Hidromorava

Takimi i fundit me Xhemën

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sabit Rrustemi – Xhemail Mustafën, si emër, e kam njohur nga viti 1978, që kur i nisi shkrimet e para publicistike në gazetën e përditshme “Rilindja”, si e vetmja gazetë që dilte atë kohë në Kosovë, pjesë e së cilës do të bëhej nga viti 1979 e deri në mbylljen e saj. E mbaj mend për një polemikë të stërzgjatur atë kohë me Mustafë Xhemajlin, emrat e të cilëve shpesh na përziheshin pa qëllim. Madje, dikush që nuk e njihte as njërin e as tjetrin, dyshonte se, mos është i njëjti person por që herë e qitte emrin përpara e mbiemrin mbrapa, herë e bënte të kundërtën.

Më pas, emri i tij u sforcua, sidomos me shkrimet kritike në rubrikën e kulturës në “Rilindje” ku çdo të shtune botonte nga një recension për librat e botuar nga Redaksia e Botimeve “Rilindja”.

Prej vitit 1990 e këndej, me Xhemën jemi njohur edhe së afërmi dhe, jemi takuar shpesh në barakën e Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës, tash, “Shtëpia e pavarësisë”.
I qetë si gjithmonë, i urtë dhe me atë qeshjen e përhershme të çiltër, përshëmdeste, merrte ndonjë informacion, rrallë jepte ndonjë koment dhe, i përvishej punës. Ishte ndër drejtuesit kryesor të Qendrës për Informim të Kosovës. Presidenti Rugova, që e çmonte shumë për punën cilësore dhe për sjelljen e tij intelektuale dhe fjalëpaktësinë e tij në publik, e bëri nga ditët e para, pjesë të Kabinetit të tij.

Gjatë viteve 1996, 1997 e 1998 kam pasur kontakte më të shpeshta, me Xhemën. Por, gjithnjë pa e zgjatur dhe pa e penguar më shumë se 4-5 minuta.
Në vitin 1997, pata rastin dhe kënaqësinë t’ia dhuroj librin e dytë me tregime, “Maska e Mysafirëve”, për të cilin bëri një vështrim të thukët dhe e botoi në gazetën “Bujku” e, më pas edhe në librin me vështrime letrare, “Mrekullia e shkrimit”.

Në një mbledhje bukur të nxehur të KP të LDK-së, më 15 mars 1998, bëri një ndërhyrje të butë dhe të favorshme për mua, në çastin kur doja ta merrja fjalën e që Presidenti Ynë, pa më shikuar fare, nuk donte të ma jepte. Ishte fjala për Degën e LDK të Gjilanit, sjelljet e së cilës e kishin nevrikosur.

Xhema i tha: “kryetar, Sabiti po e kërkon fjalën …jo dikush tjetër”. Atëherë Rugova ngriti kokën, më buzëqeshi dhe pati kurajon të më dëgjojë deri në fund.
Diku kah fundi i vitit 1998, në ngjarjet e bujshme të asaj vjeshte dhe të një serie atentatesh, e kam parë tepër të shqetësuar dhe të brengosur. Po, jo të pashpresë. Besonte se Kosova do ta arrijë pavarësinë, pavarësisht sfidave.
Gjatë luftës, e dija se ka mbetë i ngujuar në Prishtinë. Asgjë më shumë…
Pas luftës, jemi takuar dhe më shpesh.

Në pranverën e vitit 2000 e ftova dhe ishte pjesëmarrës në një debat publik në Teatrin e Qytetit në Gjilan. Xhema ishte ndër më të mirët në temën rreth politikave dhe Programit të LDK-së për shtetin e Kosovës.

Më 17 qershor të vitit 2000 do të vijë sërish në Gjilan, tash në përcjellje të vizitës së parë që Rugova e bënte si Presidenti i Republikës së Kosovës, i zgjedhur me votën e popullit që nga 24 maji i vitit 1992 …

Nga gjithë ajo dashuri e mbështetje e madhe për Presidentin që e pa në rrugët kryesore të Gjilanit, në Zhegrën e Grykës së Karadakut dhe më pas në Pallatin e Sporteve në Gjilan, ai, i entuziazmuar shkroi kolumnen ndër më të mirat, me titull “Energjia e popullit” ku, pa hamendje parashikoi fitoren e madhe të LDK-së, në zgjedhjet që do të mbaheshin gjatë vjeshtës së atij viti.

Mobi Casa

Xhemën, mezi prisja ta “takoja” gjatë vitit 2000, për çdo të marte në kolumnet që i botonte në gazetën kombëtare “Bota sot” me titull “Analiza e së martes”.
I mbaj mend shumicën e këtyre analizave, për saktësinë, çiltërsinë dhe korrektësinë e mendimit për situatat e ndryshme nëpër të cilat po kalonte Kosova, në periudhën e pasluftës.

Ka qenë data 21 nëntor 2000 kur me një delegacion të Degës së LDK të Gjilanit, po ktheheshim prej Varrezave të Prishtinës ku bëmë homazhe te varri i dr. Xhavit Ahmetit, në përvjetorin e vdekjes së tij tragjike.

U takuam krejt rastësisht , te Varri i Bajram Kelemendit dhe dy djemëve të tij. Me Xhemën ishte dhe Nekibe Kelmendi e Agim Krasniqi.

Ndalëm veturat, zbritëm dhe u përshëndetëm. Madje i dhamë kurajo veçmas zonjës Nekibe, e cila me të drejtë cilësohej njëra nga gratë më të forta të Kosovës.
Pastaj u ktheva kah Xhema. I thashë: Ta lexova analizën e kësaj të marte, “Mallkimi i popullit nga të mallkuarit e popullit”. Vetëm buzëqeshi ashtu lehtë, me modesti. Ruaju shoq se këta nuk të falin, ia thashë troç. Ai prapë më buzëqeshi, kësaj here edhe me dy-tri fjalë. Unë po e bëj punën time, atë që duhet bërë secili prej nesh. Asgjë më shumë.

U përshëndetëm. Ata shkuan për të bërë homazhe te varri i dr. Xhavit Ahmetit, ne u kthyem për në Gjilan.

Pas dy ditësh, u mpina prej lajmit të kobshëm që kaploi Kosovën. As nuk e besoja , as nuk dija si ta shpjegoja. Thjeshtë, mbeta pa fjalë.

Pas dy a tri ditësh, si për ta ngushëlluar veten më shumë, shkrova poezinë në tri pjesë, “Rekuiem për Xhemën”. Ç’t’ë bëja tjetër ?

Xhema la një boshllëk të madh në jetën publike të Kosovës, boshllëk që nuk po mbushet akoma, as pas kaq vitesh kur dhunshëm dhe në mënyrë tinzare e barbare e privuan nga e drejta për të jetuar… dhe për të kontribuar për vizionin që aq shumë e kish gjakuar dhe për realizimin e tij, ish angazhuar: Lirinë, Pavarësinë dhe demokracinë !

Sabit Rrustemi
Zhegër, 23 nëntor 2016