Zgjedhjet e Serbisë, pa bazë ligjore
Prishtinë – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ka marrë krye në vete obligimin që të angazhohet në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Misioni i kësaj organizate në Kosovë ka vendosur të angazhohet pas pajtimit të Qeverisë së Kosovës, asaj të Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë, por pa e përfillur bazën ligjore.
Në secilin shtet, për angazhim në çfarëdo zgjedhjesh, këtij misioni i duhet një kërkesë nga institucionet e shtetit ku do të mbahet procesi elektoral. Presidenca e Kosovës, autoriteti që në Kosovë do të vendoste për zgjedhjet, nuk i ka kërkuar OSBE-së lehtësimin e zgjedhjeve të Serbisë, ngase ka pritur që të ketë kërkesë nga Serbia për një gjë të tillë.
Por konsultimet e mbyllura politike kanë bërë që të gjithë të pajtohen që zgjedhjet të mbahen pa e elaboruar bazën legale në bazë të së cilës zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë do të organizohen në Kosovë nga OSBE-ja.
Zëdhënësi i këtij misioni ka thënë se vendimi është marrë pas mbështetjes nga të gjithë aktorët relevantë.
“OSBE-ja ka ofruar ndihmën e vet që të lehtësojë votimin si rezultat i thirrjeve dhe i qëndrimeve të aktorëve të ndryshëm në regjion, vendës dhe ndërkombëtarë. Ne jemi konsultuar me të gjithë aktorët relevantë dhe kemi marrë mbështetjen e tyre”, ka thënë Nikolla Gaon, zëdhënës i OSBE-së në Kosovë.
Organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, ndonëse nuk ka bazë ligjore, vjen si rezultat i një marrëveshjeje të mëhershme mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë më ndërkombëtarët. Sipas asaj marrëveshjeje të botuar më herët në “Koha Ditore” Serbia do të hiqte dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, me qëllim që t`i mundësohej organizimi i atyre presidenciale dhe parlamentare me anë të një organizate ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që të mundësojë organizimin e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë, me kusht që OSBE-ja të angazhohet pas pak muajsh edhe në organizmin e zgjedhjeve lokale të Kosovës në veri të vendit, ku institucionet kosovare ende nuk e kanë shtrirë autoritetin e tyre. E gjithë kjo ndërmarrje do të arsyetohet me krijimin e mundësisë për të votuar qytetarëve serbë të Kosovës që kanë dyshtetësi.
Në bazë të normave dhe rregullave ndërkombëtare votimi i qytetarëve me dyshtetësi, për zgjedhjet parlamentare ose presidenciale të vendit tjetër, bëhet në ambasadat e vendit tjetër në vendin ku jetojnë, ose nëpërmjet postës. Në botë njihen edhe disa praktika, kur shteti që mban një komunitet të madh nga një vend tjetër, u mundëson atyre që nëpërmjet organizatave të organizojnë zgjedhjet. Por një praktikë të tillë, që po pretendohet të përdoret kësaj radhe në Kosovë bëhet vetëm pasi që shteti që mban zgjedhjet në këtë rast Serbia, t`i bëjë kërkesë zyrtare autoritetit që vendos për zgjedhjet në shtetin ku pretendohet të bëhen organizime të tilla. Në këtë mënyrë, organizimi i zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë nga OSBE-ja do të duhej të mundësohej vetëm pasi që autoriteti që i ka shpallur ato në Serbi, t`i drejtohej me një kërkesë Presidencës së Kosovës.
Shumë qytetarë të Kosovës do të kenë mundësi që të votojnë për zgjedhjet e Serbisë. OSBE-ja do të përdorë listat e votuesve që i vijnë nga Serbia. Shteti fqinj e konsideron qytetar të vet çdo qytetarë të Kosovës (serbët, shqiptarët…), dhe në këtë mënyrë, shumë qytetarë të Kosovës dhe jo vetëm ata me shtetësi të dyfishtë do të kenë mundësi të votojnë.
Por nuk është sfida e vetme lista e votuesve. Ende nuk është vendosur se në bazë të çfarë kriteri do të vendoset dërgimi i një qendre mobile të votimit dhe se sa të tilla do të ketë në gjithë Kosovën.
KZR i Serbisë ka përcaktuar që në Kosovë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të organizohen në 28 lokacione me 90 vendvotime.
Më 6 maj votimet do të mbahen në Fushë-Kosovë, Lipjan, Obiliq, Graçanicë, Lipjan, Llapllasellë, Shtërpcë, Pejë, Gorë (Dragash), Rahovec, Vushtrri, Zveçan, Zubin-Potok, Mitrovicë, Leposaviq, Viti, Gjilan, Kamenicë dhe Novobërdë. Në bazë të këtij vendimi, qendra mobile të votimit nuk do të ketë në lokalitetet e tjera të Kosovës, si në Prishtinë apo Prizren, ku ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë.
Numri i vendvotimeve në Kosovë, sipas sekretarit të Kuvendit të Serbisë, Veljko Odalloviq, është pakësuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara, kur kishte 287 sosh. “Rrezikun e sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kosovë e ka marrë përsipër OSBE-ja”, ka deklaruar Odalloviq, sipas të cilit tashmë kanë filluar përgatitjet e sigurisë.
Qeveria e Kosovës, vendet e Quintit dhe ICO-ja kanë përshëndetur vendimin e OSBE-së që t’i organizojë zgjedhjet, por nuk kanë dhënë sqarime se në çfarë baze legale po bëhet angazhimi./Koha.net/