Mobi Casa

Dita e parë pas zgjedhjeve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Anton Marku – Votuesit kosovarë nuk kanë shumë arsye për të qenë entuziastë për të nesërmen duke marrë parasysh faktin se si shoqëri ende bashkëjeton me të djeshmen. Disa prej liderëve të tyre politikë deficitet e shtetdashurisë i kompensojnë duke baltosur gjithçka dhe çdokënd: fqinjët, mediat dhe oponentët politikë.

Përderisa qeveritarëve aktualë askush nuk mund t’ua mohojë talentin që nga miqtë të krijojnë armiq duhet theksuar se, nga zgjedhjet në zgjedhje, edhe opozita e ka luajtur rolin e portierit të dytë: ai është gjithmonë aty por nuk luan pothuajse asnjëherë.

Shpëlarja e duarve

Si zakonisht edhe kësaj radhe kryetarët e grupimeve minore politike, të cilët sillen si pronarë të tyre, lidhën koalicione pa përfillur vullnetin e anëtarësisë duke shkelur kështu me të dy këmbët mbi të gjitha parimet dhe aktet themeluese. Sa herë që ata godasin rrënjën thahet një degë.

Në anën tjetër gjatë fushatës parazgjedhore kryetarët e partive të mëdha përsëritën premtimin se idealeve do tu mbesin besnik përjetë por jo dhe se këtë do ta bëjnë çdo ditë. Në natën e zgjedhjeve, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, ata do të bëjnë të ditura rezultatet e tyre duke i interpretuar secili në mënyrën e vet dhe duke i shitur si fitore. Do të thonë se morën më pak se sa që pritën por më shumë se sa që shpresuan. Sheshet e qyteteve do të zhurmojnë nga surlet e tupanët e nuk do të mungojnë as fishekzjarrët apo ndonjë krismë arme sa për të plotësuar atmosferën. Të nesërmen, atëherë kur bëhet balanci real i një dite më parë të gjithë do të kuptojnë se, pak a shumë, qëndrojmë aty ku ishim dje.

Kompromisi nuk është fjalë e huaj

Hidromorava

Betejat zakonisht i humbin ata që të parët e tërheqin këmbëzën. Kësaj radhe partia në pushtet nuk u vet rrëzua me pahir, ajo e rrëzoi veten qëllimshëm. Për të ecur përpara duhet gjetur mënyrën e përshtatshme të komunikimit i cili shpie në dialog të mirëfilltë dhe të sinqertë mes akterëve të skenës politike. Rruga përpara mund të jetë bashkëqeverisja mes dy e më shumë partive të cilat duhet lënë anash dallimet dhe të takohen në të përbashkëtat. Ndryshe prapë do të kemi zgjedhje këtë vit. Duket se ajo që na pret është shtegtim, jo ecje.

Ata që nuk i hapin sytë jetojnë të verbër. Kushdo qofshin. Humbësit e sotëm mund të jenë fituesit e së nesërmes. Zhytje nuk do të thotë fundosje. Jo gjithnjë udhëtimi përfundon në fund të rrugës.

Turbonacionalistët e Ballkanit

Lumenjtë e mëdhenj nuk mund t’i turbullojnë guralecët e vegjël. Liderëve të vetëshpallur kombëtarë të këtij rajoni, të cilët i grahin retorikës së luftës, kohët e fundit treni i historisë i ka lëvizur nga binarët dhe atyre po u kalon afati i skandencës. Ky trend filloi me Dodikun në Bosnjë për të vazhduar me Vuçiçin dhe ardhur në jug.

Në tryezën e gjeopolitikës nuk paguan ai që vjen i pari por ai që largohet i fundit./rajonipress/