Kurti, Kallasit: Gjykimi nuk ka përfunduar, Kosova do të angazhohet që verdikti të korrigjohet në shkallën e Apelit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Kurti tha se gjatë takimit kërkoi përkrahjen e BE-së për t’i bërë trysion Serbisë që Milan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur përgjegjës për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë në Kosovë.
Ai përmendi se më 24 shtator bëhen tre vjet nga sulmi në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kurti tha gjithashtu se ka shprehur shqetësimin për dënimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Kurti pas takimit me Plenkoviqin: Aktgjykimi i Speciales është i pasaktë, i padrejtë dhe i rëndë
“Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohen në shkallën e apelit”, tha Kurti.
Ai e përshkroi luftën e UÇK-së si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dhe dëbimeve nga Serbia, ndërsa tha se shumë krime të forcave serbe ende nuk janë ndëshkuar.
Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai tha se shqiptarët atje përballen me “nënpërfaqësim të theksuar në institucione”, si dhe me atë që e cilësoi si “spastrim etnik administrativ me heqjen e adresave”.
Në fund, Kurti theksoi se Kosova mbetet e përcaktuar për integrimin evropian dhe euroatlantik, duke kërkuar që BE-ja t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim. /Telegrafi/


