Hidromorava

U përurua monografia “Zhvillimi i arsimit në Smirë” (1940-2018) nga autori Xhavit Sahiti

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”, në Viti, para një mase mjaft të madhe njerëzish, ku prezantuan familjarë, kolegë, profesorë të Universitetit të Prishtinës e shokë nga Shqipëria e vise tjera shqiptare, u bë përurimi i monografisë “Zhvillimi i arsimit në Smirë (1940-2918) nga Xhavit Sahiti, profesor dhe drejtor shkolle. Ky manifestim kulturor ishte i dalluar, për faktin se, e tërë salla e Shtëpisë së Kulturës ishte e mbushur me arsimdashës e intelektualë të tjerë, të cilët, si një, e përgëzuan autorin për veprën publicistike e dokumentare në fjalë.

Fillimisht, fjalën e parë e pati Fatbardha Emini, drejtoreshë e Arsimit në Viti, e cila tha se, kjo ditë është nga ditët e rralla e më të rëndësishme për të gjithë ne, por në veçanti është e rëndësishme për shkollën dhe mësimdhënësit e shkollës në fjalë. “Nga sot, bibliotekat, shkollat, arsimdashësit dhe kolegët e autorit, janë me një monografi të parë që e ka botuar Xhavit Sahiti, drejtor, i cili, me këtë projekt po e nderon vetën, fshatin, shkollën dhe krejt shkollarët e këtij mesi. Nuk është lehtë të shkruhet e të punohet një vepër e tillë, e cila, në vete ngërthen materie të ndryshme për historikun e shkollës dhe edukatorët e saj. Ky projekt i autorit në fjalë është ndihmuar sado pak nga komuna, por kjo ishte një lloj ndihme sa për ta shpejtuar punën në kurorëzimin e veprës në fjalë, e cila, gjer më sot i ka munguar shkollës së Smirës. Me këtë vepër dokumentare, sikur po hapërojmë më lehtë drejt shtigjeve të dijes, atje ku jem nisur për të nxënë dije për jetë. Andaj, urime drejtor për veprën e botuat dhe na keni nderuar edhe neve si drejtori e Arsimit.”

Feriz Ahmeti, veteran i arsimit, njëherit mësimdhënës i autorit në fjalë, tha se, Xhavit Sahiti, qysh në bankat e shkollës fillore dhe të mesme, e ka adhuruar arsimin, dijen e njeriut. Shih për këtë, ai “është përcaktuar me kohë në profesionin e punëtorit arsimor dhe, pak më herët, ai ka ushtruar detyrën e profesorit në Gjimnazin e Gjilanit, ku, tani ai është në pozitën e drejtorit të shkollës së Smirës. Autori, si ka shtuar Feriz Ahmeti, veteran i arsimit të kësaj komune, -me një punë ta palodhshme dhe të mundimshme ia filloi hartimit të kësaj monografie, i cili është mbështetur në dokumentet arkivore, por edhe me kohë ishte konsultuar me nxënësit e parë të kësaj shkolle fshati, duke i intervistuar dhe duke kërkuar deklarata e tyre me shkrim, të cilat, në mungesë të fakteve tjera, edhe këto i kanë shërbyer për historikun dhe zhvillimin e arsimit në Smirë, nga viti 1940 gjer në vitin e tanishëm, 2018.

Pra, autori më tepër është shërbyer më fjalën e gjallë të ish nxënësve të shkollës në fjalë. Ndërsa, nga viti shkollor 1946-47, shënimet janë paraqitur sipas evidencës të kësaj shkolle fillore të kësaj komune. Është një e arritur e parë e ndriçimit të historisë së shkollës së Smirës, e cila, si e tillë, do të jetë në të ardhmen si model për të tjerët që të hartojnë vepra të tilla dokumentare për arsimin tonë shqip. Vetëm duke i hedhur fjalët në letër, ne mund ta shndërrojmë punën tonë në vepër”.

Isak Rexhepi, recensent i monografisë në fjalë tha se, është kënaqësi e veçantë të referosh në cilësinë e recensuesit për monografinë cilësore e me vlerë që flet për zhvillimin e arsimit në Smirë 1940-2018 nga autori Xhavit Sahiti po nga ky mes.

Ai tha edhe këtë se, sipas vlerësimit të tij, “është vepër e rëndësishme, sepse paraqet në mënyrë kronologjike dhe të detajuar ecjen apo rrugëtimin e zhvillimin e fushës më vitale të shoqërisë në periudha të ndryshme për 80 vite në fshatin tonë. Brenda kësaj vepre dokumentare, ngërthehet një materie sa interesante dhe e bollshme, po aq me interes të përgjithshëm për arsimin shqiptar. Autori i vetëdijshëm se kjo punë e tij nuk do të jetë e lehtë, ia ka hyrë kësaj pune me vullnet të madh për ta prezentuar dhe ndriçuar këtë fushë të dijes, e cili segment ishte dhe është edhe sot njëra nga dritat e rëndësishme të jetës së njeriut.

Ai (autori XH. Sahiti), si ish nxënës i shkollës së Smirës, pastaj punëtor i arsimit për shumë vite dhe, tani si drejtor, por i ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorët të tjerë, ka arritur ta kurorëzojë një projekt me një veprimtari të gjerë arsimore, gjë që ka ndriçuar punën dhe rrugëtimin e vullnetshëm të arsimdashësve drejt një edukimi dhe arsimimi më cilësor nëpër periudha kaluese, por me sfida të rënda pune.

