UBT

Vështrime mbi pozitën e gruas shqiptare në Zvicër

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë e UPSH-së si dhe anëtare e Komisionit Federal për çështje të Migracionit.

Kjo ditë simbolizon bashkimin e tyre pa dallim feje, ngjyre, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje. Me të vetmin qëllim për ta arritur paqen, barazinë, drejtësinë. Po si i gjen kjo ditë gruan, gratë shqiptare në shtetin demokratik të Zvicrës? Nuk e di se si do ta përshkruante Rilindësi i kohëve të hershme Andon Zako –çajupi atë gruan, këto gra që kanë marrë rrugën e kurbetit, që të lodhura si kudo rendin pas dy tre punëve radhazi çdo ditë. Unë them se shtypi, media e shkruar dhe ajo e figurshme, kësaj teme i kanë qëndruar dhe i qëndrojnë larg, shumë larg…

Albana Krasniqi – Malaj bashkëshortja e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zvicër Naim Malaj dhe Drejtoreshë, në Universitetin Popullor Shqiptar në Gjenevë, anëtare e Komisionit Federal për Migracione, docente në shkollën e lartë të mësuesisë analizon situatën e gruas shqiptare pozitën e saj në një intervistë për albinfo.ch

Zonja Albana, si e shihni pozitën e gruas shqiptare në Zvicër krahasuar me gratë tjera evropiane?

A Krasniqi-Malaj: Pikësëpari, do të doja t’ju falënderoj për prezantimin tim, i cili, nga njëra anë më bëri ta vë buzën në gaz, dhe, nga ana tjetër më habiti vetëm pjesërisht. Duke qenë se vijmë nga një shoqëri tradicionale, të tipit kolektivist, ndryshe nga shoqëria evropiano-perëndimore e tipit individualist, përkatësia përcakton statusin tonë. Përkatësia e parë është ajo e familjes. Ju dhe unë dhe të tjerat, jemi mësuar tashmë në na klasifikojnë si bija e…, gruaja e… etj. Pra për ne, të tjerët e krijojnë imazhin në bazë të prejardhjes, origjinës sociale e familjare etj, ende pa na njohur. Mendoj se kjo është pjesë e kontrollit social, që e mbajmë mbi supe gjatë gjithë jetës. Ky fenomen krijon një lloj varësie nga shoqëria dhe familja, që mund të jetë shumë pozitiv, por njëkohësisht mund të përbëje edhe pengesë emancipimi. Kur flas për emancipim, të kuptohemi, kam parasysh emancipimin shoqëror dhe jo vetëm të gruas. Për mua, gruaja është pjesë e lëvizjes qarkullore sociale, dhe nuk mund të merret si e shkëputur prej saj. çështja e emancipimit, është çështje shoqërore dhe familjare.

Hap një parantezë: me gjithë fatin e pamasë dhe nderin e pakufi të jem bija e babait tim, me gjithë kënaqësinë e madhe dhe kokëçarjet e përditësisë që ndaj në jetën e tim shoqi, me gjithë gëzimin e papërshkrueshëm dhe përgjegjësisë të jem nëna e fëmijëve të mi, pyetjeve do t’i përgjigjem si drejtoreshë e UPSH, anëtare e Komisionit Federal për Migracione dhe docente në shkollën e lartë të mësuesisë.

Ju më pyesni se si qëndron pozita e gruas shqiptare ne Zvicër,krahasuar me Zviceranet.

Mendoj se krahasimi nuk duhet bërë me Zviceranet, por së pari me vetveten. Shoqëria jonë shqiptare është me shkallë. (Asnjë shkallë nuk është më vyjshme se tjetra). Brenda saj, gjeni gra amvisa, gra studente, gra punëtore, gra profesore etj. Përkatësia në një kategori sociale të caktuar bën dallimin midis grave dhe jo origjina gjeografike. Kur e them këtë, kam parasysh se gratë shqiptare nuk kanë ndonjë dallim të madh nga gratë Zvicerane të të njëjtës përkatësi sociale. Ajo që e veçanton atë, është rrugëtimi migrator, tejet i vështirë dhe pa ndonjë përgatitje paraprake. Kështu, gratë janë ato që kanë jetuar vetëm, kur burrat ishin në mërgim; që përballuan terrorin e egër dhe u viktimizuan; që morën rrugët me fëmijët në krah, të dëbuara nga vatrat e tyre; janë po ato që erdhën në Zvicër për bashkim familje, shpesh të detyruara nga lufta; që u përballën me ndryshimet që kishte pësuar burri i tyre në vetminë dhe lodhjen e mërgimit; që u bënë shtylla e krijimit të një projekti familjar në kohëgjatësi; qe u përballën me jetën e dyfishtë e të trefishtë të të qenit nënë, grua, edukatore, ekonomiste, amvisë, pastruese dhe kuzhiniere e shtëpisë, e punësuar jashtë shtëpisë, ndonjëherë e aktivizuar në jetën asociative a partiake. Rrugëtimi i gjatë i saj dhe përballja me vështirësitë e mbijetesës, sado paradoksale dhe cinike që duket, bën pjesë në premisat e emancipimit të saj.

