Çitaku i reagon Kurtit: Problemi nuk është sa u dënuan, por çfarë po dënohet
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke kritikuar diskutimet rreth “asimetrisë së dënimeve”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Çitaku ka thënë se debati nuk duhet të fokusohet te numri i viteve të burgimit, por te përmbajtja e aktgjykimit.
“Amani ju koftë, mos flisni për ‘asimetri dënimesh’”, ka shkruar ajo, duke shtuar se një qasje e tillë, sipas saj, e zhvendos vëmendjen nga ajo që e konsideron thelbin e vendimit.
“UÇK-ja është gjykuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Është kriminalizuar vetë ideja e luftës çlirimtare”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se çështja, sipas saj, nuk lidhet me faktin nëse dënimet janë 25 vjet, më pak apo më shumë.
“Problemi nuk është masa e dënimit. Problemi është çfarë po dënohet. Lufta çlirimtare është kriminalizuar”, ka shkruar Çitaku. /IndeksOnline/


