Uji Dea

Ibush Hetem Haziri, një jetë sakrifice në themelet e rezistencës kombëtare

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Figura e Ibush Hetem Haziri zë një vend të veçantë në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare në Anamoravë. I lindur në Bresalc të Gjilanit, ai konsiderohet ndër themeluesit kryesorë të strukturave të NDSH për rrethin e Gjilanit, një organizim që në vitet e pasluftës së Dytë Botërore mbajti gjallë frymën e rezistencës dhe aspiratën për liri.

Ka histori që nuk shkruhen vetëm në dokumente gjyqësore, por në ndërgjegjen e një kombi. Dënimi me 20 vite burgim nuk e përkuli, përkundrazi, e skaliti si figurë të qëndresës dhe dinjitetit. I burgosur, por i pathyer; i izoluar, por me ideal të gjallë, ai e ktheu vuajtjen në forcë dhe sakrificën në testament moral për brezat që erdhën pas tij.

Ibush Hetem Haziri, shtylla stoike e qëndresës shqiptare

Në historinë e rezistencës kombëtare shqiptare ka burra që nuk u thyen as nga prangat, as nga dhuna, as nga errësira e qelive. Një ndër ta është Ibush Hetem Haziri, figurë stoike, e skalitur nga torturat dhe e lartësuar nga qëndresa. Ai nuk ishte thjesht i mbijetuar i burgjeve serbe; ai ishte dëshmi e gjallë e asaj se si njeriu mund ta mbajë të paprekur dinjitetin edhe kur përballet me çnjerëzoren.

I lindur në Bresalc të Gjilan, Ibush Haziri u bë ndër themeluesit kryesorë të strukturave të NDSH për rrethin e Gjilanit, një organizim që në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore mbajti gjallë frymën e rezistencës dhe aspiratën për liri kombëtare. Në kohë kur frika ishte bërë sistem dhe heshtja imponim, ai zgjodhi fjalën dhe veprimin.

Burgjet serbe u përpoqën ta thyejnë. Torturat ishin të pamëshirshme, të planifikuara për ta shkatërruar trupin dhe për ta lodhur shpirtin. Por Ibushi doli prej tyre me qëndrim edhe më të fortë, me bindje edhe më të kthjellët. Ai u bë figurë e qëndresës së heshtur, një burrë që mbante mbi supe peshën e përjetimeve të rënda, por që fliste qetë, me memorie të kthjellët, me një rrëfim të strukturuar e të ngulitur thellë në ndërgjegje.

Në oda e konaqe, ai qëndronte me orë të tëra duke shpjeguar zullumin e regjimit, torturat që kishte përjetuar dhe padrejtësitë që rëndonin mbi shqiptarët. Nuk fliste me mllef, por me një qetësi që të trondiste më shumë se britma. Çdo fjalë e tij ishte dëshmi, çdo kujtim një akt akuze ndaj dhunës sistematike. Ai nuk kërkonte mëshirë; kërkonte ndërgjegjësim.

Ibush Hetem Haziri, themeli moral i rezistencës në Anamoravë dhe simbol i pathyeshmërisë shqiptare

Ibush Hetem Haziri mbetet një nga themelet e rezistencës kombëtare në Anamoravë, një burrë gjigant në përmasën morale, që jetoi me sakrificë dhe la pas shembullin e pathyeshmërisë. Historia e tij nuk është vetëm kronikë e vuajtjes, por testament i qëndresës shqiptare, një kujtesë se liria ndërtohet mbi sakrificën e atyre që nuk u përkulën kurrë.

Pas hekurave ai mbeti i lirë në bindje, duke dëshmuar se burgu mund të prangosë trupin, por kurrë idealin. Familja e tij përjetoi dhimbje e mungesë, por sot ajo dhimbje është shndërruar në krenari. Sepse veprat e tij, heroizmi i heshtur dhe qëndrimi i palëkundur nuk ishin vetëm kapitull personal, ishin pjesë e një historie më të madhe, që ai ua la trashëgim fëmijëve të tij si pasurinë më të çmuar: nderin, guximin dhe dashurinë për atdheun.

Njeri i fjalës dhe i veprës, i urtë, i përmbajtur dhe me autoritet natyror, Haziri jetoi me parime të qarta dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj çështjes kombëtare. Ai punoi dhe veproi me ndershmëri e përkushtim, duke mbetur vertikal në bindjet e tij edhe në rrethanat më të vështira. U nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë historike, e cila tejkalon kufijtë lokalë të Anamoravës dhe merr përmasa kombëtare.

