ARKATANA

Samurai Rama dhe “Geisha” Osmani!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Behxhet Shala – Presidentja në ikje – shpresojmë pakthyeshëm – Vjosa Osmani, i ndezi motorët për edhe një mandat, duke shfrytëzuar të gjitha levat vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo përdori tërë arsenalin në një betejë që mendoi se e kishte fituar pa hyrë fare në fushë.

Bashkëdyzim i mashtrimit

Brenda Kosovës, sipas llogarive të saj, nuk kishte kundërshtarë. Partia të cilën e masakroi duke e ndarë në dysh – LDK-ja – ende ia mbante zhagun, me përjashtim të disa individëve me karakter dhe dinjitet.

Nëse dikush ka merita që Kurthi e bëri Kosovën pronë private, janë krahu i luftës dhe Vjosa Osmani. Sot, promotorët dhe katalizatorët e fitoreve të Kurthit po shkelen brutalisht pikërisht nga ai – “i biri” i tyre besëprerë.

Vjosa Osmani bëri shumë mëkate politike në përpjekje për të siguruar mandatin e dytë. Besoi se, si rrogëtare besnike e Kurthit, e kishte bekimin e “Babës”. Po ashtu, ishte e bindur se LDK-ja e masakruar prej saj do të qëndronte në sallë për ta kaluar në raundin e tretë, ashtu siç ndodhi në mandatin e parë.

Për votat e Listës Serbe, u mbështet te Mimoza Kusari, duke njohur afërsinë e saj me këtë subjekt dhe me Milan Radoiçiqin. Simulimi i “padëgjueshmërisë” ndaj Kurthit – duke ngritur zërin disa oktava – ishte më shumë shantazh sesa qëndrim. Harroi se çelësin kryesor të derës së Presidencës e mban Kurthi. Në mandatin e parë, ajo përdori një çelës rezervë.

Ajo ia plotësoi të gjitha kërkesat, duke qenë pjesë aktive e kalkulimeve zgjedhore, përfshirë caktimin e 28 dhjetorit si datë zgjedhjesh. Mendoi se kjo do të ishte garancia për një mandat tjetër. Duket se gaboi.

Në vitin 2021 i duhej për vota; sot, jo më. Presidentja në ikje është pa parti. Nuk ka guxim të kthehet në “Guxo”. Kthimi në LDK do të ishte rikthim në vendin e krimit politik. Nuk mund të kacavirret më pas Albinin. Prandaj, rruga e saj duket drejt zhdukjes politike.

A do ta mëshirojë Kurthi? Vështirë. Sidomos nëse vlerëson se dikush “ia shkel këmbën”, qoftë edhe pa qëllim.

Kjo nuk është luftë titanësh. Është shkurorëzim mes dy mashtruesve politikë që gjatë rrugëtimit të tyre nuk lanë kënd pa mashtruar e pa prerë në besë. Fundi i tyre s’mund të jetë as i mirë, as i ndershëm, as dinjitoz.

Aleatët pa vota

ARKATANA

Kur Vjosa Osmani e nuhati se po i treteshin gjasat nga Kurthi, iu drejtua Edvin Ramës për mbështetje. Rama deklaroi publikisht se Osmani ishte rrezikuar nga hetues të Gjykatës Speciale. Pretendim i pavërtetë. Hetuesit ishin aty në kuadër të detyrës së tyre.

Papritur, Osmani u shndërrua në patriote të zëshme dhe mbështetëse të UÇK-së. Kujtesa jonë politike, megjithatë, është tepër e shkurtër.

Rama u bë “samuraj” i “geishës” Osmani, duke pretenduar ndikim për ta afruar atë në rrethe amerikane. U përfol për takime, garanci dhe mbështetje. Por realiteti është më i ftohtë: vendimmarrësit amerikanë flasin me ata që kanë pushtet real. Vjosa Osmani nuk ka pushtet real – madje as pushtet moral.

Loja e Presidentit

Pavarësisht akrobacioneve politike, duket se LVV-ja nuk i bën votat për ta rizgjedhur. Albin Kurthi nuk po shfaq vullnet për rikandidimin e saj.

Ai ka rikthyer narrativën për një president nga familja Jashari. Edhe në vitin 2021 deklaronte se kishte ardhur koha për një president nga kjo familje – dhe përfundoi me Vjosa Osmanin.

Takimet e natës në Prekaz, konsultimet me opozitën dhe përfshirja e emrave të familjes Jashari në kalkulime politike ngrenë pikëpyetje serioze. Familja Jashari nuk duhet të bëhet pjesë e lojërave politike. Statusi i saj duhet të jetë mbi partitë dhe interesat ditore.

Nëse bëhen pjesë e manipulimit, rrezikojnë të jenë humbësit më të mëdhenj moralë.

Kurthi e di se përpara ka vendime të vështira, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Për këtë i duhet një autoritet simbolik si “rrufepritës”. Prandaj kërkon mburojë morale.

Ndërkohë, Kosova mbetet nën misione ndërkombëtare sigurie, ndërsa dërgon forca në misione paqësore jashtë vendit. Paradoks i madh politik.