UBT

Vendimi i jurisë për Ramadan Mehmetin që u kumtua nga Nexhat Rexha

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Ramadan Mehmeti, troket në botën e letrave shqipe në fund të viteve gjashtëdhjeta, për të ardhur përherë më i formësuar përmes botimeve letrare, nga mesi i viteve shtatëdhjeta e këndej, si në poezi, prozë, prozë poetike e në dramë.

Të emëruar nga kryetari i komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, për dhënien e Çmimit letrar “Beqir Musliu” për vitin 2013, nga një propozim më i gjerë njerëzish të artit dhe letërsisë, ne anëtarët e kësaj Jurie letrare, në përbërje:Dr. Sabile Keçmezi – Basha, shkrimtare dhe historian Nexhat Rexha, kritik letrar dhe poet
Emin Azemi, poet, kritik letrar si dhe botues

Pas një shqyrtimi të hollësishëm të propozimeve të bëra nga subjekte letrare – kulturore, botuese dhe institucione të kulturës, gjashtë sish, në përputhje me Rregulloren për dhënien e Çmimit letrar “Beqir Musliu”, si dhe përgjegjësinë tonë të plotë me mandatin ë dhënë , duke i respektuar dhe vlerësuar një për një propozimet e subjekteve në fjalë, madje edhe vlerësimet tona vetanake që dorën në zemër, fillimisht ishin të ndryshme, të hapura, por edhe shumë përmbajtësore , gjithnjë them duke marrë për bazë Rregulloren e këtij Çmimi ( që dosido do duhej zgjeruar në kërkesat e saja , në të ardhmen), erdhëm dhe deri te vendimi pajtues , e rezultat i këtij Vendimi, është emri i fituesit të sivjem të Çmimit letrar “Beqir Musliu”, çmim që nderon vlerat krijuese të një personaliteti krijues i cili ka rrumbullakësuar një karrierë letrare, duke qenë i suksesshëm në poezi, prozë e dramë dhe, ky emër është, shkrimtari i kësaj ane, Ramadan MEHMETI.

ARSYETIMI I SHKURTËR

Ramadan Mehmeti, troket në botën e letrave shqipe në fund të viteve gjashtëdhjeta, për të ardhur përherë më i formësuar përmes botimeve letrare, nga mesi i viteve shtatëdhjeta e këndej, si në poezi, prozë, prozë poetike e në dramë.

Pjesë e një brezi shkrimtarësh të shquar nga kjo anë e Kosovës si Beqir Musliu, Mirko Gashi, Musa Ramadani e Ibrahim Kadriu, edhe Ramadan Mehmeti, që këtë vit shënon 65 vjetorin e lindjes dhe 40 vjetorin e krijimtarisë letrare, identifikim të vetin letrar do ta ketë Gjilanin, si një vendlindje mjaftë emblematike, ndërsa parësore në art do ta ketë figurshmërinë, që nga libri i parë, “Jeta pa titull” e deri te ky i fundit, i pabotuar, “Hiri i bozhureve”.

Njeri i urtë, i paimponueshëm, nganjëherë edhe i pavërejtur sa duhet, ai sjell zjarrin e fjalës, atë zjarr që shënon momentet më delikate të historisë, natyrisht me gjuhën e artit, e të cilat i përjetoi dhe, mbijetoi populli ynë, veçmas në poezi, po edhe në prozë si dhe në dy dramat e tij.

Megjithëse, në ceremoninë e dhënies së këtij Çmimi do jepet më gjerë një letërnjoftim krijues i Ramadan Mehmetit, i përafërt edhe me arsyetimin e katër subjekteve letrare e kulturore që e propozuan, ju ftojmë ta shfletoni botën letrare të Ramadan Mehmetit apo edhe t’i riktheheni sërish kësaj krijimtarie të begatë për t’u bindur se, shpesh rreth vetes kemi vlera të mirëfillta, ndaj të cilave nganjëherë tregohemi indiferentë.

