ARKATANA

Xhavit Kryeziu studiues dhe shkrimtar i shquar

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Atdhe Geci – Gjuha është fara që lind fjalën dhe tërësinë e saj. Gjuha rritet dhe zhvillohet si bima nga e folmja jonë e përditshme dhe nga shkrimet artistike e shkencore . Shumë studiues thonë se gjuha është populli. Gjuha vërtetë është pasuria dhe begatia më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e të gjithë neve. Gjuha zhvillohet duke jetuar e punuar, ajo rritët nëpër shkëmbinjtë oral dhe të shkruar, e gjelbër me lulet, e ylbertë me ngjyrat. Atë e rrit dhe e zgjeron dashuria dhe fryma jonë nëpër kohë!.. Xhavit Kryeziu është studiues dhe shkrimtar i shquar. Saktësia dhe vlera artistike janë vlera përcaktuese në veprat e shkrimtarit, Xhavit Kryeziu.

Është e ndaluar të mos i besosh jetës dhe historisë tënde, Është e ndaluar të mos e ndihmosh popullin tënd kur ai ka nevojë. Është e ndaluar të mos e ndjekësh frymëzimin që atë ta shkruash, thuhet në shumë libra të “Artit të luftës dhe të jetës”. Një pikë gjak për lirinë dhe një pikë gjak për këngën, i bëjnë nder kombit dhe historisë. E fillova këtë ese për Xhavit Kryeziun, shkrimtarin, albanologun, profesorin dhe ushtarakun, me një varg të Pablo Nerudës: “E ndaluar është të mos bësh luftë për liri” dhe të mos arsimohesh, se luftërat për liri pak a shumë janë të ngjashme.

Xhavit Kryeziu, tërë shekullin e punës së tij, për më se 40 vjet punë, ia kushtoi arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja në të gjitha fazat e shkollimit. Punoi me zemër dhe me shpirt në klasat e ulëta të fillores, në ciklin e lartë të mësimit lëndor të fillores, në shkollat e mesme dhe në universitet, me një qëllim e synim, që të zhdukë terrin e paditurisë të trashëguar nga e kaluara. Koha dhe rrethanat shoqërore na imponuan angazhim të jashtëzakonshëm të intelektualëve tanë që të funksionojë sistemi i shkollimit edhe në rrethana të luftës.

Në një kohë shumë dramatike për arsimin shqip në Kosovë, një grup profesorësh të Dardanës e mbajtëm gjallë Gjimnazin në Hogosht, për shumë vite, me moton; aty ku hapet një shkollë- mbyllet një burg. Në rrethana të shtetrrethimit serbian në Kosovë funksionimi i shkollave shqipe ishte shumë i vështirësuar. Profesorët atdhetarë nga Dardana të prirë nga Januz Sylaj, Faik Shkodra, Izet Surdulli, Zekë Jusufi, Xhavit Kryeziu e shumë të tjerë, u angazhuan, në mbajtjen e mësimit në paralelet e ndara fizike të Gjimnazit në Hogosht që ishin paralele të Gjimnazit “Ismail Qemali” të Kamenicës, deri në shkallën e sakrifikimit vetëm e vetëm në interes të kombit e të atdheut. Ata i dhanë arsimit shqip dritën e të pamundurës.

Pikësynim i tyre, rrëfen shkrimtari dhe profesori Xhavit, ishte ligjërimi i qartë, komunikimi i drejtpërdrejtë me nxënës e studentë në përvetësimin e njohurive e shkathtësive të reja dhe aplikimin e tyre në jetë. Me profesor Xhavit Kryeziun njihemi që nga fëmijëria. Jeta e të gjithë nxënësve, studentëve dhe intelektualëve të Roganës, në moshën tonë të bardhë, thuaja se ishte e njëjtë. Xhavitin e njoh si poetin më serioz të Roganës.

Si nxënës i Normales në Gjilan, në vitet 1962 – 1965, ai kishte të botuara rreth 20 poezi në gazetat dhe revistat e kohës si: “Flaka e Vëllazërimit”, “Zëri i Rinisë”, etj. Mirëpo, përplasjet e dallgëve të jetës qenë trazira të paparashikuara. Gjuha, kultura, arti, krijohen duke jetuar dhe në rrethana të caktuara. Frymëzimet nga historia jonë monumentale, nga dita në ditë po bëheshin pjesë e jetës së jetuar.

