RCCOLA

Tensionet në Ballkan arrijnë kulminacionin

/ 15 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Reka – Ky vit po sjell pasiguri të madhe në Ballkan për shkak të zhvillimeve si në rajon ashtu edhe në gjithë globin. Tre skenarë janë të mundshëm: I pari, SHBA dhe NATO mund të ruajnë angazhimin e fortë në rajon; i dyti, tërheqja e ShBA-së dhe BE-së mund të lërë Ballkanin në një vakum që Rusia me padurim do ta plotësonte, duke çuar në paqëndrueshmëri të rëndësishme; dhe i treti, kufijtë e rajonit do të mund sërish të ri-ravijëzohen potencialisht me mjete të dhunshme.

Krizat politike në Evropë dhe zgjedhja e Donald Trump si president të ShBA-së, kanë sjellë ndryshim të madh në paradigmat gjeopolitike në mbarë botën. Njëri prej shteteve më të mëdha të BE-së është në rrugën e vet të largimit, ndërkohë që disa nga anëtarët themelues të bllokut do t’i mbajnë zgjedhjet me partitë populiste në rritje e sipër. Presidenti Trump është duke ndryshuar kursin e politikës së jashtme të ShBA-së. E gjithë kjo do të ketë një ndikim të madh në Ballkan.

Për më tepër, presidenti Vladimir Putin e ka përforcuar pozicionin e Rusisë në Ukrainë, Siri dhe tani këto ditë edhe në në Libi. Moska do të jetë më aktive në Ballkan, duke pasur për qëllim që të përfitojë nga rritja në numër e fraksioneve pro-ruse në vendet si Moldavia, në kohën kur Perëndimi ështtë i preokupuar me çështjet e tjera.

Rikthimi i Turqisë

Mirëpo, as roli i Turqisë nuk duhet të nënvlerësohet. Afër dhe me ndikim të rëndësishëm në Ballkan, ajo mbetet një nga lojtarët më të mëdhenj rajonalë. Në vitin 2016, Turqia u dobësua përbrenda nga një përpjekje për grusht shtet dhe nga sulmet terroriste; kurse ndërkombëtarisht nga një humbje e ndikimit në Lindjen e Mesme përballë Rusisë. Megjithatë, ajo mban ambiciet globale, mbetet një ekonomi dinamike dhe me lidhje të forta kulturore me Ballkanin. Kjo ka të ngjarë të bëjë një rikthim të fortë këtë vit, edhe pse kohët e fundit është më afër me Moskën: më 10 mars, kur në Bruksel u mbajt Samiti i BE-së, në Moskë u mbajt Samiti Rusi-Turqi.
Tashmë, Ankaraja ka pasur një fillim të fortë në vitin 2017. Në dy muajt e parë të këtij viti, dy nga liderët më të rëndësishëm të Evropës – kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Tereza May dhe kancelarja gjermane Angela Merkel – takuan presidentin Rexhep Taip Erdogan, vizitat e tyre të para në Turqi pas trazirave në vend në vitin 2016. Të dy liderët folën për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ushtarak dhe angazhimet e NATO-s, por tensionet e fundit: Ankara- Berlin- Hagë, e larguan Turqinë nga Perëndimi.

Një mesazh të ngjashëm presidentit Erdogan, i dha edhe Presidenti Trump në një bisedë telefonike në muajin shkurt, duke përsëritur rëndësinë strategjike të Turqisë për NATO-n, në veçanti në luftimin e Daesh (e njohur edhe si Shteti Islamik apo IS-is). Andaj, nuk do të ishte e habitshme nëse e ShBA-ja vendosi të “delegojë” përgjegjësinë për rajonin në Turqi.

Ndikimi i Trumpit

Në fillim të këtij viti, presidenti Trump ndryshoi mendimin e tij për NATO-n, duke shprehur përkrahjen e tij të plotë për Aleancën, në një takim me kryeministren May, si dhe gjatë bisedave telefonike me kancelaren Merkel dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Në vizitën e tij të parë në Evropë, nënpresidenti amerikan Mike Pence i siguroi aleatët se “Presidenti Trump dhe populli amerikan janë plotësisht të përkushtuar për unionin tonë transatlantik”. Në një takim me ministrat e mbrojtjes të vendeve evropiane në Bruksel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis e quajti NATO-n “Bazë fundamentale” për komunitetin transatlantik.

