Marrëveshjet, librat dhe derrat
Nga Milaim Shefkiu – Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në përfundimin e gjysmëvjetorit të parë në shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës. Në Serbi ky gjysmëvjetor, sipas rregullave të reja, mbaron më vonë, që është pak e rëndësishme për një shtet fqinj. Të veçantë këtë gjysmëvjetor e bëjnë nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët kanë hyrë në muajin e katërt pa tekste mësimore të gjuhës shqipe.
Një donacion i Qeverisë së Kosovës, në vlerë 103 mijë euro, është bllokuar në kufirin e Dheut të Bardhë që nga fundi i shtatorit. Një herë u tha se ndalesa ka të bëjë me shpeditim, që është procedurë doganore, ndërsa më vonë u kuptua se problemi është fund e krye politik.
Edhe kryeministri serb Vuçiq, por edhe zëvendësi i tij Daçiq, e thanë se librat janë ndalur sepse përmbajnë “ideologji armiqësore”.
Sipas tyre, nxënësit në Serbi nuk mund të mësojnë për Republikën e Kosovës e as për historinë shqiptare. Madje, Vuçiq ironizoi në Bujanoc duke thënë se: “Serbia nuk mund të lejojë që nxënësit të mësojnë se Manastiri i Deçanit qenka i shqiptarëve”.
Ndërsa duke iu drejtuar Jonuz Musliut, të vetmit lider shqiptar që iu revanshua kryeministrit serb, i tha se: “librat nuk maten me kilogram si derrat, por me përmbajtje”.
Sipas kësaj deklarate, librat në kufi janë ndalur sepse nuk janë kompaktibil me standardet serbe të arsimit, të cilat ua servojnë nxënësve shqiptarë historinë e letërsinë sipas kutit të tyre.
Por, marrëzia serbe nuk ndalet vetëm te librat e historisë, letërsisë apo gjeografisë. Edhe në abetaren e unifikuar, me të cilën mësojnë të gjithë fatosat shqiptarë në botë, është ndërhyrë. Ministra serbe e Arsimit nuk ka pranuar që qytetet shqiptare të merren shembuj nëpër shkronja, por të konvertohen në qytetet serbe.
Ndalimin e shkollimit në këtë periudhë të shekullit XXI po e bën vetëm “Boko Haram” në Nigeri. Ajo është kundër shkollave perëndimore në Afrikë, kurse Qeveria serbe kundër librave shqip në Evropë.
Pra, ekziston njëfarë analogjie.
Por dhimbja bëhet dyfish më e madhe, kur Qeveria e Kosovës nuk e lëshon asnjë zë për diçka që është më shumë humane sesa politike. Një javë pas bllokimit të librave pati reaguar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, duke kërcënuar me reciprocitet për serbët në Kosovë. Por, pas disa ditësh heshti, duke i hëngër llafet e veta si Nasradini.
Në Kosovë zbatohen standardet daneze apo belge për pakicat, duke ua mundësuar në këtë rast serbëve edhe mësimin paralel e të mos flasim për ndërhyrje në tekste mësimore.
Nxënësit serbë mësojnë historinë sipas Ministrisë serbe të Arsimit: për Betejën e Kosovës, për Krajl Millutinin, për luftën e Drazha Mihajloviqit e ndoshta edhe për Sllobodan Milloshviqin.
Nuk është ndoshta demokratike, që në të njëjtin thes me Serbinë dhe “Boko Haramin” të hyjë edhe Kosova me zbatimin e standardeve të njëjta, por thelbësore është që Qeveria në Prishtinë ta kushtëzojë zbatimin e marrëveshjeve e madje edhe rinisjen e negociatave me librat shqip dhe shkollat shqipe në Luginën e Preshevës.
Derisa çështja e Kosovës Lindore është anashkaluar nga procesi i bisedimeve, është koha që Qeveria e Kosovës të tregohet më serioze dhe të mos lejojë që Qeveria serbe të luajë guxhas me të. Pra, kjo çështje të vendoset si kusht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Paramendoni çka deklaroi tri ditë më parë kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun. Ai tha se nuk do të ketë kurrë normalizim të raporteve me Kosovën derisa Prishtina nuk e zbaton Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sipas tij, gjithçka që flitet për normalizim është iluzion pa “Zajednicën”.
Pra, Serbia po e kushtëzon Kosovën për diçka që është shumë substanciale, që mund të ketë konsekuenca të paparashikueshme në të ardhmen për Kosovën. Ndërsa vazhdon të shkelë të drejtën themelore të njeriut – arsimimin në gjuhën amtare.
Kosova lëshoi pe në të gjitha marrëveshjet…
Një herë lësho pe për diplomat, një herë për targat, për Lëvizjen e Lirë, Asociacionin, strukturat paralele, “Parkun e paqes”. Pragmatizmi dhe reflektimi pro-evropian nuk nënkupton që vetëm njëra palë të tërhiqet, por të dyja të tregohen parimore.
Marrëveshja bilaterale ndërmjet shteteve bëhet me reciprocitet. Edhe ndërmjet librave mund të bëhet një analogji apo komparativitet, por kurrë nuk krahasohen librat me derrat. Për nxënësit e Luginës së Preshevës duhet të ngrihet zëri. Më shumë në Prishtinë, por edhe në Tiranë.


