Uji Dea

Turqia krediton FMN-në

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Rimëkëmbja fantastike ekonomike e Turqisë në një ambient të krizës globale dhe sistematike financiare, sigurisht që shkakton fascinim, por vënë në pikëpyetje edhe arsyeshmërinë e sjelljes së vendeve anëtare të Bashkimit Europian ndaj saj. A pyeten francezët dhe gjermanët – si dy përkrahësit kryesorë të refuzimit të pranimit të Turqisë në BE, në vitin 2008 – se përse përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre dolën aq të cekët, dhe sakrifikuan logjikën ekonomike për hir të llogarive politike.

Në muajin maj Turqia do t’ia paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) këstin e fundit të borxhit saj, në vlerë prej 426 milionë dollarëve. Në këtë mënyrë Turqia do të kompletojë kthimin e gjithsejtë 52 miliardë dollarëve, sa ia kishte borxh institucionit më të madh monetar në botë.

Por, meqenëse raportet e fuqive gjatë pesë viteve të fundit ndryshuan me një shpejtësi marramendëse, pas kthimit të këtij borxhi duket se do të fillojë një etapë krejtësisht e re për sa iu përket raporteve të Turqisë me FMN’në. Kjo, për shkak se tash e tutje borxhli i Turqisë do të jetë FMN’ja, sepse fondit do të marrë një kredi prej pesë miliardë dollarëve, menjëherë pasi që shteti “i papërshtatshëm për hyrje në BE” t’ia lejojë ato FMN’së.

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, edhe më parë ka paralajmëruar synimin e Ankarasë që në muajin maj të kompletojë kthimin e borxheve, dhe të hapë një vijë kreditore për FMN’në. Sipas tij, që nga viti 2002 – kur ai erdhi në pushtet në Turqi – Fondit i janë kthyer 23.5 miliardë dollarë borxhe. Tutje, gjithnjë sipas Erdogan dhe përfaqësuesve të qeverisë turke, kthimi i borxheve paraqet konfirmimin e një zhvillimi stabil ekonomik të Turqisë, i cili do të krijojë kushte më të favorshme për joshjen e investimeve të reja në vend.

Uji Dea

Që nga viti 1961, e deri në vitin 2008, Republika e Turqisë ka nënshkruar me FMN’në plot 19 marrëveshje kreditimi, me një vlerë të përgjithshme prej 45.5 miliardë dollarë, dhe ka arritur t’i kthejë 52.7 miliardë dollarë.

Duke përmbyllur perfomancat e saj ekonomike – qartazi – të diversifikuara në mënyrë të mrekullueshme, ky vend në zhvillim, në vitin 2005 – pra, vetëm disa vite para kolapsit të mirëqenies kreditore të pjesës tjetër të botës – mendoi se e kishte vendin në Bashkimin Evropian.

Por liderët “e zgjuar” të vendeve anëtare të BE’së, të udhëhequr nga defensiva djathtiste në kohën krizash, kur zakonisht forcohen ndjenjat e fuqishme nacionaliste – pra, po të njëjtit ekspertë që borxhet publike të vendeve të tyre i shtynë mes 75 dhe 130 përqind të bruto prodhimit shoqëror (BDP) – vlerësuan se Turqia, për dallim nga ekonomitë e fuqishme të Bullgarisë dhe Rumanisë, nuk i plotëson kushtet e tyre të ndryshueshme.

“Nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim; mendoj se Turqia nuk e ka vendin në BE”, deklaroi në shkurt të vitit 2011, presidenti i pafat francez, Nicolas Sarkozy, derisa para opinionit botëror po prezantonte një mosnjohje elementare të rrethanave politike dhe ekonomike, të cilat u krijuan pas pëlcitjes së ballonit kreditor, si instrumentit themelor të betejës së korporatave kundër kursimit – epidemisë më të madhe të kapitalizmit liberal, që bazohet në prodhimin masiv, shfrytëzues dhe jonjerëzor, por që i sjellë fitime shtesë karteleve të korporatave, të cilat e sundojnë botën.(e-Novine)