Hidromorava

Xhavit Salihu nuk do të harrohet nga kolegët e tij gazetarë

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Thonë, vdekja vjen pa adresë. Ajo vjen papritur. Pa pritur erdhi dhe e mori Xhavit Salihun, gazetar i Radio stacionit “Star” në Gjilan. Xhavit Salihu ishte një nga gazetarët e respektuar nga të gjithë qytetarët që e njihnin. Ishte njeri i urtë, fjalë pak, por i mprehtë në reflektim të kohës, i cili la vepër të “pjekur” prej gazetari me një përvojë mjaft të gjatë të kësaj fushe të dijes.

Ai qe i respektuar nga të gjithë njerëzit që e njihnin në Gjilan e më gjerë. Bënte punë prej gazetari dhe puna e tij adhurohej shumë. Kështu e ka jeta e gazetarit, e cila jetë të duket se ta zë frymën nga ato ngjarjet e përditshme. E, Xhaviti e përcillte kohën, zhvillimet e saj. Këto, zatën, ia “mori” një pjesë të jetës, por, ai kurrë nuk është ankuar se lodhej, përkundrazi, është ndjerë krenar dhe i kënaqur me të arriturat e tij.

Xhavit Salihu (1952) ishte një gazetar pedant dhe shumë i përkushtuar në profesionin e tij. Gati të gjitha ngjarjet, që zhvilloheshin në komunën e Gjilanit, Xhaviti i përcjellte duke vrapuar pas lajmit për ta shpërndarë sa më shpejt për të marrë jehonën e zhvillimeve. Nuk hezitonte të ecte në këmbë gjer tek ngjarjet e ditës, të cilat “lajme” i plasonte në Radio stacionin “Star” , ku përhapej fjala e gjallë e tij.

Uji Dea

Para tetëvjetësh, autorit të këtyre radhëve i rastisi puna dhe u gjenda në lokalin e Radio stacioni “Star”. Ishte kjo kohë mjaft e kaluar. Pa një – pa dy, ai (Xhaviti) iu afrua mikrofonit dhe fliste dhe përhapte lajme të ditës. Jepte lajme për ngjarjet e zhvilluara në komunë, ndërsa, kur i vinte koha, ndalej dhe e lëshonte zërin e muzikës. Puna bëhej në mënyrë individuale dhe me shumë profesionalizëm . Ne i uruam nga zemra atyre sukseseve të punës së tij.

E, ai, pa një pa dy, ato ditë na pat rrëfyer kohën se si kishte kaluar gjatë dhe pas luftës së fundit 1999. Si sot më kujtohet ku më pat thënë se, kishte pasur drojë nga “të paftuarit” dhe do t’ia shkatërronin Radio stacionin. “Droja nga pak, më pat shtuar Xhavit Salihu, tash i ndjerë. -Por, si e kam menduar, kalova mirë. Edhe në kohën e ditëve të para të lirisë së Kosovës, më vizitonin shpesh njerëzit të shihnin punën time. Punoja, por edhe e respektoja kodin e gazetarisë. Dëgjueshmëria ishte në nivelin e dëshiruar. Se pati bashkëpunim me Radio Dukagjinin e me radio stacione tjera. “Radio Dukagjini më kanë respektuar, sepse ua përcillja lajmet nga qyteti im, por edhe unë i kam furnizuar me lajme të kësaj ane të Kosovës. Kjo është jeta jonë e gazetarit…”, pat shtuar Xh. Salihu.

Ky ishte Xhavit Salihu, kolegu ynë gazetar që vraponte pas lajmit, informatës e raportit. Vrapimi i tij pati vlerë dhe jehoi bukur tek secili qytetar që e dëgjonte Radio stacionin në fjalë, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e gjerë e me kohë dhe në mënyrë objektive. Xhaviti bëri punë afro dy dekada dhe nuk ndjeu lodhje. Lodhja e tij shihej kur kthehej në shtëpi pa ndonjë shënim të shënuar në aparatin e tij që e barte pas vete. Pra, Xhavit Salihu, koleg, nuk do të harrohet nga kolegët e tij gazetarë./tefik selimi/rajonipress/