HW

Zinxhirët e mentalitetit osman shtrëngonin nga brenda, të mos lëvizej përpara, këtë e mëtonte dhe armiku, që vëzhgonte nga afër çdo lëvizje të fshatit dhe qytetit në Kosovë. Fryma e së përjetshmes, edhe pse e pafrymë, mbetet e pandalshme.

Xhavit Kryeziu, u ngrit mbi vështirësitë e kohës së tij. Formimi i një intelektuali, shkrimtari, publicisti, do kohën e vet të domosdoshme. Ne ishim si lulet e egra të shkëmbit më thotë Xhaviti. Varfëria ishte mur i trashë dhe herë-herë e papërballueshme. Xhavit Kryeziu u lind më 24. 4. 1943 në Roganë, të Dardanës ( ish Kamenicës ). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, Normalen në Gjilan (1965), ShLP-në, Dega e Gjuhës e Letërsisë Shqipe, në Prizren (1968), fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë, ndërsa magjistroi në Fakultetin e Mbrojtjes Popullore. Shkrimtari, Xhavit Kryeziu, ka kohë që merret me krijimtari dhe është njohës i mirë i gjuhës shqipe. Ai deri më tash ka botuar këto libra : 1 . Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës, 1945 – 2000, me bashkautor, botuar me 2001 (300 faqe); 2 . Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës, 2000 – 2005 (II), me bashkautor, Gjilan, 2006 (216 faqe); 3 . “Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) I, Gjilan, 2006 (126 faqe); 4 . Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) II, Gjilan, 2007 (102 faqe); 5 .Gjimnazi “Ismail Qemali” i Kamenicës (1964- 2007) I”, Gjilan, 2009 – Monografi, 388 faqe, ndërsa në librin e fundit: “Peizazhet e Fjalës”, Prizren, 2011, (155 faqe) trajtohen çështje nga: gjuhësia, letërsia dhe historia.

Dr. Zeqir Demi lidhur me një monografi të Xhavit Kryeziu shkruan: “Brendia eksplikative e veprës, pyet për brendinë e njeriut dhe brendinë e kombit dhe njëkohësisht zbulon me stilistikë simbiozitetin e kombit me arsimin për t’i prekur në rrafshin e hapësirës së lirë kombëtare”. Të gjitha këto vepra janë dëshmi e talentit, vullnetit dhe pasionit të tij, për librin, krijimtarinë dhe letërsinë.

Në këto afro 1 mijë e treqind faqe monografi, autor, dhe me bashkautorë, Xhavit Kryeziu, tregon përkushtimin e tij për të kaluarën, për të tashmen, dhe të ardhmen e popullit të tij. Në monografitë e Xhavit Kryeziut janë me qindra personalitete të prezantuara nga urtësia e tij prej krijuesi. Që nga viti 2008 është në pension, por nuk ka pushuar veprimtaria e tij krijuese duke bashkëpunuar : me revistën letrare “Nositi”, “Zemra shqiptare”, “ Filolet” e të tjera. Nga të gjitha vendet e punës, ku ka punuar, për angazhimin e zellin në punë iu kanë ndarë mirënjohje me shkrim.

Poeti e publicisti, Shaban Cakolli, i cili ishte njëri ndër nxënësit e tij, në poezinë: “Promotor i diturisë”, shkruan: “Në shkollat e Dardanës / Mësova gjuhën e nënës / Të flas e të shkruaj bukur shqip / Më mësoi mësimdhënësi Xhavit”. Monografitë janë libra kundër harresës dhe mesazhe që ruajnë të shkruar shpirtin e kohës për studiues dhe trashëgim të kujtesës për brezat e ardhshëm. Unë kujtoj se ai që di ta lexojë monografinë dhe galerinë e pafund të figurave, ai do ta vlerësojë veprën e mirëfilltë të shkrimtarit, Xhavit Kryeziut./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.