Eko Higjiena

Midis kujtesës dhe historisë, promovohet “Trungu gjenealogjik i familjes Haziri” i prof. Rahim Azemit

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Rrugëtimi historik i gjenezës sonë familjare është më i gjatë nga sa kemi menduar. Qëllimi i këtij punimi është ndriçimi i së kaluarës sonë historike dhe shoqërore, si dhe njohja e arritjeve në periudha të ndryshme kohore. Besoj se ky punim do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për brezat e ardhshëm. Atyre u mbetet detyra që të hulumtojnë më tej dhe ta plotësojnë këtë studim me fakte të reja, nënvizoi autori, prof. Rahim Azemi.

Ndonëse kujtesa kolektive transmetohet brez pas brezi përmes traditës gojore dhe rrëfimeve, ky proces shpesh mbetet i pamjaftueshëm për përjetësimin e plotë të saj. Lind kështu nevoja e domosdoshme për dokumentimin e shkruar, çka ka nxitur edhe prof. Rahim Azemin të jetësojë veprën monografike “Trungu gjenealogjik i familjes Haziri (Malësia e Shkodrës – Stançiqi i Karadakut)”. Ky libër u promovua këtë të shtunë pikërisht në vendlindjen e autorit – aty ku e kanë zanafillën rrënjët e tij familjare dhe ku merr jetë e gjithë narrativa historike e këtij studimi.

Për të nderuar autorin dhe për të vlerësuar këtë botim të ri, në promovim mori pjesë një numër i konsiderueshëm miqsh, bashkëpunëtorësh dhe dashamirësh të ardhur nga Gjilani, Shkupi, Prishtina, Ferizaj e qendra të tjera, përfshi, natyrshëm, edhe njerëzit e tij të gjakut e familjarët.

Kjo festë e librit në malësinë e Karadakut u moderua në mënyrë të shkëlqyer nga shkrimtari dhe piktori Gani Bytyçi, i cili për të pranishmit solli një atmosferë shumë miqësore dhe solemne, duke shkëputur edhe përshtypje nga brendia e librit, detaje këto që shtojnë dukshëm kërshërinë për ta lexuar këtë libër.

Recensenti i këtij libri, Prof. dr. Skender Asani, pasi vlerësoi se historia e një populli nuk shkruhet vetëm në dokumentet arkivore, në kancelaritë diplomatike apo në kronikat e ngjarjeve të mëdha, por ajo jeton edhe në kujtesën e familjeve, në rrëfimet e të moshuarve, në gurët e kullave dhe në emrat e të parëve, të cilët, ndonëse nuk gjenden gjithmonë në faqet e historisë zyrtare, kanë qenë pjesë e pandashme e saj, vuri në dukje se pikërisht këtë dimension të historisë na e sjell Rahim Azemi përmes veprës së tij, “Trungu gjenealogjik i familjes Haziri (Malësia e Shkodrës – Stançiqi i Karadakut)”, një studim që kapërcen kufijtë e një kronike të zakonshme familjare dhe shndërrohet në një rrëfim për prejardhjen, shpërnguljet, qëndresën dhe vazhdimësinë e identitetit shqiptar ndër breza.

“Vlera e kësaj vepre qëndron pikërisht në ndërthurjen e historisë familjare me proceset më të gjera historike dhe shoqërore. Duke gjurmuar prejardhjen e familjes Haziri nga trungu i fisit Berishë, në hapësirën e Pukës dhe të Iballës, e deri te vendosja në Stançiq të Karadakut, autori na ofron një pasqyrë të lëvizjeve të popullsisë shqiptare dhe të përpjekjeve për ruajtjen e lidhjeve familjare, traditave dhe identitetit.

