Uji Dea

Reforma që përgjegjësinë e shpërndanë te askush

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Sinan Sadiku – Në arsimin e Kosovës ende punojnë disa mësuese dhe mësues të cilët e kryejnë punën me profesionalizëm dhe ndershmëri. Pra, jo që i detyron kush, jo që kërkon përgjegjësi, jo që i shpërblen, por janë atdhetarë dhe si të tillë punojnë. Ministria e Arsimit ka kohë që po punon që edha ata mësues dhe mësuese t`i pengojë të mos i lejojë të punojnë, duke ua përzier punën me të tjerët në mënyrë që ata të cilët nuk dinë dhe nuk duan të punojnë të mos i lënë të punojnë as këta që dinë, duan dhe që punojnë.

Insistimi i Ministrisë së Arsimit që në mësimin e klasave të ulëta të angazhohen më shumë mësues, qoftë duke dhënë lëndë të ndryshme, qoftë duke i mësuar nxënësit në klasën e parë një mësues, në klasën dytë një tjetër mësues e kështu me radhë, do ta fundos arsimin tonë përfundimisht. Do ta shpërndajë përgjegjësinë te askush! Arsyetimet teorike janë të bukura, por rezultatet do të jenë të tmerrshme.

Ato projekte në Kosovë do të japin rezultate të tilla çfarë do t`i jepte mbjellja e bananes apo e orizit nëpër arat tona.

Tani po thuhet se mësuesit do të specializohen dikush vetëm për klasën e parë, dikush vetëm për klasën e dytë dhe kështu me radhë, e si rezultat i kësaj do të përmirësohet cilësia në arsimin tonë. Së pari po them se aftësimet profesionale, kurset e ndryshme, specializimet… e personelit arsimorë nuk e kanë paguar veten as përafërsisht dhe këtë e tregon më së miri gjendja në të cilën ndodhet arsimi në Kosovë, gjendje kjo të cilën deri diku ua ka bërë të njohur testi PISA, atyre që e udhëheqin arsimin dhe të cilët flisnin vetëm për suksese. Po them, deri diku, sepse edhe pas Testit PISA gjithnjë dëgjojmë për rezultate dhe suksese, siç është rasti me Provimin e Maturës, i cili provim, ashtu si është organizuar deri tani, ka qenë dhe mbetet vetëmashtrimi, gënjeshtra më e madhe e vetvetes, gënjeshtër kjo që tashmë e ka qitë arsimin tonë në fund të pusit.

Projekti i paralajmëruar ua lehtëson justifikimin atyre që s’punojnë

Mësimet që duhet t`u jepen nxënësve deri në klasën e pestë i dinë dhe kanë aftësi t`i bartin te nxënësit ato mësuese dhe ata mësues që i kanë marrë diplomat me meritë dhe që duan të punojnë. Ata, që diplomat i kanë marrë pa meritë dhe që punët i kryejnë shkel e shko , përsëri do ta vazhdojnë të njëjtin avaz, veçse tani e kanë shumë më lehtë të arsyetohen dhe t`ua lënë fajin të tjerëve. Kjo për faktin se (mos)puna e tyre pesë vjeçare me nxënës të së njëjtës klasë, nuk ka qenë vështirë të shihet dhe të verifikohet, ndërsa tani e kanë shumë më lehtë të justifikohen. Nëse zbatohet ky farë projekti është shumë më vështirë të shihet puna e mirë e atyre që dinë dhe duan të punojnë dhe mundësitë për t`u dekurajuar e zhgënjyer të njëjtit janë shumë të mëdha.

Çdo kund në botë ndahen punët, detyrat dhe përgjegjësitë. Aq më tepër kjo duhet të ndodhë tek ne që jemi individualistë dhe tashmë dihet se e kemi vështirë të punojmë në grup. Në këtë rast kemi mundësi t`i ikim asaj që nuk i shkon mentalitetit dhe formimit tonë dhe pse të mos i ikim?!

Një e metë tjetër e projektit në fjalë është fakti se kur një mësues apo mësuese punon pesë vjet me të njëjtit nxënës i njeh ata, ua njeh karakterin, temperamentin, aftësitë, mangësitë, nevojat… dhe nëse punon me përkushtim mund t`u ndihmojë shumë më shumë, sepse e di çka i duhet secilit prej tyre, sikurse e që e di edhe mënyrën për t`ua bartë dijen, aftësitë dhe edukatën.

