Nijazi Shabani, një shembull i rrallë i punëtorit të vyer të arsimit shqip
Gjilan – Thonë, emri mësues është i shenjtë. Është fjalë më e adhuruar në jetë dhe tingëllon bukur. Mësues i popullit. Ky emër ka vlerë të madhe. Mësuesi është si dielli që e ndriçon tokën (popullin), ndërsa dija e tij është histori një e shkruar në vete. Andaj, mësuesi është edukuesi i gjeneratave të së ardhmes së një populli që i takon. Lumë kush e ka emrin mësues! Emri i tij është i shënuar në fjalorin e urtisë, krenarisë dhe në analet e mendësisë së njerëzve të merituar të popullit. Jo vetëm kaq. Nijazi Shabani, është personazh i këtij shënimi. Ai tash e 43 vjet më parë e filloi jetën me ditar në dorë. E filloi dhe nuk u largua asnjëherë nga fusha e dijes, arsimit. Pra, atë kohë, kur filloi të punojë me ditar, Nijaziu pati 22 vjet moshë. Kohë mjaft e shkuar e me shumë ngjarje e të arritura në procesin e arsimit. Ligjëroi lëndën e preferuar të studimit, kiminë. Ishte krejt një kohë tjetër. Atë kohë, në gishta llogariteshin njerëzit që ia mësyenin dyerve të shkollës të mesme e studimeve tjera.
Ky ishte një i ri përlepnicas, i cili, sa herë dëftohej “ëndrra” për shkollën, i dukej se do të gjejë qetësinë dhe prehjen e jetës, jetë. Pse jo? Kjo ishte rruga e parë para fillimit të jetës “tjetër”. Ishte një kohën tjetër. Dhe, pas asaj kohe, ai tani sapo i llogarit orët e “ndarjes” nga shokët, miqtë dhe nga kolektivi ku ka punuar gjer më tani. Ky është një proces jete. Proces që nuk ndalet dhe vazhdon…
Pra, shtova më lart se, personazh i këtij shkrimi është Nijazi Shabani, profesori i lëndës së kimisë e zyrtari i gjertanishëm i DKA-së që punoi me përkushtim në fushën e dijes dhe diturisë në Gjilan.
Para do dite, na rastisi puna dhe u gjenda në zyrën ku punon Nijazi Shabani, profesor dhe zyrtar për çështje të arsimit. Ai autorit të këtyre radhëve ia kishte kërkuar monografinë e Gjimnazit të Gjilanit. Me këtë rast zhvilluam një bisedë të lirë. Nijazi Shabani, profesor, pa një pa dy, tha se, kohët po ikën shpejt. Ja si e rrëfeu këtë kohë:
“Ja erdhi koha e ndarjes nga kjo punë ima e përditshme. Po punoj, por tash në siklet më është ditëndarja në mes kësaj dhe jetës “tjetër”. Si sot më kujtohet ditët e kaluara, shton Nijazi Shabani, profesor – se si kam udhëtuar nga Përlepnica gjer në Gjilan dhe anasjelltas. Nddjenim lodhje e mundime tjera, por vullneti për shkollim na ishte i madh dhe nuk na mungonte. Por, na mungonin librat, veshja, ushqimi e “sendet” tjera. Vinim me shokë në shkollën Normale dhe e dinim se, një ditë do ta kryenim këtë shkollë që ishte e adhuruar nga të gjithë, se pati nam. E kryem shkollën e mesme, madje studimet…
Filluam të punojmë me ditar në dorë. Erdhën vitet e “90-ta. Vite të rezistencës sonë kombëtare. Si çdo kund, edhe në Gjilan pati demonstrata të të rinjve tanë. E patëm përballë një armik të egër e barbar, i cili na largoi nga puna, por i largoi dhe i mbylli të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Filloi rezistenca tjetër. Ne me shkollarët e filluam një jetë “tjerë”, duke vazhduar procesin mësimor nëpër të ashtuquajtura “Shtëpi-Shkollë”. Na ndihmuan edhe prindërit. Ata u solidarizuan me ne. Bëmë dhjetë vite rezistencë. Bota qe e mahnitur nga kjo gjendje. Ne nuk u gjunjëzuam, por, me vullnet dhe me punë të palodhshme, ia dolëm kësaj gjendje të rëndë dhe fituam.