Pra, vija strategjike e ShBA-së në Evropë, duket se nuk ka ndryshuar shumë. Sidomos jo dnaj Kosovës, që është reflektuar edhe në qëndrimin e administratës për Kosovën, ku pozicioni amerikan ka qenë prej kohësh konsistent. Me ”Kërcnimin e Krishtlindjeve” (1992), Presidenti George H. W. Bush i kërkoi Serbisë që të mos e sulmojë Kosovën. Në vitin 1999, presidenti Bill Clinton urdhëroi sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë dhe në vitin 2008 presidenti George W. Bush e njohu pavarësinë e Kosovës. Konsensusi për Kosovën shënon një çështje të rrallë, ku republikanët dhe demokratët pajtohen.

Shpresat e mëdha të Serbisë se administrata e re do të bëjë një kthesë në politikën amerikane në Ballkan për shkak të gatishmërisë së z. Trump për t’i përmirësuar marrëdhëniet me presidentin Putin, janë thyer. Gjatë seancës për konfirmimin e tij në mesin e muajit janar, Sekretari i Mbrojtjes Mattis bërë të qartë se ai besonte se NATO-ja duhet të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa është e nevojshme, dhe në veçanti derisa Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), “të marrë një mandat për të bërë sigurinë e brendshme dhe të mbrojtjes territoriale” – që i bie, derisa të shndërrohet zyrtarisht në ushtri. Ai shprehu gjithashtu mbështetje për dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, e cila në thelb kërkon që Serbia të njohë Kosovën para se të anëtarësohet.

Në fjalimin e saj të parë në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley përsëriti mbështetjen e vendit të saj për Kosovën, duke thënë se ajo “e meriton të marrë vendin që i takon në bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin e plotë në OKB”. Beogradi ishte gjithashtu i zhgënjyer me letrën e urimit të presidentit Trump dërguar presidentit Hashim Thaçi në nëntëvjetorin e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Duke marrë parasysh të gjitha këto që u thanë, duket shumë e mundshme që ShBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj në Ballkan.

Ndryshim kufijsh?

Megjithatë, është e mundur – edhe pse nuk ka gjasa – se në Ballkan mund të shohim sërish ndryshime të kufijve. Edhe pse ky skenar i 1990-s ka marrë pak vëmendje, ka pasur disa thirrje të reja nga jashtë rajoni për ndryshimin e hartës së Ballkanit.

Kongresmeni Amerikan Dana Rohrabacher, në një letër drejtuar Presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliq, sugjeroi se pjesa veriore e Kosovës (me shumicë serbe në veri të Mitrovicës) do të mund t;i jepet Beogradit në këmbim me pjesën jugore të Serbisë (me shumicë shqiptare -Preshevës). Ai gjithashtu tha se Maqedonia nuk është “një vend”, dhe sugjeroi që rajonet e saj shqiptare duhet të bashkohen me Kosovën dhe pjesët e tjera me Bullgarinë, “apo me ndonjë vend tjetër me të cilin ata janë të lidhur”. Gati në të njëjtën kohë, ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Sir Ivor Roberts, (i cili kishte kundërshtuar fillimisht pavarësinë e Kosovës), doli me një thirrje të ngjashme për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshimi i kufijve në vendet e tjera të Ballkanit gjithashtu nuk mund të përjashtohet. Në Bosnjë e Hercegovinë, Republika Serbska, do të mbajë një referendum për shkëputje. Pjesëtarët e grupeve kroate duan që Kushtetuta e vendit të ndryshojë për t’u dhënë atyre më shumë autonomi, duke krijuar katër rajone në vend të dy sa janë tani.

Maqedonia nuk po arrin të formojë qeverinë që nga zgjedhjet në dhjetor, dhe vendi është ndarë në vija etnike, pas thirrjes nga ana e ish-partisë në pushtet VMRO-DPMNE-së për demonstratat anti-shqiptare. Në Shqipëri, protestat anti-qeveritare kanë vazhduar për disa javë, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për në qershor. Në Mal të Zi, gjykimi kundër serbëve dhe rusëve të përfshirë në një përpjekje për grusht shteti është duke vazhduar. Sipas medieve serbe, presidenti Putin i ka thënë Uashingtonit se Rusia do t’i “mbrojë” serbët në Mal të Zi, në qoftë se ky vend përpiqet për t’iu bashkuar NATO-s, duke rritur frikën se pjesë të vendit do të mund të shkëputeshin.