Përmes figurës së Gjonit dhe pasardhësve të tij, autori rindërton rrugëtimin e një familjeje që, në përballje me rrethanat e ndryshme historike, ndryshoi vendbanimin, por ruajti kujtesën e prejardhjes. Ky rrugëtim na dëshmon se shpërngulja nuk nënkupton domosdoshmërisht shkëputjen nga rrënjët, sepse njeriu, kudo që shkon, merr me vete gjuhën, zakonet dhe kujtesën e të parëve.

Një vend të veçantë në këtë vepër zë kulla dhe oda e Azemit në Stançiq. Kulla nuk paraqitet vetëm si një objekt i arkitekturës tradicionale, por si një simbol i vazhdimësisë familjare, ndërsa oda si një institucion i pashkruar i edukimit, mikpritjes, besës dhe pajtimit.

Rahim Azemi ka arritur ta shndërrojë historinë e një familjeje në një rrëfim për kujtesën, qëndresën dhe vazhdimësinë e brezave. Nga Malësia e Shkodrës në Stançiq të Karadakut, nga Gjoni te pasardhësit e sotëm, nga kulla tradicionale te arritjet në arsim, shkencë e kulturë, ky libër na paraqet një rrugëtim historik ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një trung të përbashkët”, nënvizoi Prof. dr. Skender Asani.

UBT

Ndërkaq, botuesi dhe redaktori i librit, Emin AZEMI, fillimisht potencoi se ky promovim që po mbahet sot këtu, pikërisht në këtë truall, mbart një peshë që i kalon kufijtë e një ngjarjeje të zakonshme. Ne ndodhemi në oborrin e një shtëpie, tha ai, të një vatre që ka ngrohur rrobat e lagura të kaçakëve dhe ka pritur e përcjellur miqë, e dashamirë, por jo rrallë ajo është shndërruar edhe në beden prej ku është mbrojtur dinjiteti i familjes dhe i mbarë krahinës.

Ajo ishte kullë që i bëri ballë rrebesheve, odë burrash ku thureshin besa e kuvendi, hambar që ushqeu brezat me bukë e me dinjitet. Ky oborr nuk është një hapësirë e rëndomtë, por është vetë shpirti i familjes Haziri, i kthyer në dëshmitar të përjetshëm të historisë sonë. Këta gurë të lashtë mbajnë të skicuara thinjat e kohërave, ndërsa ky dhe i bekuar ka thithur djersën dhe lotët e burrave dhe grave që nuk kursyen asgjë për të mbajtur të gjallë e të ndezur zjarrin e kësaj vatre të shenjtë, nënvizoi Azemi.

“Ky libër është stacioni final i një udhëtimi sa njerëzor aq edhe shkencor: aty ku kujtesa zbehet dhe harresa kërcënon, ndërhyn dokumenti arkivor për të vulosur të vërtetën. Përmes këtij botimi, prof. Rahim Azemi e ngre historinë e familjes Haziri në nivelin më të lartë të ruajtjes së identitetit – në libër. Përmes një kërkimi të imtësishëm shkencor dhe një përkushtimi empirik, autori dokumenton shtegtimin e madh të vllaznisë së Dabajve – këtij degëzimi të fuqishëm të fisit të lashtë të Berishës. Ai provon se shpërngulja e të parëve – Memës, Kolës dhe Gjonit – nuk ishte një ikje drejt harresës, por ishte një mbjellje e fisnikërisë pukjane në kreshtat dhe shkëmbinjtë e Karadakut. Ata nuk sollën me vete vetëm emrat e tyre, por edhe kodet e rrepta të nderit, zakonet e vyera dhe dashurinë për tokën, duke i shndërruar këto male në një fortesë të pathyeshme të traditës shqiptare. Kjo vepër e prof. Rahim Azemit nuk plotëson vetëm një zbrazëti në historiografinë tonë, ajo është edhe një thirrje zgjimi për të gjithë ne e sidomos për brezat që vijnë. Është pra një porosi e madhe për ta dashur dhe mbrojtur historinë tonë, sepse një komb dhe njeri pa kujtesë, një familje pa rrënjë, ngjan me një pemë të tharë në vjeshtë. Pikërisht ky libër na kujton se ne jemi thjesht një urë lidhëse mes të kaluarës lavdiplote dhe të ardhmes që po ndërtohet, prandaj kemi detyrim që këtë dritë t’ua përcjellim fëmijëve tanë të pastër e të pacënuar. Ky libër është drita që ndriçon të kaluarën tonë dhe është udhërrëfyesi që na drejton nga e ardhmja”, vuri në dukje botuesi dhe redaktori i këtij libri, Emin Azemi.

