Studioja “Harmony” zgjeron veprimtarinë në Viti, Haliti pret përfaqësueset dhe balerinat
Viti – Mundësitë për zhvillimin e talenteve të reja në fushën e artit dhe kulturës po zgjerohen në komunën e Vitisë, me fillimin e veprimtarisë së Studios së Baletit dhe Muzikës “Harmony” në këtë komunë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim përfaqësueset e studios, themeluesen dhe mësuesen e baletit Rudina Sojeva, profesoreshën e pianos dhe këndimit Lendita Ahmeti, si dhe balerinat e studios.
Gjatë takimit, Haliti është njoftuar me punën, programet dhe objektivat e “Harmony”, e cila u ofron fëmijëve dhe të rinjve mundësi për të zhvilluar talentet dhe aftësitë e tyre në balet, piano, këndim dhe këndim koral.
Kryetari Haliti e ka përgëzuar stafin e studios për këtë iniciativë dhe për angazhimin në promovimin e edukimit artistik të brezave të rinj. Ai ka vlerësuar se krijimi i hapësirave të reja për fëmijët dhe të rinjtë për të kultivuar talentet e tyre i jep një dimension të rëndësishëm jetës kulturore të komunës.
Haliti u ka uruar përfaqësueseve dhe nxënëseve të studios suksese në veprimtarinë e tyre në Viti, duke theksuar se iniciativa të tilla kontribuojnë në pasurimin e skenës kulturore dhe artistike dhe në afirmimin e talenteve të reja./rajonipress/