Uji Dea

Rusia përfiton

Në vitet e fundit, Rusia ka përfituar nga neglizhenca e Perëndimit në dështimin për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, për të rritur pikëmbështetjen e saj në rajon. Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk i është bashkuar BE-së që nga pranimi i Kroacisë në vitin 2013 dhe askush nuk i është bashkuar NATO-s, që kur Shqipëria e bëri këtë në vitin 2009. Kjo ka lënë një korridor për Rusinë. Një kthim i angazhimit perëndimor mund të pritet për të mbajtur rajonin nën ombrellën euro-atlantike, por jo në afat të shkurtër, për shkak: të krizave të brendshme të BE-së, Brexit-it, dhe çështje të tjera duke ia marrë përparësitë politikës së jashtme të administratës Trump.

Pa Britaninë e Madhe, BE-ja do të humbasë anëtarin e saj të fortë të Aleancës Atlantike, dhe do të kthehet në idenë e një Evropë me “më shumë shpejtësi”. Këtë vit, katër nga gjashtë nënshkrueset burimore të Traktatit të Romës (i cila e ka themeluar Komunitetin Ekonomik Evropian, pararendës i BE-së), kanë mbajtur ose do të mbajnë zgjedhje: Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda – që të gjitha të përballura me rritjen e fraksioneve populiste. Në Holandë, Partia e Geert Wilders për liri nuk ka fituar në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në mesin e marsit, por ka fituar vende në parlament.
Ende ekziston mundësia që kancelarja Angela Merkel mund të humbë në Gjermani dhe se Marine Le Pen mund të fitojë në Francë, ndërsa Lëvizja Five Star në Itali mund të fitojë ndikim të rëndësishëm. Qëndrimi tradicional gjeopolitik i Evropës mund të riorganizohet me këto zhvillime – në dëm të BE-së dhe në favor të Rusisë. Zonja Le Pen, për shembull, ka shprehur shpeshherë admirim për presidentin Vladimir Putin, dhe në një takim me të më 24 mars rikonfirmoi qëndrimin e saj se Franca duhet të sjellë sanksionet e saj kundër Rusisë. Më shumë populiste, Evropa Perëndimore pro-ruse do të hapë derën gjerësisht për më shumë ndërhyrje nga Moska në Ballkan.
Shqetësimet se Rusia po e përdor Serbinë për të ndërhyrë në rajon i kanë shfaqur ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe kanë kërkuar nga NATO-ja që të rishikojë planin e saj për misionin e saj paqeruajtëse në Kosovë. Nuk është çudi, kërkesa e tyre erdhi pas spekulimeve të medieve në Beograd se zoti Putin do të përdorë mjete ushtarake për të ”mbrojtur” Kosovën. Përshkallëzimi më i madh i tensioneve Kosovë-Serbi që prej luftës së viteve 1998-1999 ndodhi në janar, kur një tren rus i dekoruar me simbole dhe slogane nacionaliste serbe tentoi të kalonte nga Serbia në Kosovë. Menjëherë pas kësaj, sekretari i përgjithshëm Stoltenberg, në një vizitë në Sarajevë, tha se NATO-ja ishte duke punuar me qeveritë në rajon për të ndërtuar aftësitë e tyre të inteligjencës dhe mbrojtjes për t’i bërë ballë ndikimit të huaj (rus).

Tensionet ushtarake

Vringëllimat e armëve janë kthyer në rajon, duke ngritur tensionet që do të mbeten të larta gjatë gjithë vitit 2017. Duke reaguar ndaj trazirave që pasuan pas refuzimit të Kosovës për të lejuar hyrjen e trenit me simbole nacionaliste të Serbisë, presidenti Nikoliq kërcënoi se Serbia do të dërgonte ushtrinë e saj në Kosovë, në qoftë se serbët atje vriten. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, reagoi duke thënë se Shqipëria nuk do të lejojë që Serbia të marrë asnjë centimetër të territorit të Kosovës. Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi për një konflikt të ri të armatosur në rajon.

Situata gjeostrategjike në Ballkan mbetet e ndërlikuar. Shqipëria dhe Serbia mbështeten nga superfuqitë rivale – ShBA-ja përkatësisht Rusia, – por gjithashtu kanë zhvilluar edhe lidhje të forta me aktorët rajonal: Serbia me Greqinë dhe Shqipëria me Turqinë. Të dyja kanë konfirmuar këto aleanca me projekte të infrastrukturës: Serbia dhe Greqia planifikojnë të ndërtojnë hekurudhën nga Beogradi për në Selanik, ndërsa Shqipëria llogarit në ndihmën e Turqisë për ndërtimin e aeroportit në Vlorë. Mirëpo, kohët e fundit, çuditërisht këta dy ”sponsorë” rajonalë: Rusia dhe Turqia, kanë krijuar marrëdhënie bilaterale më të ngushta!

