UBT

Një shembull i rrallë i arsimtarit Sadri Bajrami nga Zhegra e Gjilanit

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Sadri Bajrami është nga fshati Zhegër, komuna e Gjilanit. Ai, tash e 26 vjet jeton në Zvicër. Jeton, por mendja atij i shkon përherë tek vendlindja. Ai tashmë është në pension. Para do dite e takuam Sadri Bajramin në Gjilan. Ky takim ishte shumë interesant pas 26 vjetësh. Ishte një kohë mjaft e gjatë që nuk ishim parë. 26 vite moshë e ndryshuar. Pse jo?

Sadri Bajrami është me profesion arsimtar i gjeografisë. Ai punoi disa vite në Shkollën fillore “Agim Ramadani” të këtij lokaliteti. Punoi, por “gjendja” e rëndë e asaj kohe, e detyroi atë ta lë ditarin e punës dhe ta marrin rrugën e mërgimit. Iku me qëllim për ta “rregulluar” gjendjen familjare. “Po, tha Sadri Bajrami, – nuk ika nga dëshira të lë familjen e gjerë, por kushtet e rënda ekonomike më detyruan të largohem nga vendlindja. Po rëndë ishte të ndahesh nga profesioni i arsimtarit. S’kisha rrugë tjetër të daljes nga kjo krizë jete.

Një ditë prej ditëve, në vitin, më 18 dhjetor të vitit 1991, ika me familje dhe u gjenda në Zvicër (Lozanë). Ika si pa krye. Hyra të punoj në një fabrikë të ngjyrërave “Ciel peintyre”. Këtu bëra punë jashtë profesionit. Më në fund, i gëzohesha kësaj pune, sepse e mbaja familjen time. I kam tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Gjer vonë, largimi nga vendlindja nuk më hiqej nga mendja. E ëndrroja vendin, shkollarët, kolegët e punës dhe familjen. Vendlindja, si do që të jetë, ajo është vendlindje. Nuk ka me vendlindjen! Më në fund zgjodha rrugën për jetë. E lash shtëpinë, shokët, shkollarët…

T’ju them të drejtën, shtëpinë, që e lash zbrazur, pa njerëz, ua dhurova shkollarëve të paraleleve të ndara të gjimnazit të Gjilanit në Zhegër, të cilët, siç mësova, vijonin mësimet atë kohë në të ashtuquajtura “Shtëpi-shkollë”. E ndjeva vehtën të gëzuar, për faktin se veprova mirë duke ua liruar shtëpinë me disa dhoma nxënësve të gjimnazit të Zhegrës për të vijuar mësimet në ato kushte të rënda nën okupimin serb. Nga ky gjest imi, u gëzuan prindërit dhe shkollarët e këtij lokaliteti. Me një fjalë, ua fala shtëpinë time dhe të vëllaut për t’i vijuar mësimet shkollarët e këtij lokalitetit” shtoi S. Bajrami nga Zhegra, por tash me vendbanim në Gjilan.

Siç dihet, në ato vende ku punuan paralelet e gjimnazit, në të ashtuquajtura “shtëpi – shkolla”, në masë të madhe janë djegur e dëmtuar gjatë luftës së fundit në Kosovë 1999. Por, më së shumti mësimi është zhvilluar në shtëpinë e Sadri Bajramit, arsimtar i gjeografisë, nga Zhegra, i cili, kur dëgjoi se nxënësit e Zhegrës se mësojnë e enden prej një shtëpie në tjetër, ai çoi fjalë dhe e lëshoi shtëpinë e vet për shkollarët e këtij lokaliteti. Sadriu, për shkaqe ekonomike e la ditarin e punës dhe u gjend në botën e jashtme, Zvicër e largët.

Autori i këtyre radhëve, për këtë humanizëm të madh që bëri Sadri Bajrami për shkollën kombëtare shqipe, shkroi një artikulli me titull: ”Shtëpia e arsimtarit – shkollë”, në (Rilindja, 14 gusht 1995). Këtu në Zhegër, për herë të parë, në vitin shkollor 1994/95, diplomuan nxënësit e këtij lokaliteti në Gjuhë e letërsi shqipe. Dhunë është përdorur dhe tek nxënësit e këtij gjimnazi, të cilët, policia serbe, shpeshherë i ka vizituar dhe i ka maltretuar duke ua grisur fletoret e librat shkollor.

