United Hospital

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch për Hashim Thaçin: Kisha përshtypjen se ishte i ngrirë nga frika

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Si i dërguar i posaçëm i BE-së gjatë luftës së Kosovës, Wolfgang Petritsch e përjetoi Hashim Thaçin nga afër.

Në një bisedë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai kujton atë kohë.

FAZ: Petritsch, si i dërguar i posaçëm i BE-së për Kosovën, ju ishit ndër personat e pakët që në vitet 1998 dhe 1999 e njohët personalisht udhëheqësin gueril kosovar, Hashim Thaçi. A ju befasoi aktgjykimi?

Petritsch: Pyetja kryesore përgjatë gjithë procesit ishte: A ekzistonte në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, një zinxhir funksional komandues apo jo? Prokuroria pretendonte se ai ekzistonte, dhe se për këtë arsye Thaçi, si udhëheqës politik i UÇK-së, mbante përgjegjësi përfundimtare për krimet që i viheshin në barrë asaj. Mbrojtja argumentonte se UÇK-ja kishte qenë një trupë fshatare e mbledhur kuturu, raportet e pushtetit të së cilës ndryshonin nga lugina në luginë e nga rajoni në rajon. Sipas saj, Thaçi ishte vërtet fytyra ndërkombëtare e UÇK-së, por në zonat e veçanta luftarake nuk kishte asnjë fjalë vendimtare. Paraqitja e mbrojtjes me sa duket nuk i bindi gjyqtarët. Do të shohim nëse kjo do të qëndrojë edhe në procesin e apelit.

FAZ: Përpara luftës së NATO-s kundër Serbisë dhe gjatë saj, ju keni negociuar shpesh me Thaçin. Çfarë përshtypjeje kishit për të?

Petritsch: Ishte shumë i ri, as 30 vjeç nuk i kishte mbushur. Në krahasim me presidentin jugosllav Slobodan Millosheviq, një politikan i regjur e me përvojë të thellë, ky ishte natyrisht një ndryshim i madh. Por ne ndërmjetësve perëndimorë shpejt na u bë e qartë përse pikërisht ai po e udhëhiqte delegacionin negociator kosovar.

FAZ: Përse?

Petritsch: Pavarësisht moshës së re, Thaçi kishte inteligjencën politike që i nevojitej situatës së asaj kohe. Për mua, për më tepër, fakti që pikërisht Thaçi ishte njeriu kyç në palën kosovare kishte edhe një avantazh tjetër. Ai praktikisht nuk fliste fare anglisht, por fliste një gjermanishte mjaft të pranueshme, pasi kishte studiuar për një kohë të shkurtër në Zvicër. Kjo më mundësoi mua, si kryenegociator i BE-së, një qasje të drejtpërdrejtë me të, të cilën kolegët e mi amerikanë dhe rusë nuk e kishin.

FAZ: Aktakuza e Gjykatës Speciale të Kosovës e ngarkon Thaçin me krime lufte. Ai thuhet se mban përgjegjësi për faktin se në kampet e të burgosurve u torturuan dhe në disa raste u vranë serbë, por edhe shqiptarë të Kosovës. A kishte të dhëna për krime të tilla në vitin 1999?

Petritsch: Në atë kohë nuk kisha dëgjuar asgjë lidhur me këtë. Nuk duhet harruar konteksti i asaj kohe: Forcat serbe të sigurisë po kryenin krime të tmerrshme ndaj popullatës civile në Kosovë. UÇK-ja kishte lindur si reagim ndaj kësaj. Ajo ndërmerrte sulme ndaj policëve serbë, ushtarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të Beogradit. SHBA-ja dhe BE-ja madje ishin fare pranë shpalljes së UÇK-së si organizatë terroriste. Kjo do t’i kishte vështirësuar jashtëzakonisht negociatat e çfarëdollojshme. Prandaj ishte shumë e rëndësishme që Thaçi dhe UÇK-ja të përfshiheshin sa më parë në bisedime politike, në mënyrë që të mos fundoseshin në një spirale të pazgjidhshme dhune si ajo e Lindjes së Mesme.

FAZ: Si u përpoqët ta arrinit këtë?