Në një takim në Beograd në fillim të muajit shkurt, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka falënderuar kryeministrin grek Aleksis Cipras që Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa zoti Tsipras ka qortuar ”zërat irredentistë” në rajon, e që është një mesazh i qartë për Maqedoninë. Pothuajse në të njëjtën kohë, presidenti Erdogan kishte këshilluar Serbinë që të mos bëjë ndonjë lëvizje ushtarake kundër Kosovës.

Në këtë periudhë jo të lehtë, tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë shtuar në mënyrë të konsiderueshme, sidomos lidhur me refuzimin e Athinës për t’i dorëzuar oficerët turq të përfshirë në përpjekjen e grusht shtetit në 20216-ën. Nga mesi i shkurtit, anijet luftarake greke dhe turke janë përballur njëra me tjetrën në një vend në detin Egje. Edhe pse incidenti është zgjidhur përfundimisht, mosbesimi reciprok mbetet. Sondazhet tregojnë se grekët e konsiderojnë Turqinë kërcënimin më të madh për vendin e tyre.

Ekspertët kanë spekuluar se testi i parë për politikën e Rusisë për administratën Trump mund të ndodhë nëse Ushtria serbe lëviz për të hyrë në Kosovë (me bekimin e zotit Putin). Ky skenar duket pak sa i ekzagjeruar; ndërsa Ballkani nuk është një nga prioritetet kryesore të presidentit Trump, pritet megjithate që SHBA-ja do të vazhdojë të monitorojë situatën atje nga afër. Megjithatë, në qoftë se Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja do të hezitojnë në angazhimin e tyre, ndikimi i Rusisë në Ballkan do të rritet edhe më tej.

Fat i paqartë i Ballkanit?

Fati i Ballkanit do të varet nga rezultati i Brexit-it, rezultatet e zgjedhjeve nacionale në Evropë dhe nga prioritetet e politikës së jashtme të presidentit Trump. Me partitë anti-BE që po fitojnë forcë tërheqëse – dhe ndoshta duke fituar disa zgjedhje – në disa shtete anëtare gjatë këtij viti, atmosfera në Evropë mund të ndryshojë në mënyrë dramatike, në atë që më shumë është e fokusuar brenda dhe më pak të gatshëm për të kundërshtuar lëvizjet ruse.

Në ShBA, fokusi kryesor i presidentit Trump do të jetë Azia – veçanërisht duke zvogëluar ndikimin ekonomik të Kinës. Ky ndryshim në përqendrimin e vëmendjes nga Atlantiku Verior në Lindjen e Largët, do të dobësonte sigurinë evropiane dhe praninë euroatlantike në Ballkan. Ndërsa ajo që duhet të mbahet mend është se presidenti Trump dhe anëtarët e administratës së tij kanë përsëritur konfirmimin e angazhimit të ShBA-së në NATO, është e mundur që e ShBA-ja mund të humbë fokusin në Ballkan – duke u lidhur me sfidat më të mëdha në Lindjen e Mesme dhe Kinë.

Kjo do të shkaktojë një boshllëk pranie të shteteve pro-perëndimore në rajon: pikërisht atë që dëshiron Moska. Sipas këtij skenari – më pak të ngjarë – në Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë, ka të ngjarë të shohim përleshje të reja nëse forcat pro-ruse fitojnë momentumin. Ndërkaq, që Shqipëria dhe Kosova, shtetet më pro-amerikane në Ballkan, nuk do të jenë nën ndikimin e Kremlinit.

Skenari më i mundshëm është se veprimet e presidentit Trump mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga retorika e tij gjatë fushatës. Ai nuk do të injorojë NATO-n, as që ShBA-ja do të tërhiqet nga angazhimi në Ballkan, duke e përdorë Mbretërinë e Bashkuar si një kanal Atlancist në rajon. Siguria në Ballkan do të varet nga kjo aleancë e re/vjetër Atlantike. Përleshjet kryesore do të jetë në vijën B.B: Baltik- Ballkan. Në kuadër të këtij skenari, ShBA-ja dhe Rusia munden më në fund të bien dakord mbi sferat e ardhshme të influencës: Evropa, përfshirë Ballkanin (pa Serbinë), do të mbetet me Perëndimin; ndërsa Rusia do të marrë Kaukazin Jugor (pa Gjeorgjinë). Ukraina do të mbetet në mes, me gjeopolitikën e saj ende të paqartë.

(Botuar në Geopolitical Intelelgence Service, përktheu nga anglishtja, Arsim Osmani).