhe pyetjen e domosdoshme të tranzicionit gjeneracional. Në vitin 2018, pas një periudhe të gjatë në drejtimin e partisë, udhëheqja kaloi te Shaip Kamberi. Burime publike e dokumentojnë këtë ndryshim pas Kuvendit të vitit 2018.

Ky tranzicion kishte rëndësi simbolike: PVD-ja po kalonte nga brezi themelues te një brez i ri politik. Kjo ishte një sprovë e rëndësishme për çdo organizatë politike që synon jetëgjatësi.

SHAIP KAMBERI DHE ARDITA SINANI – FAZA E RE E UDHËHEQJES SË PVD-së

Në fazën e re, PVD-ja vazhdoi aktivitetin partiak si vazhdimësi konsekuente ndaj vlerave dhe rrugës së trasuar. Një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës shqiptare në Luginë ka qenë përpjekja për t’i sistemuar kërkesat politike në dokumente konkrete.

Plani 7 Pikësh është një nga këto përpjekje. Dokumentet e PVD-së e paraqesin Luginën e Preshevës si hapësirën e përbërë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dhe kërkojnë trajtim institucional të çështjeve që lidhen me të drejtat, përfaqësimin dhe zhvillimin e shqiptarëve. Në aspektin politik, kjo është e rëndësishme sepse një kauzë kombëtare nuk mund të mbështetet vetëm mbi deklarata. Ajo kërkon: kërkesa të shkruara → dokumente → negociata → mekanizma zbatimi → monitorim. Ky është kalimi nga politika simbolike në politikë institucionale.

LUFTA PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE

Programi aktual i PVD-së përfshin mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve, përdorimin e gjuhës dhe ruajtjen e identitetit kulturor, përfaqësimin proporcional në institucionet publike dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Këto kërkesa janë vazhdimësi e një politike që ka ekzistuar në forma të ndryshme që nga fillimi i viteve 1990.

Në thelb, mund të identifikohen disa shtylla të qëndrueshme:

  1. Arsimi: e drejta për arsimim në gjuhën shqipe ka qenë një nga çështjet themelore të identitetit shqiptar.
  2. Gjuha: përdorimi zyrtar dhe real i gjuhës shqipe është pjesë e barazisë institucionale.
  3. Përfaqësimi: përfaqësimi proporcional në administratë dhe institucionet publike është një nga çështjet kryesore të politikës shqiptare.
  4. Zhvillimi ekonomik: pabarazia ekonomike dhe mungesa e investimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në migrimin e popullsisë. 5. Siguria dhe barazia juridike: çdo komunitet duhet të ketë besim se institucionet e shtetit janë të barabarta për të gjithë.

VITET E LUFTËS DHE PERIUDHA E PASLUFTËS

Konflikti i armatosur i viteve 2000–2001 ndryshoi rrënjësisht rrethanat politike të Luginës. Pas konfliktit, çështja shqiptare e kësaj hapësire mori një dimension të ri ndërkombëtar. Marrëveshja e Konçulit dhe procesi i integrimit të ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së krijuan një realitet të ri politik.

Në këtë fazë, sfida për PVD-në dhe partitë e tjera shqiptare ishte të shndërronin kërkesat politike të periudhës së konfliktit në kërkesa institucionale. Kjo ishte një detyrë shumë e vështirë. Një kauzë kombëtare nuk mund të mbahet pafundësisht vetëm përmes simbolikës së konfliktit. Ajo duhet të kalojë në: institucione, ligje, administratë, ekonomi, arsim, diplomaci dhe integrim evropian.

Kjo është një nga arsyet pse politika institucionale mbeti e rëndësishme për PVD-në. Historia e shqiptarëve të Luginës ka njohur edhe forma të ndryshme të bojkotit politik. Por bojkoti është instrument që duhet përdorur me kujdes.

Ai mund të jetë efektiv kur ka një objektiv të qartë politik dhe kur shoqërohet me strategji alternative. Në të kundërtën, ekziston rreziku që bojkoti ta zvogëlojë praninë institucionale të komunitetit.

Këtu shfaqet një prej dilemave më të mëdha të PVD-së gjatë historisë së saj: pjesëmarrja në institucionet e një sistemi të padrejtë a e dobëson kauzën, apo pikërisht pjesëmarrja krijon mundësinë për ta ndryshuar atë sistem?

FIDANISHTJA

PVD-ja, në përgjithësi, ka zgjedhur rrugën e pjesëmarrjes institucionale. Ky është një nga tiparet e saj më të qëndrueshme. Nëse historia e PVD-së matet vetëm me numrin e mandateve, rezultatet elektorale ose numrin e komunave të drejtuara, nuk mund të kuptohet plotësisht rëndësia e saj. Një parti mund të humbasë zgjedhje dhe megjithatë të mbetet pjesë e historisë politike.