Për librin foli edhe profesori i historisë, Mr. Aliriza Selmani, i cili solli në vëmendjen e të pranishmëve kontributin e prof. Rahim Azemit në ndriçimin sa më shkencor të kësaj pjese të Karadkut, duke u mbështetur në faktografi dhe dëshmi autentike. Sipas tij, ky libër iu ndihmon studiuesve të rij që të gjurmojnë rrënjët gjenealogjike të familjeve shqiptare, me çka i jepet një nxitje e madhe studimit të rrjedhave demografike e shoqërore të popullit tonë në periudha të caktuara historike.

Duke sjellë para të pranishmëve disa impresione nga leximi i këtij libri. Ing. Ahmet Asani tha se të flasësh për një trung familjar do të thotë të flasësh për njerëz, për breza, për kujtime, për sakrifica, për gëzime e vuajtje, për ikje dhe kthime, por mbi të gjitha, do të thotë të flasësh për identitetin. Ky libër, sipas këndvështrimit tim, ka tri dimensione të rëndësishme.

Ai në vazhdim shkoqiti tre dimensionet e këtij libri: Dimensioni i parë, ai historik dhe gjenealogjik, dimensioni i dytë – shoqëror dhe njerëzor si dhe dimensioni i tretë është ai që mund të lexohet mes rreshtave dhe që ka të bëjë me shpërnguljet, ikjet dhe kthimet e të parëve tanë. Nga ky këndvështrim, sipas Asanit, ky libër nxit edhe nevojen e studimit te mundesisē se të parët e këtyre maleve iliro-dardane, në kohë më të hershme, pas ardhjes së sllavëve në këto treva, mund të jenë shpërngulur dhe të kenë shkuar drejt Alpeve të Shqipërisë, por pa e harruar kurrë vendin e prejardhjes. Dhe, sipas kësaj hipoteze, pas shumë brezash, pasardhësit e tyre mund të jenë kthyer përsëri në këto treva, në këtë vend ku ne sot po promovojmë këtë libër.

Për të përmbyllur rrjedhën e këtij promovimi, foli edhe autori, prof. Rahim Azemi, i cili pasi i faleminderoi pjesëmarrësit, vuri në dukje edhe disa aspekte të procesit të përgatitjes së këtij libri, pa harruar gjithë ata që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim.

“Zhvillimi historik i gjenezës tonë familjare është më e gjatë se sa kemi menduar. Nismat e reja janë produktive të cilat argumentojnë qëllimin për të cilin është përcaktuar. Qëllimi i këtij punimi është njohja e të kaluarës tonë historike dhe shoqërore, njohja e rezultateve të arritura gjatë periudhave të ndryshme kohore. Zhvillimi i natalitetit dhe mortalitetit, të arriturat në fushën politike, arsimore, kulturore-sportive, ruajtja e traditave familjare, janë forma të cilat i gjejmë në fazat e zhvillimit të saj..Krejt në fund. Konsideroj se ky punim do të jetë pikë referuese për gjeneratat e ardhshme. Atyre ju mbetet barrë që të hulumtojnë dhe të plotësojnë punimin me të dhëna të reja… Punimi ka karakterin e një qasje teorike dhe pragmatike që reflekton një vlerë, sepse për herë të parë është shtruar kjo problematikë e prejardhjes së trungut familjar”, konstatoi në fund, autori prof. Rahim Azemi./ea/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.