Një nga këto vlera që u përzgjodh nga ana jonë për një Çmim shumë nderues, është dhe vetë Ramadan Mehmeti e këtë e dëshmon më së miri krijimtaria letrare , të cilën unë po ua prezentoj shkurtimisht.

Ramadan MEHMETI

Ramadan Mehmeti, që prej botimit të veprës së parë, me poezi për të rritur, “Jeta pa titull”, 1977, nuk u ndal së shkruari. Që nga kjo kohë, letërsia për të u bë pjesë e jetës, vetë kuptimi i saj. Me këmbënguljen, durimin, zellin dhe prirjen, që rregullisht e ushqeu me gjetje të reja artistike, letërsisë shqiptare i dhuroi mbi 25 vepra zhanresh të ndryshme.

Ramadan Mehmeti u lind më 20 shtator 1948 në Livoç të Ulët të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë. Studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe.

Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët rumune, serbe dhe boshnjake dhe është nderuar me shumë çmime letrare.

Është i përfshirë në disa antologji, si në Kosovë, Shqipëri dhe në Rumani.
Është editor i shtëpisë botuese “Rozafa” të Prishtinës.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Është anëtar i Karvanit të Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Vepra të botuara

Uji Dea

Poezi për të rritur:

1. “Jeta pa titull”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1977
2. “Koncerti i heshtjes”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1987
3. “Loja e ruletit”, poezi, Plejada, Prishtinë, 1994
4. “Requiem për Mirko Gashin”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1997
5. “Ringjallja”, SHSHK, Prishtinë, 1998
6. “Brigje shpirti”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2004
7. “Mëkate të zgjuara”, Rozafa, Prishtinë, 2004
8. “Loja e ruletit”, botimi i dytë, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2006
9. “Harpa e zemrës”, poezi për të rritur, SHB Beqir Musliu, Gjilan, 2011

Poezi për fëmijë

10. “Ti je e vogël”, poezi për fëmijë, Iliriku, Prishtinë, 1997
11. “Te guri i atdheut”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2000
12. “Zemrat bëhen ura”, vjersha për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2002
13. “Testament i gjyshit”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
14. “Te guri i atdheut”, botim i dytë, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
15. “Kur pikëllohen zogjtë”, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2007
16. “Të kam zog”, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2010
17. “Bora me akullore”, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2012
18. “Sheshi i shqiponjës”, tregime për fëmijë, Faik Konica, Prishtinë 2012

Drama:

19. “Ura e Maskatarit”, dramë, Rozafa, Prishtinë, 2007
20. “Poshtërim i ndjenjës”, dramë, Ombra GVG, Tiranë, 2007

Përzgjedhje:

21. “Bekim i gjurmëve”, libër i poezisë së përzgjedhur nga Anton N. Berisha, Rozafa, Prishtinë, 2008
22. “Testament letrar”, mendimi kritik për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit, përgatitur nga Prend Buzhala, Rozafa, Prishtinë, 2008

Prozë:

23. “Fusha e korbave”, tregime, Rilindja, Prishtinë, 2000
24. “Hëna mbi taverne”, Ombra GVG, Tiranë, 2012
25. “Hiri i bozhureve”, prozë ROZAFA, 2013-06-15
Vepra të përkthyera:
26. “Pentagrama inimii” (Pentagrami i zemrës), Bukuresht, 2009

Si përfundim

Vlerësojmë pa masë kontributin e komunës së Gjilanit për nderimin dhe përkushtimin ndaj një figure letrare, intelektuale e atdhetare çfarë ishte Beqir Musliu.

Propozojmë që, duke pasur për bazë edhe një veprimtari ende të papërmbledhur në libra të Beqir Musliut, sidomos në fushën e kritikës letrare dhe të publicistikës, Rregullorja e këtij Çmimi t’i përfshijë dhe këto dy komponentë, meqë, e bën konkurrimin më interesant.

Në emër të Jurisë:
Nexhat Rexha

Gjilan, 15 Qershor 2013