Aleanca hedh thëngjill para dyerve të Qeverisë, Ramadani: Nga terri energjetik, Kosova po hyn në terr politik
Aleanca ka zhvilluar një aktivitet simbolik para hyrjes së objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur thëngjill para dyerve të objektit të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.Sipas Aleancës, ky aksion synon të përcjellë mesazhin për krizën energjetike dhe, siç e cilësojnë ata, “terrin politik” në vend.
Ata kanë lënë në hyrje edhe një pankartë, me mesazhin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se Kosova gjatë viteve të fundit ka kaluar nga terri energjetik drejt një situate që ai e konsideron terr politik.
“Me Kurtin dhe me Vetëvendosjen, gjashtë-shtatë vitet e fundit Kosova nga një terr energjetik, që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik”, deklaroi Ramadani.
Ai tha se simbolika e thëngjillit lidhet me pasuritë nëntokësore të Kosovës, duke kritikuar mungesën e investimeve në sektorin energjetik dhe blerjen e energjisë nga jashtë.
“Mesazhi dhe simbolika e thëngjillit, e qymyrit të Kosovës, është se Kosova edhe më tutje po flen mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu”, tha Ramadani.
Sipas tij, një prej pikave kryesore të ofertës gjashtëpikëshe të Aleancës është ndërtimi i një termocentrali të ri në Kosovë.
Ramadani pretendoi gjithashtu se gjatë këtyre viteve rreth 1 miliard euro janë shpenzuar për blerjen e energjisë elektrike nga Serbia dhe vende të tjera, duke thënë se nga kjo situatë, sipas tij, ka përfituar “mafia energjetike”.
“Dhe është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e vende të tjera, e prej kësaj ka përfituar askush tjetër përpos mafias energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën bashkë duke e nxjerrë këtë qymyr për popullin e Kosovës, dhe nuk ka përgjegjësi as politike, as menaxheriale. E nëse gjatë këtyre viteve ka përfitu mafia energjetike prej territ energjetik, kush po përfiton prej territ politik. Pra është i njëjti koncept, pra e kanë pas, e kanë mbajtë dhe e kanë mirëmbajtë dhe e kanë ushqy terrin energjetik, tash kanë kalu në fazën tjetër që është terri politik”, tha ai.Ai akuzoi Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po e mbajnë vendin në atë që e cilësoi “terr politik”, duke e lidhur këtë me bllokimin e institucioneve dhe pamundësinë për krijimin e tyre.Aleanca paralajmëroi se aktivitetet simbolike do të vazhdojnë dhe do të shtohen në numër e intensitet.
Sipas Ramadanit, simbolika e thëngjillit synon të rikthejë vëmendjen te pasuritë energjetike të Kosovës dhe nevoja për investime në prodhimin vendor të energjisë.
Ramdani ka folur edhe për vdekjet e punëtorëve në KEK, duke thënë se për këtë duhet përgjegjësi politike dhe menaxheriale.“Këto janë dy tema që duhet të ndahen. E para, sa i përket përgjegjësisë, ne i shprehim ngushëllimet tona të gjithë punëtorëve që kanë humbur jetën duke punuar për me na dhanë neve dritë, gjithë qytetarëve të Kosovës, për këtë duhet përgjegjësi politike e menaxheriale. Pra, nuk mund të kalohet kjo temë sikurse s’ka ndodhur asgjë, sikurse ka ndodhur diçka jashtë Kosovës. Ajo është ndërmarrje publike, pra e shtetit, udhëhiqet prej njerëzve që i cakton qeveria dhe njerëzit e tyre, dhe përgjegjësia politike edhe menaxheriale është direkt këtu ku e kemi derdhur edhe qymyrin si si shenjë simbolike”, ka shtuar ai.
“Sa i përket termocentralit të ri edhe kapaciteteve të reja, krejt çka ka bërë Aleanca, e që është e vetmja që ka pasur projekt edhe më herët, e i cili fatkeqësisht është ndërprerë nga këta pushtetar, është që burimet e Kosovës me u përdorur, nuk ka nevojë Kosova me blerë rrymë me miliarda në Serbi e në vende të tjera, me mbetur në terrin energjetik, ndërsa burimet tona mos me u përdorur. E keni parë, më lehët e shesin qymyrin në Maqedoni e pastaj shkojnë e blejnë rrymën shumë fish më shtrenjtë sesa që këtë qymyr me e përdorur për prodhim vendor edhe Kosova me u pavarësuar nga aspekti energjetik”, ka thënë ndër të tjera Ramadani.Javën e kaluar Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për t’i shitur qymyr Maqedonisë së Veriut, gjë për të cilën Kurti mori kritika nga partitë ish-opozitare.