PVD-ja duhet parë edhe si institucion politik i krijuar në një periudhë kur shqiptarët e Luginës nuk kishin një strukturë të qëndrueshme politike pluraliste.

Ajo kontribuoi në krijimin e një tradite të:
● organizimit të pavarur politik;
● pjesëmarrjes elektorale;
● përfaqësimit parlamentar;
● artikulimit të kërkesave kombëtare;
● komunikimit me institucionet ndërkombëtare;
● organizimit të pushtetit lokal;
● mbrojtjes së të drejtave kolektive.

Fakti që PVD-ja vazhdon të ekzistojë 36 vjet pas themelimit është në vetvete një fenomen politik që meriton studim. Statuti aktual e ruan orientimin e partisë drejt përfaqësimit të shqiptarëve në Serbi dhe veçanërisht në tri komunat e Luginës. Përvjetorët kanë vlerë kur shërbejnë për reflektim. PVD-ja nuk duhet të mjaftohet me historinë e saj.

36 vjet janë kapital politik, por kapitali historik nuk është i mjaftueshëm për të fituar të ardhmen. Shoqëria shqiptare e Luginës ka ndryshuar. Ka ndryshuar gjenerata. Ka ndryshuar ekonomia. Ka ndryshuar edhe komunikimi politik. Prandaj duhet të ndryshojë edhe mënyra e veprimit politik. PVD-ja e vitit 1990 nuk mund të jetë identike me PVD-në e vitit 2026. Ajo duhet të ruajë parimet, por të rinovojë metodat.

SFIDA E RE: SI TË MBAHET E BASHKUAR KAUZA SHQIPTARE?

Një nga problemet më të mëdha të politikës shqiptare në Luginë nuk është mungesa e partive, por është mungesa e një strategjie të përbashkët afatgjatë. PVD-ja, si parti me 36 vjet përvojë, mund të luajë rol në krijimin e një kulture të re politike. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht bashkim partiak. Kjo do të thotë: bashkim rreth interesave strategjike! Mund të ketë konkurrencë për kryetar komune.

Mund të ketë konkurrencë për mandate. Mund të ketë debate mbi programet. Por çështjet themelore kombëtare duhet të kenë një minimum konsensusi.

Ato përfshijnë:
● arsimin;
● gjuhën;
● përfaqësimin proporcional;
● zhvillimin ekonomik;
● investimet;
● kthimin e të rinjve;
● marrëdhëniet me Kosovën dhe Shqipërinë;
● integrimin evropian;
● mbrojtjen e identitetit;
● diplomacinë ndërkombëtare.

SFIDA E MIGRIMIT DHE E SHPOPULLIMIT

Ndoshta sfida më e madhe e së ardhmes së shqiptarëve në Luginë nuk është vetëm politike. Është demografike. Një komunitet mund të ketë parti, deputetë dhe institucione lokale, por nëse popullsia largohet masivisht, pesha e tij politike zvogëlohet.

Kjo do të thotë se politika kombëtare shqiptare duhet të fokusohet gjithnjë e më shumë te ekonomia. PVD-ja vetë e përfshin zhvillimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në objektivat e saj programore. Por kjo kërkon një ndryshim të rëndësishëm: nga politika e ankesës te politika e projekteve.

Lugina ka nevojë për investime, vende pune, infrastrukturë, arsim cilësor, digjitalizim, lidhje rajonale dhe politika që e bëjnë qëndrimin e të rinjve ekonomikisht të mundshëm.

PVD-JA DHE MARRËDHËNIET ME KOSOVËN E SHQIPËRINË

Një parti shqiptare në Serbi nuk mund të trajtojë çështjen e saj vetëm brenda kufijve administrativë të Serbisë. Por as nuk mund ta ndërtojë strategjinë vetëm mbi pritjen nga Prishtina ose Tirana. Kjo kërkon një politikë të re të marrëdhënieve kombëtare. Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë partnerë strategjikë të shqiptarëve të Luginës. Por shqiptarët e Luginës duhet të kenë edhe kapacitetin e tyre politik.

PVD-ja, për shkak të historisë së saj institucionale, mund të shërbejë si urë ndërmjet: Luginës – Prishtinës – Tiranës – diasporës – institucioneve evropiane dhe amerikane. Kjo kërkon profesionalizim dhe jo improvizim të diplomacisë politike.

ÇFARË MUND TË MËSOJË GJENERATA E RE?

