KKVITI

Të pafajshmit nuk marrin kurrfarë kompensimi

/ 6 minuta lexim

Kjo gjendje bën që qytetarët të mos kenë besim në sistemin e drejtësisë, por edhe në sistemin institucional përgjithësisht shkalla e kredibilitetit të jetë tepër e ulët, ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët që u shkaktojnë dëme qytetarëve nuk ndëshkohen.

SHTETI SHKEL RREGULLISHT TË DREJTAT E QYTETARËVE PËR GJYKIM TË DREJTË

Përjashtim bëjnë vetëm ata që mbahen në paraburgim

Kjo gjendje bën që qytetarët të mos kenë besim në sistemin e drejtësisë, por edhe në sistemin institucional përgjithësisht shkalla e kredibilitetit të jetë tepër e ulët, ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët që u shkaktojnë dëme qytetarëve nuk ndëshkohen

Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët përballen me procese të caktuara gjyqësore, përveç atyre që gjenden në paraburgim apo edhe arrest shtëpiak, të tjerët pasi që shpallen të pafajshëm nuk marrin asnjë lloj kompensimi dhe asnjë lloj kërkimfalje, për faktin se janë akuzuar dhe maltretuar pa kurrfarë baze dhe pa prova materiale, derisa kompensimi edhe për ata që janë nën masat e lartcekura, të paraburgimit apo arrestit shtëpiak është shumë i ulët dhe joreal. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe. Ndaj në këtë drejtim është ngritur edhe shqetësimi se pse nuk i kompenson dikush qytetarët që enden në procese të padrejta gjyqësore dhe shantazhuese, pasi shpallen të pafajshëm dhe kush mban përgjegjësinë për shkeljen e të drejtave të tyre, por edhe dëmit moral e material që iu bëhet shpeshherë atyre në Kosovë? Avokati Skënder Musa, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sa u përket qytetarëve, të cilët shpallen të pafajshëm pas zhvillimit të procesit gjyqësor për të gjithë të pandehurit që ndodhen në paraburgim dhe në masën e arrestit shtëpiak kompensimi i tyre, siç tha Musa, me një vlerë shumë joreale, ku diku KGJKja ua llogarit 20 euro ditën atyre. Sipas tij, ajo çka është më e rëndë dhe që i dëmton shumë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës që marrin pjesë në procedura, ani pse në shumicën e rasteve prokurorët e dinë që nuk posedojnë prova për t’i akuzuar dhe duhet të shkohet deri në fund të procedurës dhe nëse shpallen të pafajshëm ata nuk marrin kurrfarë kompensimi, shkruan gazeta Kosova Sot.

KKVITI

Prokuroria dhe gjykatat e bëjnë punën shkel e shko

“Edhe pse dalin nëpër mjetet e informimit, ku në njëfarë forme në aspektin publik shpallen fajtorë, për shkak se pothuajse të gjitha seancat janë publike në bazë të ligjit në gjykatat e vendit dhe kësisoj i gjithë opinioni publik informohet se X zyrtari i pandehur apo qytetari i vendit është i akuzuar për veprën përkatëse, që ndaj tij është duke u zhvilluar procedurë penale dhe për shkak se prokuroria dhe gjykatat nuk analizojnë në mënyrë analitike lëndën, ashtu siç kërkohet në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, shpeshherë ndodh që deri në fund të procesit gjyqësor, madje shpesh ndodh që edhe në shkallën e dytë, të shpallen të pafajshëm. Andaj kjo kategori e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët nuk janë në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, pasi që shpallen të pafajshëm nuk marrin asnjë lloj kompensimi dhe asnjë lloj kërkimfalje, për faktin se janë akuzuar dhe maltretuar pa kurrfarë baze dhe pa prova materiale”, ka vijuar Musa. Tutje ai ka konsideruar se sa i përket kësaj çështje, përkundër faktit se në shumicën e këtyre rasteve prokurorët dhe gjyqtarët nuk i kryejnë detyrat e punës së tyre në pajtim me dispozitat ligjore, nuk ndodh që ndonjë gjyqtar apo prokuror të shkojë në përgjegjësi, megjithëse, sipas tij, gjyqtari apo prokuroi i caktuar e ka vërejtur se nuk ka asnjë provë që e inkriminon personin për kryerjen e ndonjë vepre penale, po ashtu nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për tërheqjen dorë nga aktakuza.”Me rastin e vlerësimit të performancës duhet të kihet parasysh se X zyrtari nuk e ka kryer detyrën e vet ashtu siç duhet, në pajtim me dispozitat e ligjit, ku kërkohet që të vlerësohen të gjitha provat në mënyrë analitike dhe në mënyrë që të krijohen kushte që të kemi proces të hetimeve, por edhe proces të gjykimit të drejtë, siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale, por edhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” avokati Skënder Musa.

Qytetarët po e humbin shpresën

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se gjendja e krijuar në sistemin e drejtësisë dhe brenda tij në sistemin gjyqësor është një gjendje e mosreformimit, po ashtu një gjendje e avashllëkut, mosefikasitetit, mostransparencës, e sidomos fenomenit të mitës e korrupsionit dhe papërgjegjësisë në punë. Sipas tij, të gjitha këto kanë bërë që thjesht sistemi gjyqësor të mos jetë i besueshëm dhe qytetarët të mos i besojnë në shumicën e herëve këtij sistemi të drejtësisë në përgjithësi, për shkak, siç tha ai, të përvojave të tyre që kanë në proceset edhe të stërzgjatura, edhe të padrejta, edhe favorizuese e selektive. “Kjo gjendje bën që qytetarët të mos kenë besim në sistemin e drejtësisë, por edhe në sistemin institucional përgjithësisht shkalla e kredibilitetit të jetë tepër e ulët dhe qytetarët të mos kenë alibi dhe të mos kenë një satisfaksion as moral e lëre më material sa u përket proceseve të zgjatura (odisejadave) të tyre, të cilat i përjetojnë shpeshherë duke përfunduar të pafajshëm dhe të pakompensuar, përveç në procedurën penale. Sipas ligjeve në fuqi ekziston e drejta e qytetarit që nëse është privuar padrejtësisht nga liria dhe është dënuar padrejtësisht ose kundër ligjit është mbajtur në paraburgim apo është dënuar për vepër penale, në ndërkohë mund të kompensohet nëse bën kërkesë të caktuar në KGJK, gjegjësisht në administratën, sekretariatin e tij, por me një çmim që as nuk është satisfaktiv dhe as ekonomikisht i arsyeshëm dhe real, por çmim simbolik për çdo ditë të kaluar padrejtësisht i privuar nga liria dhe padrejtësisht i paraburgosur në burgjet e Kosovës”, ka spikatur për gazetën “Kosova Sot” profesori Mazllum Baraliu./kosova sot/