Petritsch: U shpjegova ministrave të jashtëm evropianë se shpallja e UÇK-së si organizatë terroriste nuk mund të ishte në interes të BE-së, nëse donim të zhvillonim bisedime për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Ky argument i bindi ata. Amerikanët arritën në përfundime të ngjashme. Gjatë negociatave në Rambouillet të Francës, me anë të të cilave synohej shmangia e luftës në minutën e fundit, ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe unë u ulëm në dhomën time dhe iu lutëm me këmbëngulje Thaçit që patjetër t’i nënshkruante propozimet perëndimore, sepse vetëm atëherë mund ta ndihmonim. Në thelb bëhej fjalë që shteti serb, pra ushtria jugosllave dhe njësitë speciale të policisë, të tërhiqnin të gjithë personelin nga Kosova, nëse UÇK-ja do të pranonte shpërbërjen dhe çarmatimin e saj.

FIDANISHTJA

FAZ: Cili ishte qëndrimi i Thaçit ndaj kësaj?

Petritsch: Kisha përshtypjen se ishte i ngrirë nga frika. Si gjithnjë, ishte tejet i përqendruar dhe përgjigjej vetëm me fjali të shkurtra e të përmbledhura. Por ai druante se një vendim i gabuar mund t’i kushtonte me jetë në Kosovë. Do ta eliminonin. Atij i duhej të konsultohej vazhdimisht me njerëzit në Kosovë për të parë se sa larg mund të shkonte në bisedime. Vetë ai e dinte se pas shpërbërjes së UÇK-së do të mund të hynte në politikë. Por cili ishte qëndrimi i luftëtarëve të ndryshëm lokalë, të cilët nuk shihnin një mundësi të tillë?

FAZ: Në gjyqin e Thaçit shtrohej pyetja nëse ekzistonte një zinxhir funksional komandues në UÇK – pra nëse Thaçi në krye kontrollonte edhe komandantët rajonalë. Cila ishte përshtypja juaj atëherë?

Petritsch: UÇK-ja bënte përpjekje të mëdha për t’u paraqitur para nesh si një trupë ushtarake apo paraushtarake e organizuar mirë dhe me një hierarki strikte. Por përshtypja që ajo dëshironte të krijonte nuk përkonte domosdoshmërisht me realitetin. Madje as pala serbe nuk e besonte këtë.

FAZ: Megjithatë, ju keni negociuar një herë për një shkëmbim të burgosurish, ku fjalën e fundit e pati Thaçi.

Petritsch: Kjo ndodhi në dimrin e viteve 1998/1999. UÇK-ja kishte zënë robër disa dhjetëra ushtarë serbë. Pala serbe kërkonte një shkëmbim të burgosurish, por ngulmonte që në asnjë mënyrë kjo të mos dukej si shkëmbim. Kushti i Beogradit ishte: Fillimisht duhet të liroheshin ushtarët serbë. Vetëm rreth dy javë më vonë, në një zhvillim në dukje të palidhur me këtë, do të lirohej i njëjti numër luftëtarësh të UÇK-së. Dhe kështu ndodhi.

FAZ: Çfarë roli luajti Thaçi në këtë mes?

Petritsch: Ne kishim negociuar renditjen e hapave me komandantët lokalë të UÇK-së, por më pas ata thanë se tani duhej të jepte miratimin edhe Thaçi, përndryshe marrëveshja nuk do të ishte e vlefshme. Ata arritën të lidheshin me të me telefon dhe ai ra dakord.

FAZ: Pra asgjë nuk bëhej pa Thaçin?

Petritsch: Kjo nuk mund të thuhet kështu. Bisedimet e përmendura u zhvilluan në luginën e Drenicës, bastionin e Thaçit. Vetëm pak fshatra më tutje, ai me shumë gjasë nuk do të kishte luajtur asnjë rol në bisedime të ngjashme. UÇK-ja ishte një organizatë heterogjene. Për shembull, udhëheqësin rajonal të UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili pas luftës u bë kryeministër i Kosovës, nuk e njihja fare. Në atë kohë nuk kisha dëgjuar kurrë për të.

FAZ: Rasti me gjasë do të shkojë në apel. Çfarë prisni nga kjo?

Petritsch: Nga proceset e tjera për krime lufte lidhur me ish-Jugosllavinë e dimë se aktgjykimet e shkallës së parë mund të përmbysen krejtësisht në procedurën e apelit – shih rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina. Ai u dënua nga Tribunali i OKB-së për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me 24 vjet burg në shkallë të parë. Në procedurën e apelit, më pas u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Kjo nuk do të thotë se një përmbysje e tillë duhet patjetër të përsëritet në rastin Thaçi. Por, aktgjykimi i sotëm nuk ishte domosdoshmërisht fjala e fundit.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.