Hidromorava

Shumë më vështirë e ka ta bëjë këtë dikush i cili nuk i njeh nxënësit sa duhet, sepse është vështirë të njihen nxënësit brenda një kohe të shkurtër.

Nëpër shkollat e Kosovës, së paku gjysma e mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve nuk e njohin, as përafërsisht, lëndën mësimore që duhet t`ua mësojnë të tjerëve, nxënësve. Edhe disa që e njohin, nuk janë të përkushtuar, për arsye se nuk ka mbikëqyrje, nuk kërkohet përgjegjësi, nuk ka matje të rezultateve, nuk ka shpërblim për ata që e meritojnë e as ndëshkim për ata që po ashtu e meritojnë ndëshkimin.

Andaj pa u larguar nga procesi arsimor ata që nuk dinë dhe që nuk duan të punojnë, pa u shtuar përgjegjësia dhe pa kërkuar punë nga ata që dinë të punojnë por janë jo të përkushtuar, pa u shpërblyer ata që punojnë me ndershmëri dhe profesionalizëm, nuk ka përmirësim të cilësisë në arsimin tonë. Kjo do të thotë se deri atëherë nuk do të kemi kuadro të afta që do ta zhvillojnë ekonominë dhe do t`i qojnë përpara të gjitha proceset e tjera në Kosovë. Reformat e lloj llojshme , eksperimentet nga më të ndryshmet nuk do ta japin asnjë rezultat, siç nuk e kanë dhënë as deri tani. Ato do të bëhen sa për ta arsyetuar ekzistencën e shumë mekanizmave, instituteve, agjencive.. të cilat e rrejnë veten dhe na rrejnë edhe neve se po bëjnë diçka, sepse, ajo diçka, bëhet pa asnjë përkushtim, pa asnjë studim të mirëfilltë, sikurse shumicën e punëve që i bëjnë institucionet dhe komisionet tona.

Shkollat nuk janë për të punësuar mësues, por për të mësuar dhe aftësuar nxënës
Një mik i imi më tha se në rastet kur një mësues i dobët po i mëson nxënësit pesë vite, ajo klasë po e pësojnë. Sipas tij zbatimi i projektit të ri, që një mësues t`i mësojë nxënësit vetëm një vit, do ta sanojë gjendjen, ngase, nëse në klasën e parë i ka mësuar një mësues i dobët, një mësues i mirë që do t`i mësojë në klasën e dytë, e përmirëson gjendjen dhe arrin t`i sanojë pasojat e mësuesit të dobët.

Realisht një mësues i mirë i cili i mëson nxënësit e klasës së tretë të cilët në klasën e dytë i ka mësuar një mësues i dobët, me një angazhim shtesë, ka mundësi ta zbutë gjendjen, por jo ta shërojë, për arsye se atij i duhet që nxënësve tua mësojë detyrat dhe shkathtësitë që parashihet të mësohen në klasën e tretë, plus punët shtesë (për të cilat nuk paguhet) për t`ua mësuar edhe gjërat që nuk ua ka mësuar kolegu i cili i ka mësuar në vitin paraprak.

Pra atij po i dalin ngarkesa të mëdha të cilat sado që të angazhohet do të mund t`i kryej vetëm deri diku. Përveç kësaj mund ta kemi edhe rastin e kundërt kur në vitin e dytë i ka mësuar mësuesi i mirë, ndërsa në të tretin i mëson mësuesi i dobët. Në këtë rast nxënësit në një masë mund t`i harrojnë edhe ato që i kanë mësuar në vitin e dytë dhe veç tjerash vjen deri te ndërprerja e kontinuitetit, që do të ndikojë negativisht te shumica e nxënësve.

Pra në një kombinim të tillë mundësitë më të mëdha për të fituar i ka mësuesi i dobët dhe fitorja e tij është humbje për nxënësi dhe për arsimin në përgjithësi. Më e mira është, që ata mësues të cilët nuk dinë dhe nuk duan t`i mësojnë nxënësit, të largohen nga procesi edukativo-arsimor, sepse shkollat nuk janë për të punësuar “mësues” por për të aftësuar nxënës. Shpesh herë tek ne del në plan të parë interesi i mësuesit që nuk di dhe nuk do të punojë, e nuk merret parasysh interesi i nxënësve. Nëse vazhdon ky trend vaj halli për ne./rajonipress/