Kur flas për emancipim, nuk e marr këtë në spektrin e emancipimit të ngushtë feminist ( bile ma merr mendja se ky term nuk është më në përputhje me epokën që jetojmë) por me emancipimin social, ku gruaja dhe burri kanë të drejta të barabarta, shance të barabarta, perspektiva të barabarta, respekt të ndërsjellët. Kufiri i emancipimit të arrirë nuk mund të vihet prej nesh, as në pikëpamjen filozofike, sociale apo etike. Kufiri poroz ndërtohet dita- ditës nga të gjithë anëtarët e familjes, shoqërisë, kombit. Ky kufi nuk është i normatuar, secili e gjen veten në komfortin vetjak e familjar. Pra kjo është një punë e vazhdueshme dhe nuk mund të themi se kryhet në një ditë. Sapo arrihet një finalitet, vetë natyra njerëzore i shtyn burrat dhe gratë të ngarendin drejt një caku tjetër.

ARKATANA

Pra për mendimin tim, gruaja shqiptare reflekton, gjendjen e shoqërisë tonë. Mendoj, pa pikë dëshire stigatizimi apo anashkalimi, që gruaja arrin pozitë më të lakmueshme, prej momentit që krijon pavarësinë intelektuale dhe financiare. Të gjitha gratë e brezit të parë të mërgimtareve nuk e kanë pasur këtë shans, pasi të tjera prioritete i ndërprerë rrugën drejt përsosjes së vetvetes në shumë aspekte. Me gjeneratën e dytë vëmë re një hap të madh përpara, qoftë këtu në mërgim, qofte në vendet e origjinës. Megjithë problemet që mund ta shoqërojnë gruan, dhe ato janë të shumta, le të mbetemi optimistë.

A mendoni se mbetet e hapur sfida e barazisë mes gruas e burrit ?

A. Krasniqi-Malaj: Sigurisht që mbetet e hapur. Ne jetojmë në një vend demokratik, sipas cilësimit tuaj, por mos të harrojmë se gratë Zvicerane kanë fituar të drejtën e votës vetëm në fillim te viteve ’70-ta; se një sërë ligjesh, si barazia e burrit dhe gruas në kushtetutë, heqja e nocionit të kryetarit të familjes nga kodi civil etj, janë edhe më të vonshme( vitet ’90); se përpjekjet për barazinë e rrogave, de facto janë ende aktuale. Pra edhe në vendin ku jetojmë, barazia gjinore, është një temë dite. Te ne sfida shumëfishohet, pasi ndeshemi me ndjenja të nyjëzuara: dëshira për t’u integruar sa më mirë( dhe kush thotë integrim, thotë të jetosh me gëzimet dhe vështirësitë e shoqërisë së këtushme) dhe dëshira për t’i mbajtur gjallë zakonet dhe modelet shoqërore e familjare që kemi bartur nga Shqiptaria. Mendoj dhe shpesh kam bindjen, se këto nuk janë procese kundërshtuese por plotësuese. Integrimi shkon paralelisht me respektin: respekt ndaj asaj që përbën brendësinë tonë, rrënjët tona dhe respektin ndaj jetës së re. Pajtimi që mund t’i bëjmë të dyjave, mund të na ndihmojë të jemi mirë me vetveten t’i pranojmë e të përballemi me sfidat, pa qenë në pozita të mohimit të vështirësive.

Barazia mes burrit dhe gruas është një dukuri e gjithë botës. A po bën shoqëria shqiptare gjithçka për të shembur murin e pabarazisë gjinore?

A. Krasniqi-Malaj: Varet nga muri… ai mund të jetë prej kartonxhezi apo prej betoni! Mendoj se shkollimi, edukimi, integrimi më i mirë në jetën shoqërore dhe profesionale, pavarësimi ekonomik, zhveshje nga mentalitete te vyshkura, janë shtyllat e barazisë. Sa ç’është e lehtë të thuhet, po aq është e vështirë për t’u realizuar, pasi kjo kërkon kohë dhe përkushtim.

Me ketë rast cila do të jetë këshilla juaj për të gjitha vajzat dhe gratë në përgjithësi?

A. Krasniqi-Malaj: Nuk mendoj se kam të drejtën të formuloj këshilla, por kemi për detyrë të edukojmë dhe shoqërojmë brezat në plotësimin e tyre intelektual e shoqëror, t’ua krijojmë atyre kushtet të shkollohen. Vlerësimi i resurseve dhe potencialeve të grave, është obligim moral i gjithë shoqërisë. Duke mos dashur të bie në dogma, mendoj se shkollimi se është baza kryesore e pavarësimit dhe e përparimit. Një tjetër aspekt është dhënia e fjalës dhe e lirisë së shprehjes së mendimit të lirë. Ne si UPSH kemi shumë objektiva afatmesëm e afatgjate në këtë drejtim. Aktiviteti i Kongresit të të rinjve, i parashikuar për më 29 mars 2014, bën pjesë në programin e angazhimit në këtë drejtim. Duke ju falënderuar që më bëtë pjesë të intervistës suaj, ju uroj suksese dhe e gëzofshi ditën e gruas dhe të gjitha ditët e tjera të vitit!

Zonja Albana! Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste./Nexhmije Mehmetaj/albinfo/