25 vjet nga Beteja e Zhegocit (15 prill 1999)

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sabri Beqiri -“Do të shihemi në liri ose në botën e përtejme…. Rrugë tjetër nuk po shoh”, i kishte thënë dëshmori Alban Ajeti të vëllait Petritit.

Lavdia e dëshmorëve të Lirisë

“Më fal Nënë që të lash pa nipa”

-“Do të shihemi në liri ose në botën e përtejme…. Rrugë tjetër nuk po shoh”, i kishte thënë dëshmori Alban Ajeti të vëllait Petritit

Alban Ajeti u lind më 5. 9. 1970 në Gjilan ku kreu shkollën fillore dhe të mesme ndërsa në vitin shkollor 1997/98 regjistrohet në Universitetin e Tetovës, dega Farmaci. Ishte student shembullor.

Pas shpalljes së mobilizimit u kthye nga Tetova për t’iu ndihmuar ushtarëve të lirisë dhe menjëherë u inkuadrua në radhët ë Ushtrisë Çlirimtare ne Zonën e njësive në Zhegoc. Gjatë ofensivës së prillit 1999 që kishin ndërmarrë hordhitë serbe Albani u gjend në Malësi të Zhegocit. Policia dhe ushtria e armikut kishin mësyrë në disa drejtime drejt Zhegocit për të djegur, vrarë e dëbuar popullatën e kësaj ane. Si gjithnjë, këto treva me vetë pozitën e natyrës dhe historinë e saj ishin të shënjestër të okupatorëve serbë.

Më 15 prill Alban Ajeti gjendej në krye të detyrës duke siguruar dhe mbrojtur një pozicion prej nga mund të shiheshin nga larg forcat dhe çdo lëvizje e armikut. Ashtu sikurse bashkëluftëtari i tij, Pajazit Ahmeti edhe Albani ra në fushën e nderit derisa harxhoi municionin e fundit duke mbrojtur vijën e parë të zjarrit dhe më të vështirë të frontit.

Gjithnjë urtë, i zellshëm dhe punëtor ai kishte fituar admirimin dhe respektin e të gjithëve. Ishte shumë i lidhur me familjen, por më të shtrenjtin ideal e kishte Lirinë e Kosovës.

E ëma e Albanit, znj Hazirja, tregon se më 4 prill 1999, Albani ishte kthyer ne shtëpi dhe në vend të përshëndetjes mbasi s’e kishte gjetur t’ëmën aty, ia kishte lëne një letër(poezi ) me këtë përmbajtje:

Nënë

Mos më qaj se kam vdekur

Me fal shumë, nënë

Që të lash gjirin zbrazët

Më fal që të prisha ëndrrat

Uji Dea

Të lash pa birin tënd

Më fal që nuk munda

Të shpaguaj mundin,

Që bëre për të më rritur

Më fa që të lash pa nipa.

Alban Ajeti

(4/4/1999)

Këtë parandjenjë dhe profeci të luftëtarit e dëshmon edhe Petriti, vëllau i Albanit. Ai thotë se kur Albani doli në mal i pati thënë:” Ose do të shihemi në liri ose në botën tjetër. Rrugë të tjera nuk po shoh”, i kishte thënë Albani, dëshmori i lirisë.

Ndërkaq, babai i dëshmorit, Sheqeriu, rikujton bisedën me të birin dhe tregon se kur Albani shkonte në Tetovë për mësime dhe provime, gjithnjë haste në probleme dhe keqtrajtime në kufi. Ata i pengonte edhe emri i tij. Ka kapërcyer shumë herë kufirin ilegalisht.

Rrugën e tij e kam respektuar dhe, si prind, kurrë njëherë nuk e kam penguar, kujton babai i dëshmorit çaste për të birin.

E ëma e dëshmorit nga shumë kujtime për Albanin thotë se këtë letër që ma ka lënë e ruaj si kujtimin më të shtrenjtë të jetës. Ai e kishte parandjerë vdekjen.

Bashkëluftëtarët e Albanit flasin me respekt dhe admirim për qëndresën e tij heroike në momentet e fundit të jetës kur dëshmori Alban Ajeti nuk kishte harruar në breshërin e plumbave t’ia përcjell porosinë bashkëluftëtarit për t’ia fshehur dokumentet që mbante me vete.Aty kishte edhe një album fotografish dhe këtë e kishte kujtim të shtrenjtë të shokëve dhe të familjes.

Pas luftës së ashpër dhëmbë për dhëmb me armikun , Alban Ajeti bie në fushë të betejës , ashtu si u ka hije trimave të Lirisë. Trupi i dëshmorit pasi u zhvarros dy herë tash prehet në Varrezat e dëshmorëve pranë shokëve dhe bashkëluftëtarëve në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan./rajonipress/