A mund të fajësohen gjashtë deputetë për dështimin e zgjedhjes së presidentit?
Debati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës është zhvendosur te gjashtë deputetë të LDK-së që nuk pranojnë ta mbështesin kandidatin për të cilin partia e tyre u mor vesh me LVV-në. Qëndrimi i tyre ka shkaktuar përplasje me udhëheqjen e partisë dhe ka rrezikuar marrëveshjen politike për zgjedhjen e presidentit. Por, a mund të mbahen përgjegjës vetëm këta deputetë?
Një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës ngjalli shpresa se vendi më në fund do të mundë të dilte nga kriza gati dyvjeçare politike. Por, ato shpresa u shuan shpejt, kur edhe deputetë nga njëra palë e marrëveshjes i dolën ujdisë kundër.
Përgjegjësia për dështimin e zgjedhjes së presidentit, e cila deri tani ishte bartur herë te njëra e herë te pala tjetër, tash po u vihet gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – nga vetë kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, si dhe nga homologu i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kandidati i tyre, Bekim Sejdiu, nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur president i ri i Kosovës.
Vota individuale përballë qëndrimit partiak
Njohës të çështjeve juridike e politike thonë për Radion Evropa e Lirë (REL) se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit në një Kuvend prej 120 deputetësh nuk mund të kufizohet në gjashtë deputetë të caktuar.
Sipas tyre, marrëveshjet politike mes partive nuk e zëvendësojnë mandatin individual të deputetit. Edhe kur një parti ka arritur marrëveshje për mënyrën se si duhet të votohet, deputeti, në ushtrimin e mandatit të tij, vendos vetë se si do të votojë në Kuvend.
Kushtetuta, Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe Rregullorja e Kuvendit e ndërtojnë pozitën e deputetit mbi parimin e mandatit të lirë. Pra, deputeti është përfaqësues i popullit, dhe nuk i nënshtrohet mandatit detyrues, ndërsa ligji përcakton se gjatë mandatit ai i nënshtrohet ndërgjegjes së tij, thotë Naim Jakaj, hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Kriza për presidentin përplas LDK-në, Emini e Koci paralajmërojnë përçarje dhe krizë institucionale
“Kjo do të thotë se marrëveshja politike e partisë ka peshë politike, por nuk e eliminon të drejtën e deputetit për të marrë qëndrim individual për një çështje që votohet në Kuvend. Partia mund të kërkojë që deputetët e saj ta mbështesin një qëndrim të caktuar, por vendimi përfundimtar në Kuvend mbetet i deputetit”, shprehet Jakaj për REL-in.
Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin e Agderit në Norvegji, thotë se nuk mund të fajësohen gjashtë deputetë të caktuar për ushtrimin e të drejtës së tyre për mendim të pavarur si përfaqësues të popullit.
“Njëra prej pushteteve që demokracia jonë i jep opozitës, ose një pakice ndaj shumicës, është mekanizmi i kuorumit, i cili nuk është jokushtetues. Është pikërisht ajo çfarë e definon kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës si demokraci e re”, thotë Hoxha për REL-in.
Pse përgjegjësia s’mund të jetë juridike
Jakaj thekson se për këta gjashtë deputetë mund edhe të ketë përgjegjësi politike për mosrealizimin e një marrëveshjeje ndërmjet partive, por jo kushtetuese ose juridike.
“Nëse një pjesë e deputetëve të LDK-së nuk e mbështet kandidatin, kjo mund të krijojë problem politik për partinë që ka hyrë në marrëveshje, por nuk do të thotë se vetëm ata janë përgjegjës për dështimin eventual të zgjedhjes së Presidentit”, thekson ai.
Përveç gjashtëshes së LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri – janë edhe të paktën 40 deputetë të tjerë nga partitë parlamentare shqiptare dhe nga komuniteti serb që nuk kanë shprehur mbështetje publike për kandidaturën e Sejdiut.
Një pjesë e gjashtëshes së LDK-së është arsyetuar se nuk dëshiron t’i japë “më shumë pushtet Kurtit”, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit dhe llogaritet t’i ketë numrat për ta bërë Qeverinë e re, ndërsa një pjesë tjetër ka thënë se nuk e sheh Sejdiun si figurë unifikuese.
Hoxha thekson se mekanizmi që siguron demokracinë më reprezentative edhe e siguron mendimin e pavarur të deputetëve të Kosovës, ua mundëson përfaqësuesve të popullit të votojnë ashtu qysh ata dëshirojnë vet. “Përndryshe, do të ishte tirania e shumicës”, nënvizon ai.
Kosova rrezikon të hyjë në një gjendje të paprecedentë të vakumit kushtetues dhe, në planin institucional, në një formë anarkie, nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri, paralajmëron Jakaj.
Kjo, sipas tij, e rrit përgjegjësinë politike të të gjithë aktorëve për të gjetur zgjidhje, por nuk e ndryshon pozitën kushtetuese të deputetit dhe nuk krijon detyrim juridik që ai të votojë për një kandidat të caktuar.
A mund ta ndëshkojë LDK-ja gjashtëshen kundërshtuese?
Duke i kritikuar se “po e dërgojnë vendin në zgjedhje”, Abdixhiku kishte paralajmëruar edhe “pasoja” për gjashtë anëtarët e partisë, madje duke lënë të kuptohet se ata duhet ta “dorëzojnë mandatin e deputetit”.
Sipas Jakajt, marrëdhënia e deputetit me partinë duhet të ndahet qartë nga statusi i tij kushtetues në Kuvend.
Megjithatë, thotë ai, masat partiake nuk mund të prodhojnë si pasojë humbjen e mandatit parlamentar vetëm për shkak se deputeti ka votuar ndryshe nga qëndrimi i partisë.
“Mandati i deputetit përfundon në rastet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj, jo me vendim të organeve partiake. Prandaj, çdo masë e brendshme duhet të vlerësohet duke pasur parasysh kufirin ndërmjet disiplinës së partisë dhe autonomisë kushtetuese të deputetit në ushtrimin e mandatit”, sipas tij./Radio Evropa e Lirë/