Mësimi i parë është se organizimi politik ka rëndësi.

Mësimi i dytë është se institucionet nuk duhen braktisur lehtë.

Mësimi i tretë është se kauza kombëtare kërkon profesionalizëm.

Mësimi i katërt është se përçarja e dobëson komunitetin shqipëtar të Luginës.

Mësimi i pestë është se asnjë parti nuk është më e madhe se komuniteti që pretendon të përfaqësojë.

Dhe mësimi i gjashtë është ndoshta më i rëndësishmi: historia duhet respektuar, por e ardhmja nuk mund të qeveriset vetëm me kujtimet e së kaluarës! Gjenerata e vitit 1990 kishte një detyrë: të krijonte organizimin e pavarur politik të shqiptarve në Luginën e Preshevës. Gjenerata e vitit 2026 ka një detyrë tjetër: ta modernizojë dhe avancoj këtë organizim.

PVD-ja SI PASURI HISTORIKE E PLURALIZMIT POLITIK TË SHQIPTARVE TË LUGINËS

Pavarësisht kritikave që mund t’i bëhen PVD-së gjatë këtyre 36 viteve, një analizë serioze nuk mund ta mohojë rolin e saj historik. Ajo u krijua në një moment kur sistemi politik po shembej. Ajo mori pjesë në zgjedhjet e para pluraliste.

Ajo u përfshi në debatet dhe aktivitetet rreth regjistrimit të popullsisë. Ajo mori pjesë aktive në politikën lokale. Ajo u përfshi në organizimin e referendumit të 1 dhe 2 marsit vitit 1992Ajo përjetoi shumë vështirësi, ndarje dhe fraksione brenda saj. Ajo kaloi nëpër periudha të konfliktit të armatosur të vitit 2000-2002 dhe pasojave të tij.

Ajo ndërtoi përfaqësim parlamentar dhe vazhdon të artikulojë kërkesa për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Në këtë kuptim, historia e PVD-së është pjesë e historisë politike të shqiptarëve në Serbi.

NJË BILANC KRITIK: SUKSESET DHE MANGËSITË

Një analizë e mirëfilltë shkencore nuk duhet të jetë as apologjetike dhe as mohuese. PVD-ja ka pasur arritje të rëndësishme, por ka pasur edhe kufizime.

Ndër arritjet (sukseset) mund të përmenden:
● krijimi i organizimit të pavarur politik rajonal;
● përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë;
● ruajtja e një zëri politik të pavarur shqiptar për më shumë se tri dekada;
● artikulimi i kërkesave për të drejtat kolektive;
● pjesëmarrja aktive në jetën politike lokale;
● mbajtja aktive e çështjes së Luginës në diskursin politik;
● krijimi i dokumenteve dhe platformave politike për Luginën. Ndër sfidat dhe mangësitë dhe sfidat (dobësitë) duhet veçuar:
● fragmentimi i politikës shqiptare;
● konfliktet e brendshme;
● vështirësitë e rinovimit gjeneracional;
● mungesa e një strategjie të përbashkët afatgjatë;
● dobësia ekonomike e rajonit;
● migrimi;
● përfaqësimi i pamjaftueshëm në administratën shtetërore;
● vështirësia për t’i shndërruar kërkesat politike në rezultate konkrete. Ky bilanc nuk e zvogëlon historinë e PVD-së. Përkundrazi, e bën atë më të besueshme!

19 GUSHTI 2026 – NJË PËRVJETOR QË DUHET TË SHËNOJË NJË FILLIM TË RI

36-vjetori nuk duhet të jetë vetëm një ceremoni përkujtimore. Ai duhet të jetë moment për një reflektim të thellë. PVD-ja duhet të pyesë veten në mënyrë kritike : Çfarë kemi bërë mirë? Ku kemi gabuar? Çfarë duhet të ndryshojmë? Si mund t’i bashkojmë interesat strategjike të shqiptarëve? Si mund t’i mbajmë të rinjtë në Luginë? Si mund ta ndërtojmë një diplomaci të respektuar dhe më profesionale? Si mund ta shndërrojmë përvojën 36-vjeçare në një strategji për të ardhmen? Këto janë pyetje shumë më të rëndësishme se çdo slogan përvjetori.

