15 Prilli 1999, dita kur gjaku i të rënëve vulosi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës
Viti – Më 15 prill 1999, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe sulmuan fshatin Skifteraj, së bashku me popullatën e strehuar aty nga fshatrat përreth. Banorët u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre; u plagosën, u vranë dhe u dogj gjithçka që u dilte përpara, vetëm pse ishin shqiptarë ka shkruar Enver Sahiti.
Postimi i plotë:
Ne, banorët e Budrikës, ishim dëbuar që më 10 prill, por 15 prilli shënoi dëbimin e dytë, edhe më të ashpër. U detyruam të tërhiqeshim drejt maleve të Karadakut, në vendin e quajtur “Therrali”. Nuk ishim vetëm ne, aty u grumbulluan qindra e mijëra të zhvendosur nga zona të ndryshme, përfshirë edhe familje nga Drenica, të cilat kishin përjetuar më parë valë të njëpasnjëshme zhvendosjesh.
Sulmi në Skifteraj la pasoja të rënda: mbi 17 të plagosur dhe 6 të vrarë, si dhe dëme të mëdha materiale. Mes viktimave ishin dy vajza të mitura, Shkurte dhe Malsore Sadiku (5 dhe 8 vjeç), dy gra të moshuar, Sahide Ramadani nga Skifteraj dhe Hatixhe Mustafa nga Budrika, si dhe dy të rinj, Selami dhe Mehmet Ismajli.
Pas 27 vitesh, kjo ditë kujtohet me dhimbje dhe ankth. Popullata e pambrojtur u përball me një dhunë të egër, ku forcat paramilitare u vërsulën pa mëshirë ndaj civilëve, fëmijë, pleq, gra shtatzëna e lehona, me synimin e qartë për spastrimin etnik dhe shkatërrimin e çdo gjurme shqiptare në këto troje.
Lavdi të rënëve të 15 Prillit. Therrali, vend strehimi dhe shpëtimi Vendi i quajtur “Therrali”, në Stubllën e Poshtme, u shndërrua në një nga pikat më të mëdha të strehimit gjatë luftës së prillit 1999.
Shtëpia e veprimtarit Ekrem Abazi, e ndërtuar në vitin 1974, mori një rol të jashtëzakonshëm human: ajo u bë strehë dhe spital për mbi 20 mijë të zhvendosur nga Anamorava, Karadaku dhe zona të tjera të Kosovës.
Edhe pse e braktisur për vite me radhë, kjo shtëpi u rikthye në jetë në momentet më të vështira. Familja Abazi, përballë një situate dramatike, e hapi shtëpinë për të plagosurit dhe të zhvendosurit, duke e kthyer atë në një qendër shpëtimi.
Më 15 prill, pas sulmit në Skifteraj, një numër i madh të plagosurish dhe civilësh u drejtuan drejt Therralit. Zona, ndonëse e rrethuar nga forcat serbe, shihej si një mundësi e vetme për mbijetesë, për shkak të afërsisë me kufirin. Kujtoj si sot mëngjesin e 16 prillit, kur mbërritëm në Therrali.
Aty takuam mjekun Dr. Jashar Ramadani, i cili, me duar ende të përgjakura, sapo kishte ndihmuar në lindjen e një foshnjeje në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ai na këshilloi për organizimin e qëndrimit dhe për shmangien e rreziqeve shëndetësore në atë grumbullim të madh njerëzish.
Spitali i improvizuar dhe solidariteti njerëzor Shtëpia e Ekrem Abazit u shndërrua në një spital të improvizuar, ndoshta më i madhi i atyre ditëve në atë zonë. Aty u trajtuan dhjetëra të plagosur, 27 vetëm nga sulmi i Skifterajt, Budrikës dhe Mogillës.
Fatkeqësisht, jo të gjithë arritën të mbijetonin. Hatixhe Mustafa nga Budrika ndërroi jetë nga plagët e marra dhe u varros në oborrin e kësaj shtëpie, ku prehet edhe sot. Falë organizimit të mjekëve dhe ndihmës së popullatës, u arrit të shpëtohen shumë jetë.
Dr. Jashar Ramadani, së bashku me kolegë të tjerë dhe staf ndihmës, organizuan shërbimin mjekësor në kushte minimale. Edhe banorët e fshatrave përreth kishin sjellë barna dhe pajisje, të grumbulluara më herët për nevoja lufte. Gjatë asaj periudhe, ndodhën edhe lindje, shtatë gjithsej, në kushte tejet të vështira. Dy prej foshnjave u pagëzuan me emrat Qëndresa dhe Qëndrim, si simbol i forcës dhe shpresës. Të gjitha foshnjat mbijetuan. Përveç të plagosurve, ndihmë mjekësore morën edhe shumë të zhvendosur, sidomos fëmijë, të cilët përballeshin me të ftohtin dhe rrezikun e sëmundjeve. Kujdesi ishte i vazhdueshëm dhe i organizuar me përkushtim të madh. Qëndresa dhe shpresa Pavarësisht rrethanave të rënda, pati përpjekje për të ruajtur normalitetin dhe shpresën.
Ekrem Abazi, bashkë me familjen dhe bashkëfshatarët, punuan për të siguruar ushqim dhe për të inkurajuar qëndrimin në vend, duke shmangur rreziqet e largimit drejt kufirit. Madje, ai filloi edhe mbjelljen e misrit, si një simbol i jetës dhe vazhdimësisë. Pas disa ditësh, një pjesë e banorëve u kthyen në shtëpitë e tyre, megjithëse frika mbeti e pranishme.
Shtëpia e Ekrem Abazit në Therrali mbetet një simbol i humanizmit, sakrificës dhe solidaritetit në kohë lufte. Ajo duhet të trajtohet si një objekt me vlera të veçanta historike dhe të mbrohet si pjesë e kujtesës kolektive. Është detyrim moral dhe institucional që këto vende dhe këta njerëz të mos harrohen. Sepse historia nuk ndërtohet vetëm nga luftëtarët në front, por edhe nga ata që shpëtuan jetë, strehuan të pambrojturit dhe mbajtën gjallë shpresën në ditët më të errëta./enversahiti/rajonipress/


