800 milionët e Trustit – Kompanive evropiane

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Milionat që Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) mbledh nga kursimet pensionale vazhdojnë të investohen dhe të deponohen nëpër shtetet evropiane. Nga 800 milionë euro, sa janë në FKPK në vend janë investuar vetëm 20 milionë euro.

Milionat tjerë të kontribuuesve për pensione i pengon ligji që të investohen në Kosovë. Kjo situatë ka bërë që Kosova të kërkojë donacione dhe investime ndërkombëtare, pa marre parasysh se ka mbi 1 miliardë e 400 milionë euro, të cilat mbahen të ngrira, ose të investuara në tregjet ndërkombëtare.

Mosfutja e tyre në tregun e Kosovës ngre dilema të mëdha. Sikur këto mjete të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, atëherë, sipas ekspertëve të ekonomisë, me to duhet të përkrahet sektori privat dhe prodhuesit, në veçanti. Drejtori i menaxhmentit të FKPK-se Ardian Zalli, në një prononcim për gazetën “Zëri” tregon se paratë e Trustit janë të investuara në kompani të njohura ndërkombëtare, si Vanguard, Schroders, ECM – DEC, AXA investment Managers, Aquila Capital, BNY Mellon, state Street Global Acvisors. Kurse përmes State Street janë bërë investime në aksionet e qindra kompanive të vendeve në zhvillim, ku mund të përmendim: Samsung, LG, Hyundai, KIA, Daeëo, Acer, Turkcell dhe shumë kompani të tjera të vendeve në zhvillim në gjithë globin. “Këta menaxhues mjetesh kanë fonde investuese ku bëjnë pjesë me mijëra kompani ndërkombëtare”, është përgjigjur Zalli.

Për sa i përket investimit në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, Zalli bën të ditur se kanë vendosur të investojnë në këtë instrument që ka maturim më të gjatë, nga gjashtë muaj deri në një vit. Deri në fund të nëntorit të këtij viti Fondi i Kursimeve Pensionale ka investuar mbi 53 milionë euro në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, shkruan zeri.

Në tregjet e jashtme, paratë e Trustit kanë një normë të interesit, e cila varet nga vlera e investuar dhe afati i maturimit: për investimet me afat maturimi 6-mujor, normat e kthimit janë 1.24% dhe 1.49%, kurse për investimin me afat maturimi njëvjeçar – 2.5%. Deri në fund të tetorit 2013, kthimi nga investimet e mjeteve të investuara jashtë Kosovës është mbi 58 milionë euro, bën të ditur Zalli. Kurse për të njëjtën periudhë (10-mujorin e 2013-s), kthimi nga investimet në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës ka qenë rreth 200 mijë euro.

Se ku mund të investohen paratë, rregullohet me Ligjin për Fondin Pensional të Kosovës. Ai është “fajtori” kryesor pse mjetet janë jashtë vendit, meqenëse kufizon mundësinë që një shumë më e madhe e tyre të jenë në Kosovë. Ligji thotë se këto mjete mund të investohen në kompani që janë të tregtueshme në Kosovë, por që, këtu nuk ka të tilla.

RCCOLA

“Bordi Drejtues i FKPK-së i investon mjetet e kontribuuesve bazuar në Ligjin nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës. Së këndejmi, në mungesë të mundësive më të mëdha investuese në Kosovë, Bordi është i detyruar që këto mjete t’i investojë në tregjet financiare ndërkombëtare. Aktualisht investimi në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, prej 53 milionë eurosh, është afër maksimumit të lejuar me ligj që Bordi mund t’i investojë në to.”, tregon Zalli.

Bordi i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës kishte kërkuar ndryshimin e ligjit por kjo thirrje kishte rënë si duket në vesh të shurdhër.

Ymer Havolli, kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka thënë për “Zëri” se Bordi e ka kërkuar dhe iniciuar si problem punën e ligjit por asnjëherë nuk u vendos që të ndryshohet. “Kemi kërkuar të ndryshojë ligji, vete Kuvendi e ka përcaktuar se çka mundemi me investuar, ka shkuar nëpër grupe punuese, po ne s’jemi sponsorues, ka qenë BQK me partnerët e vet FMN-ja edhe BB-ja që e ka gjetur këtë zgjidhje”, ka thënë Havolli.

Ai gjithashtu ka shtuar se po të ish tregu financiar funksional në Kosovë, Bordi do të operojë edhe më tepër se letrat me vlerë që i ka blerë nga Qeveria. “Kurrfarë arsye Bordi nuk do të kishte që të mos blejmë aksione të kompanive”, ka sqaruar Havolli, duke shtuar se në çdo tender marrin pjesë, blejnë aksione sipas kuotës që iu mundësohet në kushtet që jep konkurrenca.

Mosfutja e mjeteve të Trustit dhe të Fondit të Privatizimit në tregun kosovar është kritikuar nga njohës të fushës së ekonomisë. Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest”, thotë se me kushtet e tanishme të fuqisë ekonomike të tregut kosovar, nuk e sheh të mundshëm një kthim të parave në Kosovë.

“Unë besoj se qëllimi i fondit të Trustit duhet të jetë vetëm maksimizimi i fitimeve të kontribuuesve. Pra ato para nuk janë të shoqërisë, por janë të individëve të cilët presin kthim më të lartë të investimeve. Rrjedhimisht besoj se paratë në fjalë mund të investohen në Kosovë vetëm atëherë kur kthimi i investimit është më i lartë se në ndonjë treg tjetër”, ka thënë ai.