Ja ku jemi sot. Është kohë tjetër. Kohë e lirisë. Dhe, s’ka me Lirinë e vendit! Por, koha për ne, kaloi. Na ikën vitet. Pas mbetën kujtime, rrëfime dhe ngjarje. Sot, këto vite na mban vetëm në mbamendje. E kemi pritur jetën e lumtur – Lirinë që po e gëzojmë të gjithë, na shtoi Nijazi Shabani, profesori i kimisë, i cili, në vete ndryente një dhimbje jo aq të madhe, por përnjëherë krenohej se krejt çka u arrit, ishte në dobi të lirisë së popullit tonë të Kosovës.
Nijazi Shabani (1953), nuk është një emër i njohur për gjilanasit dhe më gjerë. Atë e njohin, për faktin se është i lindur në fshatin Përlepnicë, komuna e Gjilanit. Kjo vendlindje e tij ka dhënë jo vetëm punëtorë të shumë të arsimit, por edhe figura të tjera atdhetare. Ky urtak dhe punëtor i zellshëm, shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1968. Ndërsa, shkollën Normale “Skënderbeu”, e kreu në vitin 1972 në Gjilan. Pas këtij shkollimi, Nijazi vazhdoi studimet e rregullta pranë Universitetit të Prishtinës – në Fakultetin e Shkencave Matemamtikore – dega e Kimisë. Jo vetëm kaq.
Ai, pas katër vjetësh studimi, diplomoi me kohë në lëndën e kimisë, në vitin 1977. Për herë të parë u punësua në vitin 1975/76 si profesor i kimisë në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, ku punoi një vit me vullnet e përkushtim. Mandej, nga viti shkollor 1977 vijoi të punojë në QAMO (Qendra Arsimore e Mesme e mësimit të Orientuar) deri në vitin 1987.
Nga viti 1987 deri në vitin 1996, Nijazi Shabani punoi si profesor në Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, ndërsa nga viti 1996 e deri në vitin 1999, punoi në Këshillin Komunal të Arsimit si Këshilltar i lëndës së kimisë në Regjionin e Gjilanit. Edhe këtu ka dhënë kontributin e tij prej pedagogu e profesionisti. Ai (Nijaziu) nuk kurseu asgjë nga vetja në të mirë të arsimit shqip. U mundua që çdo gjë, që ishte në dobi të shkollës dhe shkollarëve, ta përcjellë aty ku ishte vendi e caku i kësaj fushe të dijes e diturisë.
Sot, kur ai (Nijaziu) i numëron orët e “ndarjes” nga kolegët, shokët, miqtë dhe të afërmit tjerë të punës, nuk e bën që të ndjehet ndryshe, por është krenar për punën që ka bërë aty ku ka ligjëruar dhe ku ka bërë punë të tjera në të mirë të arsimit shqip.
Të tillë punëtorë të zellshëm i nevojiten shkollës shqipe jo vetëm numër, por me dije dhe me profesionalizëm. Nijazi Shabani, profesor, menjëherë pas lufte ka punuar si zyrtar arsimor i arsimit parafillor dhe fillor pranë DKA-së ku vazhdon punën gjer më 9 mars të këtij viti (2018), kur shkon me shëndet e dinjitet njerëzor në pension. Ky është një “proces” i jetës. Vetëm një kalim nga një jetë në “tjetër”. Edhe kjo është jetë, që i gëzohet shëndetit dhe punës që ka kryer me shumë përkushtim dhe zell kudo që punoi e veproi për arsimin shqip.
Në fund i uruam një fjalë: “E gëzofsh jetën e pritur e të shëndetshme!”/tefik selimi/rajonipress/