UBT

Pra, hartimi i monografisë nga autori Xh. Sahiti nuk ka qenë punë e lehtë, sepse, për një vepër të tillë dokumentare, lypset jo vetëm mundi, hulumtime të shumta arkivore si dhe grumbullimin e të gjeturave për ta rrumbullakësuar projektin gjer në finale të daljes në dritë të këtij projekti me vlerë.

Autori në monografinë për shkollën e Smirës ka shtuar fjalë për veprimtarët atdhetarë tanë, të cilët sakrifikuan jetën për të mirën e të gjithëve. Këtu ka biografi të arsimdashësve, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në këtë fushë të arsimit tonë shqip.

Në monografi vërehet me kujdes trajtimi i dy periudhave të rrugëtimit të arsimit në Smirë, si atij fetar dhe ai laik. Vepra në fjalë është e pasuruar me ilustrime, tabela, fotografi, dorëshkrime e dokumente të tjera zyrtare, të cilat, për një projekt të tillë, mjaftojnë, por edhe e bëjnë të qëndrueshme për të dëshmuar gjendjen e arsimit të këtij mesi, Smirës. Në këtë projekt ka mjaft statistikë të emrave dhe mbiemrave të nxënësve të këtij fshati, të cilët kanë qenë shkollarë nga vitet e hershme e gjer më tani. Si e tillë, monografia në fjalë e autorit, Xh. Sahiti, do të zëjë vend të merituar në bibliotekat tona dhe do të shërbejë për gjeneratat e ardhshme që do ta vazhdojnë dhe plotësojnë akoma më shumë me të arritura nga fusha e arsimit të këtij lokaliteti”.

Ndërsa, Halide Idrizi, mësuese e parë e këtij fshati tha se, unë sot jam tejet e gëzuar në këtë organizim kulturor që po mbahet për nder të përurimit të monografisë së nxënësit tim, Xhavit Sahiti. “Shihni, sot ndjej një kënaqësi dhe parandjej një ndjenjë të bukur në vete, sepse, nga ky moment solemn jam pak e emocionuar që sot jam në mesin e një tubimi shumë të rëndësishëm, i cili autor nuk ka hezituar të shkruajë fjalë në letër dhe lë gjurmë të pashlyera për shkollën ku kam punuar. T’ju them të drejtën, autorin e kam pasur nxënës të shkollës, të cilin e përgëzoj nga zemra për këtë projekt shumë domethënës dhe me vlera, i cili na jepin mesazhe që shkolla jonë, përkundër dhunës barbare, ajo mbijetoi dhe ka qëndruar krenar me shkollarët e saj sy pishë”.

Sami Hoxha, drejtor i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, në Gjilan, tha se, nuk do të ishte e arsyeshme ardhja ime gjer këtu në këtë promovim të veprës së Xhavit Sahitit e t’mos flas nja dy a tri fjalë, për faktin se, autori i kësaj monografie, Xh. Sahiti, tek ne ka punuar 27 vite me radhë. “Ai është pjesa më e madhe e punës në gjimnazin në fjalë. Ai punë më të madhe e ka bërë tek ne, një punë me plot përkushtim e seriozitet. Andaj, ndjeva obligim t’i them dy a tri fjalë, sepse aty e kam gjetur profin Xhavit si profesor i biologjisë. Më herët, atë nuk e kam njohur. Ky, 27 vite ka bërë punë të zellshme, ndonëse ka udhëtuar, nga Smira e gjer në Gjilan, ai kurrë s’ka munguar nga ora e nga aktivitetet tjera shkollore. Dhe, kjo punë e tij profesionale, është një pasuri e madhe. Ka vlera. Andaj, ky shok yni e i juaji, nuk ka qëndruar duarkryq, por gjithnjë ka punuar me vullnet dhe, kësaj here, me këtë dokumentar, ka ndriçuar historinë e këtij tempulli të dijes e të dritës për të mos e harruar ndër breza që vijnë pas. Pra, profi Xhavit, me punë e tij shembull, ato vite në gjimnazin e Gjilanit i lidhte gjeneratat, i lidhte brezat me shembullin e tij prej punëtori të madh të jetës e punës me ditar në dorë. Urime dhe suksese, profi Xhavit!”

Në fund, autori i veprës, Xhavit Sahiti tha se, sot po e ndjej vetën tejet të gëzuar dhe jam pak i emocionuar. Kjo dihet. “Më lejoni t`i përshëndes të gjithë të pranishmit: shokët, miqtë, kolegët nga Shkupi, Kavaja, Prishtina e mese të tjera, të cilët, sot, si një, gjenden në këtë eveniment të rëndësishëm kulturor. Shihni, gjer tek ky projekt, të cilin e kurorëzova, ishte një mundim jo aq i lehtë, për faktin se, projektin që e fillova ta bëj, kërkonte dokumente, materiale dhe të gjetura të tjera për të ndriçuar historinë e Shkollë fillore të fshatit Smirë. Por, vullneti, entuziazëm, kureshtja dhe ndihma që mi bënin shokët, miqtë dhe qytetarët e moshuar, sikur ndjeja një kënaqësi në vete që sa më parë ta shohin dritën e botimit të veprës sime në fjalë. T’ju them të drejtën, nuk ishte punë e lehtë, por angazhimi i pakursyer imi dhe i të tjerëve, e bën që ky libër dokumentar ta shohin dritën e botimit ashtu si e kam planifikuar. Unë i falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur në çdo formë të projektit. Edhe njëherë, ju faleminderit që ishit pjesë e këtij përurimi të librit tim”!/tefik selimi/rajonipress/