Kjo kategori nuk do të ketë rritje të pagave!
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka paralajmëruar rritjen e pagave dhe skemës sociale nga viti i ardhshëm, por jo dhe të pensioneve.
Ai tha se rritja e pagave do të bëhet nga një janari dhe ajo do të jetë sipas rritjes ekonomike.
“Do të ketë rritje të pagave, rritja e pagave do të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi, në përputhje me rritjen ekonomike dhe do të fillon nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe do të përfitojnë të gjithë të punësuarit që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës. Përveç rritjes së pagave, i kemi trajtuar edhe kategoritë tjera sociale, ku për vitin e ardhshëm e kemi planifikuar rritjen për 20 për qind për të gjitha familjet që janë në asistencë sociale. Gjithashtu i kemi përfshirë edhe tri skema të reja sociale, për të pa aftësuarit”, deklaroi ministri Hamza.
Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi deklaron për Tribuna Channel se vendimi për rritje pagash vetëm për sektorin publik dhe për skemat sociale, ka më shumë karakter elektoral dhe si i tillë është diskriminues për kategorinë e pensionistëve.
Në anën tjetër edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri tha se nuk është e drejtë të diskriminohet kategoria e pensionistëve e një ashtu edhe ajo e punëtorëve të cilët punojnë në sektorin privat që të përfitojnë nga rritja e pagave.
Këtë javë pati deklarata se buxheti i shtetit është rritur për dy miliard.