Eco Higjiena

Por, edhe pas kësaj dhune të barbarisë serbe, mësimi nuk është ndalë, por edhe më me ngulmë është punuar drejt fitores së lirisë.
Ato vite të kaluara, Sadri Bajrami i ka liruar dy shtëpi me 5 dhoma mësimi gjatë vitit 1991/92; 1992/93; 1993/94; 1994/95. Por, të tillë zhegras kanë liruar dhoma mësimi, si: Kadri Neziri, punëtor i KEK-ut, nga Zhegra, i cili e ka liruar një dhomë gjatë vitit 1995/96, 1998/99; Nasuf Isufi, arsimtar në pension, tash i ndjerë, nga fshati Zhegër, e ka liruar lokalin për zyrë të arsimtarëve gjatë vitit 1998/999; Isuf Jahiu, po ashtu arsimtar i biologjisë në Shkollën fillore në Zhegër, tash në pension, ka liruar shtëpinë e tij me tri dhoma mësimi gjatë kohës 1993/94; Musli Ukshini, arsimtar i matematikës, ka liruar disa herë shtëpinë për të mbajtur mësim nxënësit e këtij lokaliteti; Mejdi Kadriu, po ashtu ish arsimtar, tash në pension, ka liruar shtëpinë disa herë për nxënësit e gjimnazit, Fehmi Ajvazi, krijues, nga ky mes, ka liruar familja e tij shtëpinë disa herë për nevojat e zhvillimit të mësimit të nxënësve të këtij lokaliteti, Muharrem Rrahmani nga Zhegra, ka liruar dy dhoma për të zhvilluar mësimi shqip gjatë kohës 1996/97; Shaban Veliu, nga fshati Zhegër, gjithashtu ka liruar një dhomë – zyrë administrative për nevojat e arsimtarëve të këtyre paraleleve të gjimnazit, gjatë kohës 1998/99; Shaqir Jakupi nga Zhegra, ka liruar një dhomë për mësim gjatë viteve 1996/97; Sokol Goçi nga Zhegra, liroi një dhomë gjatë viteve 1996/97, Beqir Hajrullahu, ka liruar shtëpinë për proces mësimor, Zijadin Avdiu, liroi një dhomë, 1992/95, Nazif Bislimi, po nga Zhegra, liroi dy dhoma për mësim gjatë viteve 1998/99. Të shtojmë edhe këtë se, në shtëpinë e Nasuf Isufit ishte lokali zyrë, ku u shpërndan ditarët e punës. Këtu shkollarët e Zhegrës i gjeti lufta. Pas luftës së fundit 1999, ditarët e punës janë gjetur të grisur nëpër rrugët e këtij fshati.
Një ditar ruhet edhe sot, ku serbët lokalë e kanë thyer lokalin dhe e kanë djegur tërë dokumentacionin shkollor.

Në anën tjetër, disa nga arsimtarët e gjimnazit janë maltretuar. Berat Kosumi, profesor i fizikës, që vinte çdo ditë nga Presheva, ai dy herë është marrë në pyetje në polici në biseda informative. Ai disa herë ka udhëtuar në këmbë për të shkuar gjer në Preshevë dhe anasjelltas. Por, nuk duhet harruar edhe punëtorin ndihmës, Vehbi Bislimin, nga Zhegra, tash i ndjerë, i cili, disa herë arsimtarët udhëtarë i ka marrë në shtëpi jo vetëm për të ngrënë ushqim, por edhe për t’i strehuar. Ky ka qenë një organizator i madh i punës së mbarëvajtjes së mësimit në këto paralele të gjimnazit.

Ishte Adem Lipovica që udhëtonte nga Dardana për në Zhegër, Berat Kosumi nga Presheva etj. Këto paralele u ndihmuan nga popullata e këtij lokaliteti. Mandej, prindërit e nxënësve ua paguanin rrugën profesorëve të tyre. Në këtë kohë dhune, disa herë janë ndalë nxënësit shqiptarë nga ana e policëve serbë. Atyre (nxënësve), ua kanë marrë librat apo edhe ua kanë grisur. Edhe pas kësaj dhune, nxënësit shqiptarë nuk janë ndalë nga shkolla. Një dhunë të egër e kanë pësuar edhe pronarët e shtëpive- shkolla. Ata janë maltretuar nga organet e dhunshme serbe. Ata dhanë edhe bukë, por edhe i strehuan profesorët udhëtarë nëpër shtëpitë e tyre.

Pati profesorë të këtij gjimnazi që udhëtuan nga Dardana, si është rasti i Adem Lipovicës. Këta profesorë asnjëherë nuk munguan nga procesi mësimor, por u ndihmuan jo vetëm për udhëtimin e tyre, por pati rast ku janë ndihmuar me miell e me sende tjera për jetë. Më shumë se dhjetë vite gjimnazi i Zhegrës punoi nëpër shtëpia private.

Në anën tjetër, serbët vendorë, jo vetëm që ua kanë djegur banorëve të Zhegrës shtëpitë, ku mbahej mësimi, por ata e kanë plaçkitur edhe zyrën ku janë ndërruar ditarët e punës. Është gjetur i dëmtuar pas luftës ditari i klasës II-ll e Naser Aliu. Por, gjesti human i Sadri Bajramit, nga Zhegra nuk harrohet. Ai bëri një vepër të madhe, e cila, edhe pas 18 vjet në liri, kjo vepër bamirëse e tij nuk harrohet. Të lumtë Sadri Bajrami!/tefik selimi/rajonipress/