Që në vitin 1944, ai ishte përfshirë në përballjet kundër formacioneve çetnike serbe, ndërsa më pas iu bashkua grupit të veprimtarit Adem Gllavica, duke marrë pjesë aktive në zhvillimet e armatosura në rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt.

Në vitin 1947, në shtëpinë e tij në Bresalc, u formua grupi i NDSH-së për rrethin, së bashku me vëllanë e tij Agushin. Arrestimi i tyre më 14 nëntor 1949 shënoi fillimin e një kalvari të gjatë vuajtjesh. Në vitin 1950, pas një procesi gjyqësor të shkurtër në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Agushi u dënua me vdekje, ndërsa Ibushi me 20 vjet burgim të rëndë.

UBT

Vitet e burgut i kaloi nëpër burgjet famëkeqe jugosllave, nga Gjilani në Prishtinë e deri në Sarajevë, duke ndarë qelinë me figura të njohura politike, përfshirë Adem Demaçi dhe Milovan Đilas. Në vitin 1962, pas 14 vitesh burgim, u lirua në kuadër të një amnistie.

Ibush Haziri, stoiku që sakrificën nuk e këmbeu kurrë me privilegj, por me ideal

Pavarësisht vuajtjeve dhe sakrificave personale, Haziri nuk kërkoi asnjëherë privilegje apo përfitime. Ai nuk doli para kamerave dhe nuk e përdori historinë e tij për lavdi personale. E vetmja pasuri që e konsideronte shpërblim ishte familja e tij, që e priti gjallë pas kthimit nga burgu dhe ideali që mbeti i papërkulur.

Sot, familja e tij e kujton me krenari. Djali i tij, Fadil Haziri, e përshkruan si njeri me kulturë të gjerë politike, me oratori të spikatur dhe me njohuri që shpesh tejkalonin nivelin e politikanëve të kohës. Por mbi të gjitha, ai mbetet simbol i një brezi që veproi në heshtje dhe sakrifikoi pa kërkuar shpërblim.

Me një ndjenjë të thellë krenarie dhe emocioni të përmbajtur, Fadili, rikthen në kujtesë figurën e babait të tij dhe kalvarin e torturave që ai përjetoi në burgjet famëkeqe serbe. Ai flet jo vetëm si bir, por si dëshmitar i një historie sakrifice që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në familje dhe në kujtesën kolektive.

“Baba ka qëndruar në burgje me figura të ndryshme, madje edhe me Milovan Gjilasin. Ishte njeri me oratori të rrallë dhe me një horizont të gjerë njohurish, shpesh i kuptonte proceset politike më thellë se vetë politikanët tanë. Jam i lumtur dhe krenar që na la këtë pasuri të madhe morale, të lidhur ngushtë me çështjen kombëtare”, shprehet Fadili.

Dinjitet mbi dhimbjen, trashëgimia morale e një burri që vuajtjen e ktheu në mësim

Në rrëfimin e tij nuk ka mllef, por dinjitet; nuk ka ankesë, por respekt. Ai e kujton të atin si një burrë që vuajtjen nuk e shndërroi në urrejtje, por në mësim, dhe që trashëgiminë më të çmuar nuk e la në pasuri materiale, por në vlera, në qëndresë, në dije dhe në besnikëri ndaj idealit kombëtar.

Ibush Hetem Haziri ishte më shumë se një veprimtar lokal. Ai ishte pjesë e një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë, një njeri që në ditët më të errëta punoi për ta mbajtur gjallë idealin e lirisë. Koha mund të kalojë, por figura e tij mbetet e gdhendur në kujtesën historike të Kosovës, si dëshmi e një jete të jetuar me besë, me dinjitet dhe me përkushtim të palëkundur ndaj atdheut.

Ibush Haziri do të jetojë gjatë në kujtesën e njerëzve, sepse ka emra që nuk i mban gjallë pushteti, por fjala e mirë dhe kujtimi i pastër. Emri i tij do të përmendet në ndeja, në takime e në oda burrash, aty ku rrëfehen historitë e qëndresës dhe peshohen fjalët me nder.

Edhe nëse institucionet heshtin apo vonohen t’ia japin vendin e merituar, koha nuk e zbeh figurën e tij. Sepse historia tashmë ka folur për Ibush Hazirin dhe fjala e saj është më e fortë se çdo pllakë përkujtimore./rajonipress/