NJË PLATFORMË E RE POLITIKE

Nëse PVD-ja dëshiron ta shfrytëzojë 36-vjetorin për një rilindje politike, ajo mund të ndërtojë një platformë të re mbi shtatë shtylla:

  1. Konsensusi kombëtar: partitë shqiptare duhet të përcaktojnë një minimum të përbashkët të konsensusit rreth interesave strategjike.
  2. Profesionalizimi institucional: politika shqiptare duhet të mbështetet më shumë në ekspertizë juridike, ekonomike, demografike dhe diplomatike.
  3. Diplomacia ndërkombëtare: çështja e Luginës duhet të komunikohet vazhdimisht dhe profesionalisht te institucionet evropiane, amerikane dhe ndërkombëtare.
  4. Zhvillimi ekonomik: kauza kombëtare nuk mund të ndahet nga krijimi i perspektivës ekonomike.
  5. Gjenerata e re: të rinjtë duhet të jenë pjesë e rëndësishme dhe aktive e vendimmarrjes dhe jo vetëm pjesëmarrës në fushata.
  6. Bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë: nevojitet një mekanizëm i qëndrueshëm institucional për bashkëpunim kreativ me Tiranën dhe Prishtinës zyrtare.
  7. Strategjia demografike: pa popullsi, nuk ka peshë politike. Prandaj lufta kundër shpopullimit duhet të bëhet pjesë e politikës kombëtare.

PVD-JA DHE KUJTESA HISTORIKE

Çdo komunitet kombëtar ka nevojë për institucione të kujtesës. 36-vjetori i PVD-së është një mundësi për krijimin e një arkivi të plotë të PVD-së.

Duhet të ruhen me kujdes e pedantëri:
● dokumentet e themelimit;
● procesverbalet;
● programet;
● statutet;
● materialet zgjedhore;
● fotografitë;
● deklaratat;
● dokumentet parlamentare;
● dëshmitë e aktivistëve;
● dokumentet e periudhës 1990–2000;
● materialet e periudhës së konfliktit;
● dokumentet e pasluftës, etj.

Kjo do ta kthente historinë e PVD-së nga kujtesa gojore – në histori të dokumentuar. Vetë PVD-ja sot mban në faqen e saj një seksion dokumentesh dhe arkivi, çka mund të shërbejë si bazë për një projekt më të gjerë të historisë së saj institucionale.

36 vjet janë një periudhë e gjatë në politikë. Shumë parti evropiane nuk arrijnë të mbijetojnë për kaq gjatë. PVD-ja e ka kaluar këtë provë. Por jetëgjatësia nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi duhet të jetë dobia që një parti i sjell komunitetit.

PËRFUNDIM

Më 19 gusht 1990, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës hynë në një fazë të re të historisë së tyre politike. Themelimi i PVD-së ishte një përgjigje ndaj kësaj epoke të ndryshimeve të mëdha. Ajo lindi në një moment kur pluralizmi po shfaqej, por njëkohësisht kur politika nacionaliste dhe antishqiptare e Beogradit po forcohej.

Në këtë kuptim, PVD-ja u përball që në ditën e parë me një paradoks të madh: duhej të përdorte institucionet shtetërore të një sistemi që nuk ishte aspak demokratik në raport me shqiptarët. Për 36 vjet, ajo kaloi nëpër zgjedhje, bojkotime, referendum, ndarje, konflikte politike, transformime institucionale, periudhën e konfliktit të viteve 2000–2001 dhe fazën e pasluftës.

Ajo mbijetoi. Por më e rëndësishmja, ajo ruajti një vazhdimësi të përfaqësimit politik shqiptar. Sot, pas 36 vjetësh, historia e PVD-së nuk duhet të përdoret për të krijuar një mit partiak, por duhet të përdoret për të nxjerrë mësime:

Mësimi i parë është se shqiptarët e Luginës kanë nevojë për organizim të pavarur politik.

Mësimi i dytë është se pa unitet rreth interesave strategjike, pluralizmi mund të kthehet në dobësi.

Mësimi i tretë është se përfaqësimi institucional është i domosdoshëm.

Mësimi i katërt është se kauza kombëtare kërkon profesionalizëm e dije dhe jo vetëm emocione.

Mësimi i pestë është se asnjë parti nuk mund të jetë mbi interesin e komunitetit shqiptar në Luginë!

Dhe mësimi i gjashtë është se e ardhmja e shqiptarëve të Luginës nuk mund të ndërtohet vetëm mbi të kaluarën. Ajo duhet të ndërtohet mbi një vizion të ri: PVD-ja e vitit 1990 ishte një parti e themelimit politik, kurse PVD-ja e vitit 2026 duhet të synojë të bëhet një parti e modernizimit politik!

Nëse 19 gushti 1990 ishte dita kur shqiptarët e Luginës krijuan një instrument politik për të komunikuar me shtetin, atëherë 19 gushti 2026 duhet të jetë dita kur politika shqiptare pyet veten se si mund ta ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për brezat që vijnë?! /rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.